“Gara zhvillohet mes...” flasin analistët, ja pritshmëritë e zgjedhjeve të 11 majit

Politika

“Gara zhvillohet mes...” flasin analistët, ja pritshmëritë e zgjedhjeve të 11 majit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 maj 2025 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Të dielën qytetarët e Shqipërisë do t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e reja parlamentare.

Nga lista përfundimtare e qytetarëve shqiptarë të drejtë vote kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta:

– 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë;

– 1,081 shtetas të pa përfshirë, për shkak të dekriminalizimit;

– 5,225 është numri i qendrave të votimit.

Procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhore.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori:

– Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit;

– Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.

Në këto zgjedhje pos partive të mëdha Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste do të garojnë edhe partitë e vogla, që mund të luajnë rol vendimtar dhe për këtë qarku i Tiranës shihet terren i favorshëm.

Partitë si Lëvizja Bashkë, Partia Koalicioni Euroatlantik, Nisma Thurrje dhe Shqipëria Bëhet, Djathtas Zhvillohet dhe Mundësia, kanë shanse për të fituar mandate, veçanërisht nëse arrijnë të bashkojnë votat e tyre.

Analistët politikë shqiptarë kanë folur për gazetën “Bota sot” rreth zgjedhjeve, pritshmërive dhe sondazheve.

Fushata, gara e partive dhe rezultatet e mundshme

Image
Rexhep Shahu

Analisti Rexhep Shahu, thotë se gara zhvillohet mes dy partive ashtu siç ka ndodhur prej tri dekadash.

Sipas tij, Rama në fushatë nuk ofroi asnjë nga arritjet e qeverisjes 12 vjeçare.

“Më 11 maj, të dielën, votohet në Shqipëri dhe përballja është mes Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe Partisë Demokratike të Sali Berishës, ashtu siç ka ndodhur prej tri dekadash. Janë edhe disa parti të vogla, dukshëm pranë qeverisë, që besojnë se do të blejnë disa vota e ndonjë mandat deputeti për ta shitur më pas.Rama, në pushtet prej 12 vitesh, kërkon mandatin e katërt. Në fushatë nuk ofroi asnjë nga arritjet e qeverisjes 12-vjeçare – sepse nuk ka arritje. Ka vetëm kapje të shtetit, shkatërrim të funksioneve jetike të tij dhe dhënie të pasurive publike me koncesione privatëve të klanit të tij: bregdeti, pasuritë kombëtare, asetet strategjike”

“Rama ka hipur mbi një kalë imagjinar – pasaportën e BE-së në vitin 2030. Ndërkohë, mbi 850 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi në vendet e BE-së që nga viti 2013 kur Rama mori pushtetin, ndërsa mbi 1 milion janë larguar nga vendi. Rama dhe PS premtojnë integrimin europian, ndërkohë që kanë qenë historikisht kundër BE-së dhe kundër NATO-s – të cilën vetë Rama dhe PS e quanin “Natë”. Të gjitha arritjet në lidhje me NATO-n dhe BE-në janë të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës: hyrja në NATO, liberalizimi i vizave, statusi kandidat për BE”, deklaron Shahu.

Përplasje mes Berishës dhe Ramës, sipas Shahut, ka edhe për shkak të Kosovës.

Ai thotë se në këto zgjedhje votuesi shqiptar është i ndarë në përfitues të pushtetit dhe në të linçuar të Ramës.

“Berisha dhe Rama përplasen edhe për Kosovën. Rama ka zgjedhur vëllazërinë me Vuçiçin, ndërsa Berisha me Kosovën. Me vullnetin personal të tij, Berisha ndërtoi “Rrugën e Kombit”, të cilën Rama e kundërshtoi ashpër, duke e quajtur "rrugë drejt askundit". Berisha kishte shpallur Kosovën “yllin polar” të PD-së dhe bashkoi politikën shqiptare me sloganin “Një komb, një qëndrim”. Gjysmën e kohës në pritje të presidentit Bush të parë në Zyrën Ovale ia kushtoi Kosovës. Në këto zgjedhje, Rama e ka orientuar fushatën drejt talljes dhe denigrimit të Berishës, duke e etiketuar si "buf kënete", ndërsa ka mobilizuar konkubina të zellshme të partisë për të argëtuar Ramën dhe për të tallur Berishën. Votuesi shqiptar sot është i ndarë: në përfitues të pushtetit dhe në të linçuar prej tij. Rama synon të mbështetet në bastionet tradicionale komuniste të Shqipërisë – Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër – dhe në zonat me prirje anti-veriore, anti-Kosovë. Berisha kërkon mbështetje në gjithë vendin”, shprehet analisti.

