Ka mbetur edhe pak ditë deri te mbajtja e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Seanca e cila pritet të mbahet më 15 prill, është thirrur nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore.
Në këtë seancë pritet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Kryesisë si dhe betimi i deputetëve të zgjedhur.
15 prilli deri para pak ditësh nuk ka qenë “problem” për partinë fituese, kjo pasi sipas deputetëve të kësaj partie ata i kanë numrat për të formuar qeverinë dhe kuvendin.
Por, këtë gjë e vuri në dyshim kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha të dielën se Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Kurti, në një postim në Facebook, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore Listës Serbe dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq, ndërsa janë duke u shënjestruar disa deputetë të pakicave joserbe.
Kurti ka shtuar se institucionet e sigurisë kanë informacione të konfirmuara lidhur me këtë dhe kjo ishte ndër çështjet që u diskutua në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës të dielën.
“Pas ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 në Republikën e Kosovës, për çfarë kemi informuar në konferencë për media bashkë me ministrin Nenad Rashiq me datë 9 mars 2025, Serbia po vazhdon përpjekjet për sabotimin e konsolidimit të institucioneve të dala nga këto zgjedhje. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës, më 24 shtator 2023, ishte nënkryetar “de jure” i Listës Serbe, kurse tani është kryetar “de facto” i këtij subjekti politik. Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe. Institucionet e sigurisë kanë informacion të konfirmuar lidhur me këtë, dhe kjo ishte njëra ndër çështjet që shqyrtuam në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Edhe Kryetari i Kuvendit në detyrë Glauk Konjufca pas mbledhjes me nënkryetarët e partive politike deklaroi se pa koalicion paszgjedhor nuk mund të bëhet qeveria.
Analistët politikë thonë se do të ishte më mirë që partitë të bashkohen për ta formuar qeverinë. Sipas tyre, koha është e tillë që ka nevojë për bashkim.
Vetëvendosje vendos ku do të qëndrojë
Analisti Muhamet Kelmendi, thotë se sa do të dakordohet opozita për formimin e qeverisë varet nga VV.
Sipas tij, VV i ka mjetet juridike për të shfrytëzuar boshllëqet kushtetuese.
“Formimi i qeverisë nga opozita, nëse partitë si LDK, AAK dhe NISMA bien dakord të krijojnë një koalicion me PDK-në, do të ishte një qeveri e formuar për një periudhë të shkurtër. E gjitha varet aktualisht nga VV.
VV ka mundësinë që, përmes mjeteve juridike dhe duke shfrytëzuar boshllëqet kushtetuese, të pengojë krijimin e Kuvendit dhe të qeverisë. Kjo do të varet nga mënyra se si VV e sheh të ardhmen e saj. A dëshiron VV të mbetet në qeveri apo të kalojë në opozitë.”, shprehet Kelmendi.
Ai shton se do të ishte mirë të formohet një qeveri e përbashkët.
“Nga ky qëndrim do të varet edhe formimi i qeverisë. Natyrisht, në Kosovë është më mirë që të formohet një qeveri e përbashkët. Kjo nënkupton që VV, PDK, LDK, AAK dhe NISMA të bashkohen. Koha është e tillë dhe kërkon një bashkim të tillë”, shton analisti.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tri parti opozitare shqiptare kanë përjashtuar një koalicion me partinë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, ani pse një ftesë nuk iu është bërë.
Qeveri e spektrit të gjerë shqiptar
Pavarësisht kësaj, të hënën në media është raportuar për një ftesë për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Nuk dihet nëse kjo ftesë ishte një thirrje për bashkëpunim, por analisti Nexhat Haziri insiston që partitë shqiptare të marrin përgjegjësinë për formimin e qeverisë së Kosovës.
Por, sipas Hazirit, qeveria duhet të formohet pa Albin Kurtin.
"Është fakt se do të ishte mirë që partitë shqiptare të merrnin përgjegjësinë për formimin e qeverisë së Kosovës në këtë situatë të komplikuar për të cilën po kalon bota, por pa Kurtin si kryeministër. Nuk mund të jesh në një koalicion me dikë që ka investuar në përçarje dhe polarizim shoqëror, ku mashtrimi dhe shantazhi janë pjesë dominante e politikbërjes së tij, dhe që ka rrënuar çdo urë bashkëpunimi mes subjekteve politike shqiptare. Dhe tani, siç e pamë edhe këto ditë, pasi dështoi të siguronte të gjitha votat e minoriteteve jo-serbe, Kurti shfrytëzoi një ngjarje si ajo e arrestimit të oficerëve serb në Gjakovë, për t’i shantazhuar disa nga deputetët e minoriteteve jo-serbe, duke i akuzuar si të ndikuar nga Serbia. Nesër, pasi t’i ketë refuzuar edhe partitë shqiptare, do të veprojë njëjtë me ta, duke i quajtur si bashkëpunëtorë të Radojçiqëve dhe të Listës Serbe, edhe pse bashkëpunëtorë të Listës Serbe ka në parti dhe po ashtu ka një histori bashkëpunimi me këtë subjekt politik”, pohon Haziri.
Sipas tij, qeveria e tillë do të kishte mandat dy vjeçar dhe do të përfundonte disa procese.
“E mira do të ishte që të kemi një qeveri të spektrit të gjerë shqiptar, me mandat dyvjeçar, që do të përfundonte disa procese, siç është dialogu me Serbinë, formimi i AKS, zgjedhja e presidentit/presidentes me një kandidat konsensual, avancimi i agjendës së integrimeve euroatlantike, nxjerrja e vendit nga sanksionet e BE-së dhe përmirësimi i marrëdhënieve me aleatët strategjikë, dhe gjithashtu ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja. Por, pa Kurtin si kryeministër. Qeverisja katërvjeçare e tij ka treguar se ishte e dëmshme për vendin dhe për interesat afatgjata gjeo-strategjike”, përfundon analisti.