LDK dhe LVV: Nga ftesat te refuzimi - cila parti do të dëmtohet më shumë në elektorat?

Politika

LDK dhe LVV: Nga ftesat te refuzimi - cila parti do të dëmtohet më shumë në elektorat?

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 13 prill 2025 Në ora: 09:57
Lumir Abdixhiku, Albin Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar Vetëvendosjen për konsultime për një koalicion të mundshëm mes dy partive për formimin e intitucioneve.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kaherë është deklaruar që nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen, por nga ana tjetër vazhdo të kërkojë postin e kryeministrit, megjithëse LDK ka dalë e treta në zgjedhje!.

Për refuzimin e LVV_së, Abdixhiku ka thënë se LDK nuk gjen veten për konsultim, mes gjithë asaj çfarë ka bërë dhe thënë Kurti.

“Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”.

Bajraj: LDK, nuk mban përgjegjësi për dështimin eventual të procesit

Image
Fatmir Bajraj

Analisti Fatmir Bajraj, në një përgjigje pr “Bota sot”, thotë se ftesa e Albin Kurtit ndaj LDK-së është manovër politike për konsum publik dhe jo për një bashkëqeverisje reale.

Ai thotë, Kurti ka djegur kartat me LDK-në qysh në vitin 2019 dhe tani përdor këto lëvizje për të krijuar alibi ndaj dështimeve të tij dhe për të ushtruar presion politik.

“Ftesa e Kurtit, "makiavellizëm" për të konsumuar shantazhin kundër LDK-së dhe për të nxjerrë alibi për sabotimin e procesit dhe krijimit të Institucioneve!

LVV nuk është e interesuar për bashkëqeverisje me LDK-në, dhe ftesa e saj drejtuar liderit të LDK-së,z. Lumir Abdixhiku është parasegjithash për konsum publik, e mbi të gjitha, për shantazh politik ndaj LDK-së, kur dihet botërisht qëndrimi i LDK-së për bashkëpunim me Vetëvendosjën e Kurtit.

Kurti ka djegë të gjitha kartat e bashkëpunimit dhe bashkëqeverisjes me LDK-në në momentin kur në mënyrë të njëashme ka shkelë marrëveshjen e koalicionit, duke shkarkuar ish Ministrin e Brendshëm, z. Agim Veliu dhe më pas, edhe të Zëvendëskryemnistrit, z. Dr Avdullah Hoti në vitin 2019.

Kurti është i vetëdijshëm, se nuk mund të mbetët në pushtet pa bashkëqeverisë me pakicat nacionale, përfshi pakicën serbe, dhe në anën tjetër, nuk mund të qeverisë me ndonjërin nga partnerët eventual në Opozitë, pa e dhënë postin e Kryemnistrit, për çfarë ky nuk është gatshëm ta bëjë kurrë, sepse është i obsesionuar pas pushtetit dhe për të i jep të gjitha, pa përjashtuar edhe shtetin”, thotë ai.

Më tej, ai thotë se ftesa e Kurtit për LDK-në shihet si lojë politike për ta dëmtuar atë në opinion publik dhe për të rritur vetë imazhin e tij si lider i përgjegjshëm.

Sipas tij, qëllimi është ta paraqesë refuzimin e LDK-së si mungesë vullneti për bashkëpunim. Megjithatë, LDK nuk duhet të bjerë në grackën populiste, por të ruajë qëndrimin e saj strategjik dhe të punojë për një fund politik të qeverisjes Kurti.

“Qëllimi i Kurtit është që përmes kësaj ftese ta dëmtoj LDK-në, duke e sjellë para aktit të kryer, që refuzimi i saj në opinion të lexohet si jo gatishmëri bashkëpunimi për interesat nacionale në këto kohë kruciale për fatet e vendit, dhe në anën tjetër, ftesa (oferta) e Kurtit, të lexohet si përgjegjësi e lartë e një lideri-shtetar (Kurti) i cili është i gatshëm të bashkëpunoj me secilin, përfshi edhe "klubin e stërvjetëruar", të cilët për 20 vite kanë dëmtuar vendin, dhe kanë bashkëpunuar me armikun serb, dhe në veçanti me terroristin, Milan Radojçiq!?

Ky fakt, edhe mund ta ndihmoj Albin Kurtin në rritjen e popullaritetit ndër turmat, niveli kulturor i të cilëve lë shumë për të dëshiruar, por në anën tjetër, LDK nuk duhet t'i nënshtrohet narracionit populist të Kurtit, por duhet të qëndroj në pozicionet e betonuara para dhe gjatë fushatës zgjedhore, se me LVV-në e Kurtit nuk do të të këtë bashkëpunim dhe as bashkëqeverisje.

LDK, duhet ta sheh intersin nacional në staza të gjata, dhe duhet të veproj në atë mënyrë që, qeverisjes së Kurtit dhe mbështetjes së tij në elektorat t'i vie fundi, sepse është interes madhor i Kosovës, edhe nëse nuk është interes afatshkurtër i LDK-së”, thekson ai.

