Të martën pritet që të mbahet seanca e parë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në këtë seancë përitet që të bëhet konstituimi i Kuvendit të Legjislaturës së IX-të.
Kurse, në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, mbetet e paqartë nëse do të arrihet formimi i Qeverisë së re.
Njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se krijimi i Qeverisë së re varet nga numri i deputetëve në Kuvend.
Ai ka theksuar se opozita ka deklaruar që nuk do të shkojë në një koalicion me VV-në, ndërsa Nisma është në dilemë.

“Formimi i Qeverisë varet kryesisht nga numri i deputetëve në Kuvend.
VV-së i duhen 61 deputetë për të ndërtuar Qeverinë. Opozita po deklaron se nuk do të shkojë me VV. Ende është në dilemë NISMA!”, ka thënë ai.
Kelmendi ka paralajmëruar se, nëse nuk ndodh konstituimi i institucioneve, vendi mund të shkojë në zgjedhje.
“Moskonstituimi i Kuvendit dhe i Qeverisë e çon vendin në zgjedhje. E tëra varet nga interesat politike për pushtet. Nga kjo pritet kohëzgjatje deri edhe zgjedhjet e reja.E tëra varet nga VV dhe nga opozita. Duan apo nuk duan zgjedhje”, ka potencuar ai.
Po ashtu, Kelmendi ka sqaruar rrethanat në të cilat mund të shpallen ose të shmangen zgjedhjet.
“Nëse VV-së i shkon në favor procesi zgjedhor, priten veprime ngadalësuese deri në zgjedhje.
Në të kundërtën, subjekti tjetër, i dyti a i treti, mund të krijojë Qeverinë. Dhe anasjelltas.
Nëse zgjedhjet janë në dëm të subjekteve aktuale, kuptohet se nuk kemi zgjedhje të reja dhe të jashtëzakonshme. Dhe anasjelltas.
Nga partitë në Kuvend varet edhe konstituimi i Kuvendit dhe ndërtimi i Qeverisë.
Çdo gjë lidhet me 61 deputetët që i duhen pozitës a opozitës”, ka përfunduar Kelmendi.