Lidhja Demokratike e Kosovës doli e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ajo pati një rritje të lehtë nga zgjedhjet e kaluara, por kjo mjaftoi që brenda LDK-së të ‘plasin’ deklaratat e akuzat kundrejt njëri tjetrit.
Ish-kryeministri i fundit nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti dhe ish-ministri Agim Veliu janë dy figurat që kanë kërkuar hapur ndryshime nën udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pakënaqësi në lidhje me numërimin e votave brenda partisë dhe favorizim të disa figurave të reja kanë shprehur edhe ish-zëvendëskryeministri Driton Selamanaj, ish-shefi i grupit parlamentar Arben Gashi dhe deputetja Rrezarta Krasniqi.
Gashi: LDK në prag të një ndarjeje të madhe: krizë e përkohshme apo kthesë historike?
Analisti Eduard Gashi, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se LDK ndodhet në një udhëkryq, duke shtuar se deklarimet e figurave të LDK-së, janë sinjale të qarta për një konflikt të thellë mes brezave, vizioneve dhe mënyrës së udhëheqjes.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ndodhet sërish në një udhëkryq. Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe përpjekjes për riorganizim nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, tensionet e brendshme po arrijnë kulmin. Deklaratat publike të figurave si Avdullah Hoti, Agim Veliu, Driton Selmanaj, Arben Gashi, Rrezarta Krasniqi dhe së fundmi edhe zërat e rihapur të Lutfi Hazirit nuk janë më thjesht shprehje pakënaqësie – ato janë sinjale të qarta për një konflikt të thellë mes brezave, vizioneve dhe mënyrës së udhëheqjes.
Përplasje konceptuale, jo vetëm personale
Ndarja nuk është vetëm mes njerëzve. Ajo është edhe filozofike.
Figurat tradicionale si Veliu, Hoti dhe Haziri përfaqësojnë një LDK të konsoliduar përmes strukturave komunale, konsensusit politik dhe përfaqësimit institucional. Këta individë kanë kapital politik të fituar në terren dhe mbi të gjitha, ndihen të braktisur nga një model i ri më ekskluzivist dhe më pak dialogues.
Drejtimi aktual i Lumir Abdixhikut tenton një LDK të re, më të fokusuar në perceptimin publik, më qendrore në vendimmarrje dhe më e lidhur me trendet moderne të komunikimit politik. Por kjo qasje po perceptohet nga shumë brenda partisë si përjashtuese dhe autoritare”, shpjegon ai.

Tutje, thotë se Haziri ka një ndikim në LDK, duke thënë se edhe pse nuk është përzier, fjala e tij ka peshë dhe nëse ai vendos të pozicionohet qartësisht, do të mund të ndikojë dukshëm në balancat brenda partisë
“Roli dhe ndikimi i Lutfi Hazirit
Lutfi Haziri ka qenë gjithmonë një figurë kyçe në LDK – jo vetëm për shkak të historisë së tij politike dhe kontributit në kohë të ndryshme, por edhe për ndikimin që ka pasur në degët më të mëdha si Gjilani dhe rajoni i Anamoravës. Ai përfaqëson një LDK institucionale, komunale dhe me lidhje të ngushta me strukturat në terren.
Së fundmi, Haziri është rikthyer në debatet publike brenda partisë, duke kërkuar hapje, reformë të thellë dhe kthim të unitetit. Ai nuk është përfshirë direkt në përplasje frontale, por zëri i tij ka peshë. Nëse ai vendos të pozicionohet qartësisht, do të mund të ndikojë dukshëm në balancat brenda partisë – si faktor bashkimi apo si alternativë e vetë kandidimit për kreun e LDK-së.
Kjo nuk është krizë që kalon me një takim partie apo një komunikatë. Kjo është një krizë strukturale dhe identitare. LDK ndodhet në betejën për të përcaktuar se çfarë partie dëshiron të jetë në dekadën e ardhshme. Nëse nuk adresohen qartë tensionet mes brezit të vjetër dhe të ri, si dhe nëse nuk hapet rruga për një proces të drejtë garimi të brendshëm, atëherë rreziku i ndarjes reale është i lartë”, thotë ai.
Derisa, për kandidatë potencialë të LDK-së për ta sfiduar Abdixhikun, ai sheh, Hotin, Veliun, Haizin, Selmanajn.
“Kandidatët potencialë për ta sfiduar Abdixhikun
Avdullah Hoti – I matur, institucional, me përvojë qeverisëse, mund të shihet si figurë e kompromisit.
Agim Veliu – Me ndikim të fuqishëm lokal dhe besnikëri në strukturat tradicionale.
Driton Selmanaj – Me gjuhë të drejtpërdrejtë dhe artikulim të qartë politik, mund të mobilizojë segmentin reformist të pakënaqur.
Lutfi Haziri – Nëse vendos të rikthehet fuqishëm, do të kishte mbështetje nga degë të rëndësishme dhe nga një pjesë e elektoratit që ndjehet i harruar nga qasja aktuale. Ai mund të përfaqësojë një “LDK të mesme” që nuk refuzon reformën, por kërkon përfshirje dhe kthim te vlerat themelore”, deklaron ai.
Në fund, Gashi thekson se LDK duhet të bëjë debat të hapur kombëtar brenda vetes
“Në vend të heshtjes, LDK ka nevojë për një debat të hapur kombëtar brenda vetes. Kjo mund të realizohet përmes një:
Kuvendi të jashtëzakonshëm, ku të garojnë haptazi të gjitha figurat me vizione të ndryshme;
Procesi të drejtë zgjedhor në çdo degë, që e rikthen besimin e bazës në strukturë;
Platformë për bashkim të brezave, ku edhe figurat si Lutfi Haziri të trajtohen me respekt për përvojën e tyre, pa u parë si “pengesë për ndryshim”.