Në fund, Bajraj shprehet se ftesa e Kurtit për LDK-në nuk synon formimin e Qeverisë, por është përpjekje për ta fajësuar atë për dështimet institucionale.

Ai shton, se LDK nuk mban përgjegjësi për formimin e qeverisë, pasi nuk u mandatua nga sovrani. Ajo duhet të qëndrojë besnike ndaj premtimit elektoral për të mos bashkëqeverisur me VV-në, përveç nëse udhëheq qeverinë dhe zbaton programin e saj. Përgjegjësia i bie plotësisht VV-së, e më pas PDK-së si forca e dytë, nëse Kurti dështon.

“Kam bindjen se ky veprim i Kurtit, as nuk e ndihmon dhe as nuk dobëson pozicionin e tij për formimin e Qeverisë, sepse vetë ftesa nuk ka synim formimin e Qeverisë, por luftimin e LDK-së dhe sabotimin e institucioneve, dhe në fund, të hedh fajin tek të tjerët, kur dihet se faji është i atij, të cilin e ka ngarkuar me përgjegjësi sovrani me 9 shkurt 2025, dhe jo ai i cili është në pozitën e tretë, pra LDK pas LVV-së dhe PDK-së.

Ajo që i mbetet detyrë imediate LDK-së, nga ky pozicion paszgjedhor, është afirmimi dhe promovimi i qëndrimet të saj politike karshi kërkesës së Kurtit për bashkëpunim, si konsekuencë e një premtimi konsistent para dhe gjatë fushatës, se LDK nuk qeverisë me Kurtin dhe nuk hynë në koalicion në një qeveri të opozitës, nëse nuk ka në atë Qeveri, pozitën e Kryemnistrit dhe programin qeverisës të saj, pikë.

LDK, nuk mban përgjegjësi për dështimin eventual të procesit, ngase sovrani nuk e ka mandatuar dhe as ngarkuar me përgjegjësinë e krijimit të institucioeneve dhe të qeverisë, përkundrazi, edhe pse LDK kishte një platformë, një ekip, një program dhe një ofertë unike për qytetarët dhe të ardhmën e vendit, ajo nuk e mori këtë mbeshtetje dhe këtë besim nga Sovrani.

Sovrani, i besoj Kurtit & Co, dyfish ma shumë se sa LDK-së, edhe pse LVV me mbi 50% të pushtetit nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kishte degraduar në të gjitha sferat e jetës; si në ekonomi, investime të huaja, varfëri publike, sanksione ekonomike, izolim ndëkombëtar dhe prishje të raporteve me aleatët, përfshi SHBA-të, si sponzor të lirisë dhe shtetit tonë të pavarur, Republikën e Kosovës !

Përgjegjëse për formimin e institucioneve është LVV dhe Albin Kurti, dhe në rast të dështimit të këtij procesi kushtetues, dështim ky i qellimshëm, atëherë "topi" i kalon opozitës, dhe sërisht këtu, LDK nuk është lidere e opozitës, sespe kështu deshi sovrani, dhe mbetet në dorën e PDK-së që të provoj krijimin e Qeverisë, por që LDK mbetët konsistente pas qëndrimit elektoral; se nëse nuk dalim të parët, shkojmë në një qeveri të opozitës, por me kushtin parimor që LDK t'a drejtoj qeverinë dhe t'a implementoj programin e saj qeverisës, dorën në zemër, i vetmi program qeverisës që i ishte ofruar sovranit për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, por që nuk u votua nga qytetarët e vendit, për habi”, përfundon ai.

Maraj: Refuzimi i LDK për konsultime për një Koalicion

Image
Milazim Maraj

Analisti Milazim Maraj në një bashkëbisedim me gazetën, thotë se situata politike në Kosovë po komplikohet pa nevojë, kryesisht nga ofendimet e Kurtit ndaj liderëve shqiptarë dhe dëshira e Nismës për pushtet me çdo kusht.

Sipas tij, kjo tregon mungesë kulture bashkëpunimi dhe keqpërdorim të besimit të sovranit. Përplasjet mes partive shqiptare i shërbejnë vetëm Listës Serbe dhe Rusisë, duke penguar shtetndërtimin dhe integrimin e Kosovës në BE e NATO.

“Po krijohet një situatë e koklavitur, pa farë nevoje. Kjo në shikim të parë duket si një shfryrje inati pas ofendimeve që u bëri Albin Kurti liderëve politik shqiptarë në Kosovë. Pastaj një dëshirë e NISMA-s për të qenë në pushtet me çdo kusht. Ky ofendim tregon një nivel shumë të ulët të kulturës z. Kurti për bashkëpunim të domosdoshëm me subjektet tjera politike shqiptare në Kosovë. Por nuk arsyeton fare inatin e krijuar pas këtij ofendimi nga subjektet tjera politike shqiptare në Kosovë.

Interesi i vendit nuk guxon të jetë viktimë e kryeneçësisë së subjekteve politike shqiptare në Kosovë. Besimi i dhënë nga sovrani po keqpërdorët, duket që është keqkuptuar shumë nga ata që fituan besimin.

Kjo situatë në Kosovë i konvenon vetëm listës serbe e cila është një instrument i Serbisë për të penguar funksionimin e shtetit ligjor dhe ngritjen  dhe integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. I konvenon Rusisë për të pënguar shtetin e Kosovës nga se do të jetë pagesë për Botën ruse. Kjo është njëra pamje e kësaj gjendje të krijuar nga politikanet pa vizion të çartë për rrugën drejt BE dhe NATO-s”, thotë Maraj.

Analisti thotë se pamja tjetër e situatës tregon një frikë të Kurtit nga udhëheqja pas formimit të Qeverisë, për shkak të detyrimeve me Serbinë që kërkojnë kompromise të rënda.

Ai shfaq hipotezën duke thënë se Kurti ndoshta po synon ta shmangë këtë barrë historike duke mos e formuar Qeverinë vetë.

“Por nëse shikohet kjo gjendje edhe nga një kënd tjetër del një pamje e frikësuar e Albin Kurtit për udhëheqje pas themelimit të Qeverisë së re të Kosovës. Andaj krijimi i kësaj rrëmuje pas zgjedhjeve nuk duket pa qellim. Qëllimi i tij ndoshta është që të mos arrijë formimin e Qeverisë së re nga LVV. Obligimet për marrëdhëniet më Serbinë tani duket që të jenë të detyrueshme.

Për këto kompromise të dhimbshme ky është treguar rezistent. Mos pranimi i tyre kompromiseve si dhe pranimi i tyre janë përgjegjësi historike të cilën LVV nuk është e gatshme ta bartë. Formimin e Qeverisë nga opozita është një shpëtim më fytyrë e LVV. Por është një rrugë drejt Ballkanisë që mund të imponohet nga BE dhe që ishte program i LVV më herët. Pas kësaj do të filloj përsëri me, gaz lotsjellës, mollotov dhe dhunë për ta rrëzuar Qeverinë”tradhtare” që pranoj këto apo ato kushte.

Kështu do të kthehet përsëri në pushtet si “shpëtimtarë gjëja për të shpëtuar atë që mbeti”. Ky projekt është djallëzor, dhe përngjan në një bilardo politik. Veprim indirekt drejt qëllimit. Refuzimi i LDK ndoshta ishte i mirëpritur nga LVV. Albini nuk e përballon asnjë pjesë të programit të LDK në Qeverinë e kryesuar nga ai. LDK nuk është kompakte për të pranuar normalisht asnjë farë koalicioni. Ndoshta këtë gjendje të LDK, LVV ka pritur ta blej ndonjë nga deputetët e LDK-së.  Duhet unitet i domosdoshëm brenda subjektit të vet politik për të arritur koalicion. Këtë LDK nuk e ka ende”, shprehet Maraj.

Në fund, ai thotë se LDK është në një pozicion të vështirë: të pranojë ose të refuzojë bashkëpunimin me VV-në, dhe në të dyja rastet ka pasoja.

Ai sugjeron LDK-në që të qëndrojë e palëkundur në programin e saj, duke kundërshtuar kthimin e subjekteve me lidhje me krimin dhe korrupsionin, që mund të dëmtojnë stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës.

“Por, a dëmtohet LDK nëse nuk e pranon përgjigjja do të ishte po. Ndërsa a do të dëmtohej më shumë ta pranonte apo të mos e pranonte? Edhe kjo është dilemë. Pra LDK është në pozitë të zgjedh pozitën e vet me më pak pasoja; përndryshe që të dy zgjedhjet janë më pasoja. Ajo çka duhet të veproj LDK është të i kthehet organizimit të brendshëm të partisë, me strukturat që i kishte para ardhjes së Isa Mustafës në krye të LDK. Gjatë këtij organizimi të respektohen normat demokratike të cilat u shkelën në shumë zgjedhje deri tani.

Të vazhdoj plotësisht më programin e Kosovës, Shtet Sovran e të Pavarur, të integruar në BE dhe në NATO dhe në miqësi  speciale dhe të përhershme më SHBA. Asnjë rrugë tjetër nuk është funksionale për LDK. Votat që i fiton LVV janë vota të dëshpërimit të elektoratit ndaj devijimit të LDK nga programi i vet demokratik, drejt perëndimit për prosperitet dhe integrim të domosdoshëm në BE dhe NATO. Kthimi i subjekteve të caktuara të dëshmuara për krime, në skenën politike të Kosovës është rikthim i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. Pandemi e rrezikshme sociale që e stërkeqi Kosovën për 19 vite dhe rrezikon pozitën e saj”, përmbylli ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat