“Duhet të përgatitemi për luftë”/ Komentohet deklarata e Schmitt – ekspertët e sigurisë zbardhin prapaskenat: Serbia mund të nxis..!

Politika

“Duhet të përgatitemi për luftë”/ Komentohet deklarata e Schmitt – ekspertët e sigurisë zbardhin prapaskenat: Serbia mund të nxis..!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 mars 2025 Në ora: 11:50
Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti

Provokimet e vazhdueshme në tendenca të ndryshme nga Serbia për Ballkanin, në veçanti për Kosovën, kanë arritur të sjellin reagime edhe nga ndërkombëtarët.

Sulmi në Banjskë, në Iber Lepenc dhe deklarata e veprimet të tjera të Serbisë ndaj Kosovës, kanë arritur të sjellin në përfundim që e njëjta është shtet destabilizues për Ballkanin.

Mirëpo për rrezikshmërinë që e njëjta mund të sjell ka folur edhe historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt.

Schmitt ka thënë se Evropa duhet që ta ndryshojë politikën e jashtme dhe të përgatitet edhe për situatën më të keqe.

Kjo sipas tij, për shkak të politikës së re amerikane që sipas tij është e vështirë për tu kuptuar.

Ai tha se nga kjo pjesë më e rrezikuar është Ballkani, ku siç tha ai Kosova e cila sipas tij varet nga prezenca e trupave amerikane.

Schmitt tha se të gjitha shtetet duhet që të përgatitën për luftë, por sipas tij Kosova gjendjet në një situatë më delikate dhe ka rrezik nga Serbia.

“Krejt varet nga politika e presidentit amerikan, asnjëri nuk e di çfarë do të bëjë nesër. Ky është një realitet politik…Situata në Serbi po ashtu mund të ndryshojë dhe të krijojë një situatë të re, por vetëm pas rënies së presidentit, Vuçiq. Të gjitha shtetet duhet që të përgatiten edhe për një situatë më të rëndë dhe kjo është lufta. Edhe në Zvicër flitet në mënyrën më të qartë, ne duhet që të përgatitemi për luftë… Kjo vlen për Zvicrën dhe fatkeqësisht kjo edhe për një vend si Kosova e cila gjendjet në një situatë më delikate sesa Zvicra… Kosova ka rrezik nga Serbia. Të gjitha varën nga politika e Trump sepse ai ka marrëdhëniet shumë të ngushta me qarqet e Vuçiqit… Nuk është fjalë për alarm është për përgatitje… ”, ka deklaruar ai.

Duke u nisur nga kjo deklaratë dhe politikën agresive që Serbia ndjekë, a mund të përballemi me ndonjë skenarë të radhës nga serbët?

Softa: Këto shqetësime lindin nga analizat e situatave që po ndryshojnë me shpejtësi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Image
Fation Softa

Ai thotë se kjo deklaratë po vjen pasi situatat po ndryshojnë me shpejtësi dhe mundësia e largimit të SHBA-së nga NATO po krijon ndryshime të rëndësishme në raportet dhe balancat ndërkombëtare.

“Historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, ka thënë se Evropa duhet të ndryshojë politikën e jashtme dhe të përgatitet për situatën më të keqe, për shkak të ndryshimit të politikës amerikane, e cila aktualisht është e vështirë për t’u kuptuar.

Më shumë se për artin dhe letërsinë, Evropa duhet të përgatitet për luftë, ku, krahas Moldavisë, Kosova është gjithashtu një nga vendet më të rrezikuara. Këto shqetësime lindin nga analizat e situatave që po ndryshojnë me shpejtësi. Krahas një aleance të qartë tashmë midis SHBA-së dhe Rusisë në planin tregtar dhe ushtarak, mundësia e largimit të SHBA-së nga NATO po krijon ndryshime të rëndësishme në raportet dhe balancat ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë përmend marrëveshjen e nënshkruar midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, ku thotë që është një hap që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve.

Duke vazhduar bisedën Softa përmend disa nga faktorët ndikues që Kosova të ndjehet e rrezikuar nga Serbia.

“Dje në Tiranë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes, u nënshkrua një deklaratë e përbashkët trilaterale midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Ky është një hap që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërverimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Këto ndryshime të panjohura kërkojnë një platformë mbarëkombëtare të shqiptarëve në të gjitha trojet, për një rizgjim dhe një mobilizim afatshkurtër dhe afatgjatë përballë rreziqeve të shtuar nga Serbia. Tendenca për shkëputjen e Republikës Srpska çon në rrezikun e prishjes së Marrëveshjes së Dejtonit, e cila mund të stimulohet nga Donald Trump, si dhe nga deklaratat e djalit të tij, të cilat demotivojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, si një shpërqendrim për shkak të skandalit me Monika Leëinsky. Po ashtu, shfaqja e hartës së Serbisë, ku Kosova nuk ekziston si një shtet, është sa e qartë, aq edhe e rrezikshme. Ky mund të jetë një testim i reagimeve të vendeve ballkanike, para se Trump të shpallë ndonjë platformë ose strategji të re”, shpjegoi ai.

Softa thotë që duhet të përgatitemi për një plan B dhe se askush nuk mund të cënojë më pavarësinë e Kosovës, për këtë arsyje duhet një unitet i kombit shqiptar.

Serbia mund të nxitë ndryshime të mëdha, thotë tutje eksperti.

“Tashmë është e qartë dhe një nevojë emergjente kombëtare që kombi shqiptar të jetë i gatshëm për të njëjtin qëndrim dhe reagim, dhe kjo kërkon aleanca të gjerë shqiptare në fushën ushtarake, atë ekonomike dhe në përdorimin e potencialeve njerëzore.

Koha nuk është në anën tonë. Sot, bota po ndryshon, dhe duhet të përgatitemi për një plan B.

Asgjë dhe askush nuk mund ta cenojë më pavarësinë e Kosovës, as Trump dhe as politikat e Rusisë. Europa do ta mbrojë Ukrainën si një element të saj, dhe Ballkani është gjithashtu një pjesë thelbësore e ekzistencës së Evropës. Vendet si Spanja dhe Italia mund të kenë probleme që mund të shfaqen në horizont. Maqedonia dhe Mali i Zi janë gjithashtu të rrezikuar, për shkak të zhvillimeve në Kosovë. Serbia mund të nxitë ndryshime të mëdha, të cilat mund të stimulojnë nga vetë Europa ose nga Vuçiq, si përkrahës i interesave ruse, dhe kjo mund të çojë në ndryshime me karakter historik”, u shpreh eksperti i sigurisë, Fatjon Softa për “Bota sot”.

Shala: Kosova është padyshim një nga pikët më të ndjeshme për shkak të situatës me Serbinë

Ndërsa eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që deklarata e Schmitt është e rëndësishme dhe reflektim për situatën e sigurisë në Evropë e veçanërisht në Ballkan.

Image
Drizan Shala

Ai përmend disa nga aspektet e mundshme të rrezikut që Ballkani mund përballet, duke filluar me raportin që Kosova me Serbinë ka e deri tek mbështetja e Rusisë dhe Kinës për Serbinë.

“Kjo deklaratë e historianit zviceran Oliver Jens Schmitt është shumë e rëndësishme dhe reflektive për situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë, veçanërisht në Ballkan. Schmitt, si shumë ekspertë të tjerë të sigurisë, duket se po thekson rreziqet që mund të dalin nga destabilizimi i rajonit të Ballkanit. Për të kuptuar më mirë komentet e tij, duhet të shqyrtojmë disa aspekte të mundshme të rrezikut që ai ka në mendje.

1."Rreziku i një destabilizimi të mëtejshëm në Ballkan": Ballkani është një rajon me histori të trazuar dhe tensione etnike, përfshirë në mes të Serbisë dhe Kosovës, si dhe ndërhyrjet e faktorëve të jashtëm. Schmitt mund të pohoi se rreziku i një përshkallëzimi të konfliktit është i mundshëm për shkak të tensioneve që ende ekzistojnë, sidomos midis Serbisë dhe Kosovës. Në këtë kontekst, ai mund të jetë duke e parë situatën si një kërcënim që mund të sjellë pasiguri për tërë Evropën.

2."Kosova dhe rreziku nga Serbia": Shumë ekspertë të sigurisë kanë vënë re se Serbia, përmes ndikimit të saj politik dhe ushtarak, ka përpjekur të ruajë një pozicion të fuqishëm ndaj Kosovës, e cila është shpallur e pavarur në vitin 2008. Serbia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës dhe ka mbështetje të madhe nga Rusia dhe Kina. Schmitt mund të pohoi që Kosova është më e ekspozuar ndaj kërcënimeve për shkak të tensioneve të vazhdueshme me Serbinë dhe mundësisë që Serbia të përdorë metodologji të ndryshme për të destabilizuar situatën.

3."Përgatitja për luftë" Kjo thënie është e rëndësishme, sepse tregon një qëndrim të mundshëm për një situatë të mundshme të krizës dhe përgatitjen e shteteve të Ballkanit dhe të Evropës për të menaxhuar një kërcënim të mundshëm, duke përfshirë mundësinë e përshkallëzimit të dhunës. Pavarësisht nga ky kërcënim, shumë ekspertë mendojnë se është e rëndësishme që Evropa të përgatitet në mënyrë diplomatikë dhe strategjikë për të minimizuar këtë rrezik”, shpjegoi në hollësi eksperti.

Në fund, ai thotë që Ballkani mbetët i pasigurt dhe Kosova mbetët një pikë e ndjeshme e tij për shkak të situatës me Serbinë.

“Në lidhje me komentet e ekspertëve të sigurisë, ka një konsensus të gjerë që Ballkani mbetet një rajon i pasigurt për shkak të disa faktorëve, përfshirë rivalitetet etnike dhe politikë të brendshme të disa shteteve, por edhe ndikimi i jashtëm nga fuqi të tjera, si Rusia, Kina dhe vendet perëndimore. Kosova është padyshim një nga pikët më të ndjeshme për shkak të situatës me Serbinë”, përfundoi eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat