Ka kaluar një vit e gjysmë gati që nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku një grup i armatosur i prirë nga ish- politikani Milan Radoiçiq kishte sulmuar policinë e Kosovës, ku kishte mbetur i vendur polici Afrim Bunjaku.
Që nga ajo kohë e deri më sot kanë ndodhur shumë zhvillime:Radoiçiq pranoi organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm, ai u hetua në Beograd dhe në Prishtinë ku ndaj tij dhe 44 personave tjerë u ngrit aktakuzë për veprimtari terroriste. Derisa ai besohet se po qëndron në Serbi.
Një vit e gjysmë pas sulmit, ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka zbuluar disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, që mund të aplikohen edhe për sulmin terrorist në Banjskë.
Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë të martën se pas ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale, është mundësuar aplikimi i gjykimit në mungesë edhe në rastet e veprave penale të natyrës së rëndë.
Sipas Haxhiut, këto ndryshime mund të aplikohen edhe për sulmin terrorist në Banjskë, teksa shtoi se certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë gabim i rëndë dhe i pafalshëm, pasi sipas saj, kryetar de facto i saj është kryeterroristi Millan Radoiçiq.
“Pavarësisht kësaj mundësie ligjore, s’ka dyshim që vlera e dobia janë të shumëfishta kur kryeterroristi Millan Radojiçiq dhe 44 paramilitarët e tij, të dorëzohen në Republikën e Kosovës dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë”.
“Millan Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe. Kjo u bë edhe më e qartë kur kryetari formal i saj, Zlatan Elek, u radhit si i shtati me numrin e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe, pas marrjes së mandatit të deputetit, e detyruan të jap dorëheqje. Çertifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë një gabim i rëndë dhe i pafalshëm”, ka thënë Haxhiu.
Tutje, ajo tha se saktësisht dy vjet më parë, më 22 prill 2023, në paradën e Ushtrisë së Serbisë në Batajnicë, krahas Radoiçiqit ishin të pranishëm edhe dy deputetë të Listës Serbe, Igor dhe Sllavko Simiqit si dhe kreytarët Dalibor Jevtiq dhe Goran RAkiq.
“Atë ditë po ekspozohej edhe sistemi kinez FK-3, pikërisht në vendin ku janë ekshumuar 744 shqiptarë nga varreza masive. Këto fakte dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin e strukturave të Listës Serbe në sulmet terroriste dhe kundër rendit kushtetues në Kosovë. Millan Radoiçiq & Co. duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim, sa më parë”, u shpreh ajo.
Për “Bota sot”, kanë folur juristë dhe avokat rreth këtyre ndryshimeve.
Detaje për gjykimin në mungesë
Blerim Burjani, jurist jep detaje rreth këtij ndryshimi, që sipas ti, ka të bëjë me dënimin e individëve edhe pa mbajtur burg fizikisht.
“Ky ndryshim është bërë për të mundësuar gjykimin në mungesë, i cili ka shkaktuar shumë dilema. Cili është ndikimi i aktgjykimeve në mungesë? Dënimi abstrakt i individëve, të cilët nuk mbajnë asnjëherë burg fizikisht, por nuk mund të hyjnë në Kosovë sepse mund të arrestohen dhe të dërgohen për ta vuajtur dënimin – rezulton në një dënim real me burg apo mbajtje efektive”, shprehet Burjani.

Por, sipas Burjanit dënimi në mungesë ka mangësit dhe defektet e veta juridike dhe procedurale.
“Personat e dënuar në mungesë kanë një efekt të vetëm: nuk mund të hyjnë në territorin e Kosovës. Megjithatë, edhe dënimi në mungesë ka mangësitë dhe defektet e veta juridike dhe procedurale.
Në praktikën gjyqësore janë bërë shumë analiza të natyrës së tillë mbi aktgjykimet e këtij lloji, dhe tashmë dihen edhe rezultatet e studimeve që janë realizuar lidhur me to”, shton juristi.
Përjashtimet e gjykimit në mungesë
Ndërsa, avokati Ardian Bajraktari, përmend dy përjashtime sa i përket gjykimit në mungesë.
Ai përmend arsyet pse janë bërë këto përjashtime.
“Kodi ynë i Procedurës Penale, neni 303, për sa i takon gjykimit në mungesë të të pandehurit i ka dy përjashtime. Përjashtimi i parë, zbatohet për të gjitha veprat, por që kusht i domosdoshëm është që i pandehuri me qenë i pranishëm në shqyrtimin fillestar dhe shqyrtimin kryesor ku i bëhet e qartë për mundësinë e gjykimit të tij edhe pa prezencën e tij. Një rregullim i tillë është bërë me qellim që proceset gjyqësore me pas epilog, mos me u zvarritë pafundësisht. Kurse përjashtimi i dytë është gjykimi edhe pa prezencën e të pandehurit në asnjë nga fazat e procedurës penale, por ky përjashtim është për një kategori specifike të veprave penale, e që janë gjenocidi, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, veprat kund të drejtës ndërkombëtare si dhe vrasja e rëndë. Për këto vepra mund të mbahet gjykimi në mungesë edhe pa qenë i pranishëm i pandehuri në asnjë fazë përkatësisht seancë, por që prokurori i shtetit duhet të bëjë përpjekje të arsyeshme për sigurimin e prezencës së tij, e edhe përkundër këtyre përpjekjeve, nuk ka qenë e mundur sigurimi”, deklaron Bajraktari.

Ai ka shtuar se të pandehurit duhet t’i sigurohet avokat mbrojtës dhe qëllimi i kësaj është për shkak se është vështirë të sigurohet prezenca e të pandehurve.
“Vlen të theksohet se çka nënkupton përpjekje e arsyeshme e përcakton Kodi, si dhe faktin që gjatë gjithë fazës së procedurës, të pandehurit duhet t’i sigurohet avokat mbrojtës. Qëllimi i këtij rregullimi, përjashtimi të dytë është bazuar në kontekstin lokal, për faktin se siç dihet është shumë e vështirë që të sigurohet prezenca e të pandehurve në cilëndo fazë të procedurës për kategorinë e veprave penale të ndërlidhura me krimet e luftës, përkatësisht veprat penale që nuk parashkruhen/vjetërsohen), andaj ky ka qenë qëllimi që për këtë kategori të veprave penale, të kemi një përjashtim të tillë”, përfundon avokati.