Kosova po vazhdon të jetë në një bllokadë totale, tash e sa muaj.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të nëntëmbëdhjetën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Të mërkurën, ata refuzuan për të njëmbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Ky dështimi erdhi vetëm një ditë pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetari i LVV-së, Albin Kurti, bëri të ditur se kandidatura e Haxhiut për kryetare të Kuvendit nuk do të tërhiqet.
Në këtë ‘lëmsh politik’ të krijuar, nuk po shihet ndonjë sinjal pozitiv se mund të ketë ndryshim të gjendjes, as pas takimeve të presidentes Osmani me liderët e të gjitha partive politike.
Përveç kësaj, secila parti po vendosë kërkesat e saja dhe nuk po tregohet gatishmëri për ndonjë marrëveshje politike mes tyre.
Kësisoj, tash e sa kohë po përmenden edhe zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, si një mundësi për tejkalim të kësaj situatë.
Mirëpo, se çka do ofronin zgjedhjet dhe cilat parti mund të “pësonin” rënie në elektorat, treguan njohësit e çështjeve politike.

Qarri: Duket sikur partitë janë marrë vesh, paraprakisht për këto metoda veprimi, që asnjëra të mos tregohet e gatshme për kompromise
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Si fillim, komentoi ngërçin në Kuvend, takimin e presidentes me liderët politik dhe këmbënguljen e opozitës për ndryshim të kandidaturës për kryeparlametar/e.
Sipas tij, partitë opozitare janë fajtoret kryesore për këtë, ku përmendi edhe faktin se as nuk marrin pjesë në votimet në Kuvend, gjë që nuk ka ndodhur më parë.
“Derisa edhe takimi me Presidenten nuk ofroi marrëveshje as mundësi për zgjedhjen e kryetarit/es të Kuvendit, procesi po vijon të vendnumërojë, aty ku dhe kishte ngelur më parë, në pikën e tretë, e megjithatë Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti njëherësh edhe kryetar i LVV-s, në intervistën dhënë televizionit publik, deklaroi se Albulena Haxhiu është një nga deputetet femra, më të votuara në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe e drejta e propozimit i takon partisë së tij, ndaj kandidatura e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës është vendim i partisë dhe nuk do të tërhiqet.
Në anën tjetër në seancën e së hënës, partitë opozitare refuzuan për të dhjetën herë me radhë, që të paktën, ta formonin një komision për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë, në mënyrë që ta shohin edhe qytetarët, se janë apo jo, të paktën të zgjedhurit e tyre, për konstituimin e Kuvendit, derisa partitë opozitare, jo vetëm që e kundërshtojnë kandidaten e LVV-së, por në këtë mënyrë, ato kanë bllokuar tërësisht edhe zgjidhjen e ngërçit, duke mos marrë pjesë fare, as në votim, akt që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e pasçlirimit të Republikës së Kosovës!” – deklaroi ai.
Po ashtu, Qarri kritikoi kërkesat e partive politike dhe mosgatishmërinë për ta zgjidhur ngërçin.
Madje, vlerëson se i ka humbur plotësisht kuptimi edhe seancave konstituive që po mbahen tash e sa muaj.
“Duke pasur parasysh se opozita ka të drejtë ta propozojë nënkryetarin, por jo t`ia imponojë partisë fituese kryetarin, përveç ngërçit në Kuvendin e Kosovës, që po vazhdon, tash e sa muaj, i ka humbur plotësisht kuptimi edhe mbajtjes dhe përsëritjes së seancave të mëtejme parlamentare, pasi që me deputetë të mbajtur peng nga partitë, që po marrin mëditjet e pamerituara, nga taksapaguesit e Kosovës, për vetëm disa minuta të pranisë fizike në Kuvend, duket sikur partitë janë marrë vesh, paraprakisht për këto metoda veprimi, që asnjëra të mos tregohet e gatshme për kompromise, madje secila prej tyre paraqet kërkesat e veta ekstreme, në mënyrë që të mos arrihet asnjë marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit”.
Analisti potencoi se me këtë qasje më së shumti po dëmtohet Kosova, ku edhe po rrezikohen miliona euro ndihma dhe grante nga ndërkombëtarët.
“Me këtë lloj veprimi të paskrupullt, në radhë të parë po dëmtohet Kosova dhe qytetarët e saj, ngase përveç mosvotimit po nga po kjo opozitë, të shumë marrëveshjeve ndërkombëtare edhe në mandatin e kaluar, tani po kjo opozitë, me mosvotim të koordinuar, po bllokon qëllimisht edhe marrëveshjet e reja të domosdoshme me faktorin ndërkombëtar, duke rrezikuar pranimin e mbi 800 milion eurove ndihma dhe kredi e grante nga BE dhe faktori ndërkombëtar, për Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha Qarri.
Ndër të tjera, ai shtoi se zgjedhja për të dalë nga ky ngërç janë zgjedhjet e reja, ku tha se këtu do dëmtoheshin disa parti, me theks të veçantë AAK-ja, që sipas tij nuk do e kalonte as pragun.
“Kështu që, nëse edhe Gjykata Kushtetuese kthen përgjigje negative, lidhur me votimin e fshehtë, si mundësi për zgjedhjen e kryetarit/es të Kuvendit, zgjidhja e vetme për dalje nga ky ngërç i paprecedent, mbetet përsëritja e zgjedhjeve, me ç` rast ndonjë parti problematike, si AAK që gjithë aktivitetin e vet kuasi-"politik" e bazon në fyerje të ulëta, shpifje abuzive e akuza jo normale, do të binte nën pragun zgjedhor dhe ndryshonte kjo atmosferë kaq acaruese por edhe gjendja e numrave në parlament pritet të jetë më tjetër, gjë që do të mundësonte edhe konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë së re”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
Mehmeti: Elektorati do i ndëshkojë me bojkot partitë politike, të cilat për egot e veta po e dëmtojnë shtetin

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti potencoi se nga kjo bllokadë do dëmtohen të gjitha partitë politike, po sipas tij më shumë do e pësojë LDK, e cila refuzoi koalicionin qeverisës me LVV-në.
Madje, tha se edhe partia fituese mund të ketë penalizim, pasi po dështon në krijimin e numrave për formim të qeverisë.
“Qytetarët janë të frustruar shumë nga kjo bllokadë me të gjithë partitë politike, në veçanti me LDK që nuk pranon ofertën për koalicion, me çka tani do të ishin institucionet e formuara. Kështu që, LDK duket se po pëson më shumë nga kjo bllokadë. Mirëpo, edhe nga kontaktet që kam me njerëz që e mbështesin VV, ata ndjejnë frustrim që s’po arrin me 48 deputetë me krijua qeverinë”, nënvizoi ai.
Gjithashtu, analisti vlerësoi se në rast të zgjedhjeve, përqindja e votuesve do jetë e ulët, pasi do bojktojnë zgjedhjet dhe do ndëshkojnë partitë që po e dëmtojnë shtetin, për shkak të egove të tyre.
“Sa më shumë zgjat ky ngërç aq më i madh është frustrimi. Nëse shkohet në zgjedhje pjesëmarrja s’do të arrijë as në 30%, qytetarët do t'i bojkotojnë zgjedhjet duke ditur se s’po formohen institucionet e vendit. Elektorati do i ndëshkojë me bojkot partitë politike, të cilat për egot e veta po e dëmtojnë shtetin”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.