Vetëm përmes përfshirjes, jo përjashtimit, LDK mund të mbijetojë dhe të ringrihet si alternativë e qartë ndaj partive të tjera në vend”, përmbyll ai për “Bota sot”.
Maraj: Kërkesa për ndryshim në LDK
Analisti Milazim Maraj ka thënë se LDK ka defekt te mungesa e demokracisë në zgjedhje brenda partisë.
“Pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, ku LDK doli përsëri e treta, pati mjaft pakënaqësi, ndonëse shënoi një rritje të vogël. Ndodhën shumë ndryshime të papritura, por edhe disa të pritura, si pasojë e udhëheqjes së dobët pas Dr. Ibrahim Rugovës. Krahasimet midis postit të ministrit apo kryeministrit dhe mungesës së votave nuk ishin fare të justifikueshme. LDK-ja ka pësuar rënie të ndjeshme që pas largimit të Presidentit Rugova, dhe një nga arsyet kryesore është mungesa e demokracisë në zgjedhjet brenda partisë”, thotë ai.

Maraj për “Bota sot”, thotë se ata që po kërkojnë ndryshime, ndikuan që LDK të bie më poshtë në vota si parti.
“Ata që kërkojnë ndryshime në kryesinë e partisë duhet së pari të bëjnë një analizë të performancës së tyre dhe të aktivitetit në terren. Agim Veliu ka humbur zgjedhjet në Podujevë dhe, nëse duhen marrë masa, ai do të duhej të ishte i pari, pasi ishte një nga figurat kyçe në ngjarjet e papritura të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, kur kjo parti pësoi humbjen e saj të parë. Abdullah Hoti, dikur kryeministër, gjithashtu kontribuoi në rënien e LDK-së në vetëm 10% të votave.
Nëse ka pasur parregullësi në numërimin e votave, atëherë faktet duhet të prezantohen dhe të referohen te prokuroria. Ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Driton Selmanaj, humbi zgjedhjet në Prizren, megjithëse pretendonte se do t’i fitonte. Kjo ngre pyetjen: pas humbjeve, çfarë aktivitetesh kanë zhvilluar këta individë për të mobilizuar mbështetësit e LDK-së? Ata kanë pasur për çfarë të flasin dhe për çfarë të angazhohen.
Kriza pas zgjedhjeve është një dukuri pothuajse normale, por varet nga mënyra se si do të menaxhohet. A do të shndërrohet në një luftë të pafundme, që do të sjellë humbje edhe më të thella, apo do të zhvillohet një analizë e qetë dhe shkencore për të nxjerrë mësime dhe për të përgatitur fitore në zgjedhjet lokale e më pas në ato të përgjithshme? Pretendimi për largimin e kryetarit aktual të LDK-së është absurd. Me çfarë mekanizmi do të bëhet? Cili institucion do ta ndërmarrë një ndëshkim të tillë të paramenduar? LDK-ja nuk është parti totalitare. Demokracia nuk funksionon me përjashtime të detyruara, por përmes votës së lirë. Në një parti demokratike, vendimet duhet të merren me votë të fshehtë”, shpjegon ai.
Pas LDK doli e treta në zgjedhje, Maraj thekson, e vërteta është se kjo situatë në LDK është pasojë e mosrespektimit të rrugës demokratike.
Ai shton, se largimi i lidershipit aktual nuk duhet të ndodhë kur ka një rritje të besimit, por kur ka një rënie drastike.
“Ka raste që të lënë të çuditur dhe krijojnë dilema. E vërteta është se kjo situatë në LDK është pasojë e mosrespektimit të rrugës demokratike. Zgjedhjet me duartrokitje, pa votim të fshehtë, si dhe angazhimi i dobët në anëtarësi, kanë qenë faktorë kyç. Dalja në vetën e parë për merita nuk është në natyrën e kësaj partie. Mungesa e angazhimit në terren ka shkëputur raportet me anëtarësinë. Për më tepër, burokratizimi pas zgjedhjeve ka zhgënjyer votuesit, duke bërë që një numër i madh anëtarësh të mos marrin fare pjesë në zgjedhje.
Në organet vendimmarrëse të LDK-së nuk është punuar sa duhet për çështjen e funksionimit të anëtarëve të vendosur në institucione. Nuk ka pasur analiza dhe kritika të duhura, të cilat do të kishin ndikuar në përmirësimin e performancës së të zgjedhurve. Votat që ka fituar LVV nuk janë domosdoshmërisht meritë e saj, por një ndëshkim për figurat e LDK-së dhe gjithë partinë.
Si është e mundur që të largohen deputetët që kanë marrë më shumë vota sesa ata që kanë humbur ose kanë pasur më pak vota? Pavarësisht se nuk pritej, LDK-ja shënoi një rritje. Në këtë kontekst, largimi i lidershipit aktual nuk duhet të ndodhë kur ka një rritje të besimit, por kur ka një rënie drastike. Pse nuk u bë ky largim kur LDK-ja humbi gjysmën e anëtarësisë? Pse nuk ndodhi kur partia prishi koalicionin me LVV-në dhe "Guxo", duke rënë në 10%?
Çdo devijim nga rruga e Presidentit Rugova është i destinuar për humbje. Tani mbetet në dorën e strukturave të partisë: a do ta bëjnë LDK-në sërish fituese, duke ndërtuar një Kosovë të fortë dhe duke ruajtur marrëdhëniet e veçanta me SHBA-në, apo do të vazhdojnë të numërojnë humbje të tjera? LDK-ja ka potencial intelektual të mjaftueshëm për t'u konsoliduar. Mjafton që individët brenda saj të çlirohen nga lakmia dhe inati”, përfundon ai për gazetën.