Ai Berishën e konsideron si person që frymëzoi e moblizioi shumë njerëz në mbarë vendin, megjithëse nuk kishte pushtet dhe ishte në arrest.

“Tetë vite pas largimit nga pushteti, Berisha u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Shtetit me ndalim hyrje në SHBA. Ai e kundërshtoi këtë vendim administrativ si të korruptuar, të financuar nga Rama dhe Sorosi, dhe kërkoi fakte. Berisha e bëri këtë një betejë frymëzuese dinjiteti, edhe pse 80 vjeç, edhe pse pa fakte por me bindje, dhe për këtë u dënua politikisht me 333 ditë arrest shtëpiak. Megjithëse pa pushtet dhe në arrest, Berisha frymëzoi e mobilizoi shumë njerëz në mbarë vendin që e ndjekin me pasion, edhe pse nuk përfitojnë asgjë prej tij. Në këto zgjedhje, pavarësisht akuzave që i janë bërë, Berisha shihet si fituesi moral – ai që tregon se e drejta nuk mbytet dhe se njeriu është i ri sa ndjehet i tillë. Në moshën 80-vjeçare, me energji, pasion dhe vullnet, ai nuk lufton për post as për pasuri, por për të shpëtuar vendin nga klane kriminale, mashtruese dhe kartele droge që po e shkatërrojnë Shqipërinë”, pohon Shahu.

Nëse nuk blihet vota nga qeveria dhe bizneset e saj, nga partitë e vogla e të reja të financuara prej pushtetit, atëherë sipas Shahut, pritet të fitojë opozita e udhëhequr nga Berisha.

“Kjo është një betejë dinjiteti edhe për Partinë Demokratike, të cilën e etiketuan padrejtësisht si anti-amerikane. Berisha është shndërruar në frymëzim për shumë njerëz për shkak të energjisë dhe vitalitetit të tij. Rama ka tentuar ta denigrojë duke e quajtur “plak”, por më i plakur dhe më i lodhur është vetë Rama, i cili nuk i afrohet Berishës në energji, kthjelltësi, patriotizëm, dije dhe vizion.

Nëse në këto zgjedhje nuk do të vidhet vota, nëse nuk do të ketë presione mbi administratën dhe pensionistët, nëse nuk do të blehet vota nga qeveria dhe bizneset e saj, nga partitë e vogla e të reja të financuara prej pushtetit, atëherë pritet të fitojë opozita e udhëhequr nga Berisha. Fushata e PD-së është udhëhequr nga ekspertë të fushatës elektorale të presidentit amerikan Trump”, nënvizon Shahu.

Ai fushatë më frymëzuese, konkrete dhe të ndjeshme sheh PD-në, ndërsa për PS-në thotë se veçse ka sharë dhe ofenduar Berishën dhe ka mashtruar me premtimin për pasaportën e BE-së.

“Sa për sondazhet, ato kontrollohen nga e majta – nga kompani që nuk ndryshojnë nga shitëset e dyshekëve që telefonojnë pa pushim njerëzit në mënyrë të pacipë.

Fushata më frymëzuese, konkrete dhe e ndjeshme për qytetarët ka qenë ajo e PD-së. Ndërsa PS-ja nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka sharë dhe ofenduar Berishën dhe ka mashtruar me premtimin për pasaportën e BE-së. Në Shqipëri shpesh fiton propaganda, fiton uniteti i socialistëve që partinë dhe ideologjinë e kanë më të shenjtë se Shqipërinë. Ata e kanë bërë urrejtjen ndaj veriorëve dhe malësorëve një kauzë krahinore që i bashkon në ruajtjen e pushtetit.

Elektorati i majtë ka për kolonë zanore Noizyn dhe për hit zgërdhirjet e banalitetet e Edi Ramës, tundjet e të pasmeve dhe gjinjve të zyrtareve të tij. Premtimet e PD-së janë të mundshme; premtimet e Edi Ramës janë mashtrime, ndërsa gjysma e qeverisë së tij është në burg për vjedhje të pasurisë publike”, përfundon Shahu.

Pas 11 majit situata sikur në Kosovë?

Image
Ilir Vata

Ndërsa, analisti Ilir Vata thotë se PD e Sali Berisha është në mes të dy betejave.

Sipas tij, Berisha ka arritur të marrë pikë në fushatën elektorale dhe ka shënuar rritje krahasuar me pritshmëritë.

