Deputetët e Kuvendit të Kosovës po paraqitën në seancat e planifikuara të Kuvendit që kur verifikuan mandatet e tyre. Mirëpo seancat po përfundojnë brenda një afati të shkurtër kohor.
Kjo për shkakun se deputetët e zgjedhur ende nuk po arrijnë konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e udhëheqësve të tij.
Albulena Haxhiu e propozuar nga partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, për kryetare të Kuvendit, nuk po i siguron votat e mjaftueshme. Kësisoj, kryesuesi i Kuvendit, në këtë rast Avni Dehari si deputeti më i vjetër, po përmbyll seancën, për të tentuar në seancën e radhës.
Megjithatë, deputetët paguhen nga buxheti i Kosovës sikurse të bënin punën e plotë. Mëditjet e tyre nuk mungojnë, ani pse nuk po arrijnë ta kryejnë punën e tyre, ashtu siҫ janë betuar.
Ҫështja e pagave të tyre, vlerësohet se është e rregulluar me ligj dhe që pagat dalin konform ligjit. Kështu ish deputeti i kuvendit të Kosovës, Driton Tali në një prononcim për ‘Bota sot’, thekson se, pagesa e deputetëve është rregulluar me normative ligjore.
Tali: Shumë nga deputetët do të donin që Kuvendi të normalizohet dhe ata të bëjnë punën e tyre për çka janë zgjedhur nga votuesit e tyre
“Pagesa e deputetëve është rregulluar me normative ligjore dhe natyrisht ata duhej trajtuar konform rregullave në fuqi. Të ju them të drejtën ky ngërç nuk është shkaktuar nga ana e deputetëve por liderëve të tyre. Unë besoj që shumë nga deputetët do të donin që Kuvendi të normalizohet dhe ata të bëjnë punën e tyre për çka janë zgjedhur nga votuesit e tyre mirëpo janë të stopuar nga udhëheqësit e partive kuvendore”, thekson Tali.
Duke komentuar situatën aktuale, Tali thotë se e vetmja zgjidhje po mbesin zgjedhjet e reja.
“Për aq sa po e përcjelli Kuvendin nuk besoj se do të mund të formohet shumica e nevojshme dhe e qëndrueshme nga cilado anë, andaj si zgjidhje po i shoh zgjedhjet, siç thuhet "qofsha i gabuar". Ndonëse të presim se si Kryesia e LDK-sw do i përgjigjet ftesës së Kurtit”, thotë ai.
Shkodra: Ne tashmë veç e kemi humbur rastin për në Këshillin e Evropës
E të njëjtit mendim është edhe analistja politike, Magbule Shkodra. Ajo vlerëson se, pagesat e deputetëve, ndonëse Kuvendi ende nuk është konstituar, bëhen konform ligjeve në fuqi dhe se një gjë e tillë është e obligueshme dhe ne duhet të mësohemi që t’i respektojmë ligjet që i kemi në fuqi.
“Pra nuk duhet të ndërprehen dhe nuk mendoj që ndërprerja e pagave do të ndikonte në nxitjen e konstituimit të Kuvendit. Nuk besoj se do të kishte një efekt të tillë. Por, nëse dikush e mendon që dëm po i bëhet Kosovës, që po paguan deputetët dhe nuk po janë në gjendje të bëjnë konstituimin e Kuvendi, megjithatë ky është një dëm i natyrës më të vogël materiale, sepse dëmet e tjera që po i shkaktohen Kosovës, si në planin e brendshëm, po ashtu edhe të jashtëm janë shumë më të mëdha”, thotë ajo.
Shkodra thekson po ashtu humbjet që ka përjetuar Kosovën nga mos-konsituimi i Kuvendit.
“Dhe në një mënyrë pothuajse të pamatshme, ne tashmë veç kemi humbur rastin të qenë ne agjendën për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës. 880 milionë euro të ndara nga BE-ja për planin për reform, nëse nuk ratifikohet marrëveshja në Kuvend, ka mundësi që edhe ato t’i humbim, vazhdojmë të mbesim më sanksione”, thotë ajo.