“Nisja e fushatës zyrtare elektorale nuk ka pasur ndonjë rëndësi të madhe, pasi politika ka karrikuar të gjitha energjitë që prej gjashtë muajsh më parë. Në fakt, opozita nuk arriti të ridimensionohej siç duhej, sepse ish-rithemelimi i Partisë Demokratike vuajti një betejë të gjatë me PD-në zyrtare. Lufta brenda llojit e bëri Berishën me vulë, por me një Parti Demokratike të lodhur dhe të përçarë. Prandaj, starti elektoral nisi që në fillim me një disbalancë të dukshme.

Sali Berisha është në mes të dy betejave: asaj për shpëtimin e PD-së dhe asaj personale me drejtësinë, pasi SPAK e akuzon familjarisht për korrupsion. Gjyqi paraprak për të është caktuar menjëherë pas zgjedhjeve, më 19 maj. Po ashtu, Berisha mban mbi vete një tjetër barrë të rëndë: damkën “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, që e lë në një hapësirë të vakët politike dhe ngjall mosbesim te një pjesë e opinionit publik.

Megjithatë, Berisha ka arritur të marrë pikë në fushatën elektorale dhe ka shënuar rritje krahasuar me pritshmëritë. Kjo ndoshta vjen edhe si reflektim i pakënaqësisë ndaj qeverisë, pavarësisht se vendi ka njohur njëfarë rritjeje ekonomike dhe përmirësimi të standardeve jetike”, deklaron Vata.

Ndërsa, Partia Socialiste sipas Vatës, i jep publikut më shumë një fushatë që ngjan me melodrama, kërcim, aheng.

Sipas tij, qeveria ka dështuar në disa reforma kyçe.

“Nga ana tjetër, mazhoranca nuk ka një program të ri për të paraqitur, por vazhdon me atë të vitit 2013, tashmë të cunguar e të konsumuar. Ajo që Edi Rama i jep publikut është më shumë një fushatë që ngjan me melodramë, kërcim, aheng – herë si një shoë trendi, e herë si një jehonë e fushatave të diktaturës. Është e vështirë të thuhet se Rama ka një program për të konkurruar me PD-në. Ai përdor historikun e qeverisjeve të PD-së për të sulmuar Berishën, duke e portretizuar si “gogol”. Qeveria ka dështuar në disa reforma kyçe: në energji, në legalizime, në shëndetësi, në partneritetet publike-private (PPP), në administratën publike, në luftën kundër krimit të organizuar, por sidomos në luftën kundër korrupsionit. Aktualisht, disa nga eksponentët kryesorë të qeverisë janë në burg; ish-zv/kryeministri është në kërkim, disa ministra dhe funksionarë të lartë janë nën hetim. Duke parë këto zhvillime, në planin e parë kjo qeveri duket se duhet të largohet. Por opozita, me Berishën në krye, e ka të vështirë të përmbushë këtë mision. Një numër partish të djathta janë ndarë nga PD dhe kanë krijuar struktura të reja, që në të shumtën e rasteve i shërbejnë më shumë pushtetit dhe interesave të biznesit sesa votuesve”, shprehet Vata.

Ai sondazhet i sheh të paguara, gjersa shton se pas 11 majit mund të ndodh një situatë e ngjashme me atë në Kosovë.

“Sa për sondazhet, mendoj se janë të gjitha të paguara. Ato nuk pasqyrojnë realitetin, nuk mbështeten në metoda të besueshme për matjen e opinionit qytetar dhe, në fund, do të dështojnë ashtu siç kanë dështuar edhe në SHBA. Megjithatë, ajo që duket e lexueshme është se Rama mbetet favorit – jo për shkak të programit, por për shkak të kontrollit mbi sistemin. Ajo që ende nuk është zbuluar në këto zgjedhje është deformimi i procesit përmes blerjes së votës dhe përfshirjes së krimit të organizuar. Kjo mund të jetë çelësi i një krize të re paszgjedhore, ku opozita nuk do t’i njohë zgjedhjet dhe do të kërkojë kushte të reja për zgjedhje të ndershme. Pra, këto zgjedhje mund të jenë shkaku i një destabilizimi politik në vend. Pas 11 majit, mund të kemi përsëri zgjedhje të tjera. Në një farë mënyre, situata po ngjan me atë në Kosovë – atje nuk bëhet dot qeveri, ndërsa në Shqipëri, nuk do të pranohet qeveria që mund të formohet”, përfundon analisti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat