Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se Serbia duhet ta dëshmojë me vepra dhe reformat se synon vërtet të anëtarësohet në BE.
Kallas nënvizoi se lidhjet e Serbisë me fqinji e saj, Kosovën, nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por janë “vendimtare” për të ardhmen e Serbisë në BE.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti nga diaspora, Leon Duhanaj.
Ai thotë se Unioni Europian vazhdon të jetë bazament i vendimarrjes.
Sipas tij, Kosova duhet të i përfundoj detyrat e dhëna nga BE me sukses, në mënyrë që të jetë vende anëtare e Unionit.
“Për sa i përket temës së integrimit europian, për mendimin tim, Kosova por dhe shqiptarët duke ta kenë një gjë parasysh.
Së pari, se Unioni Europian vazhdon akoma me qenë bazament i vendimmarrjes.
Duke qenë situatë e tillë, shtetet kandidate nuk duhet ta shohin si matematikë numrash, ku mund të dalin ekuacione të sakta.
Pra kemi të bëjmë me çështje bashkëpunimi, bashkërendimi e kompromisi.
Asnjëherë nuk i dihet se si mund të jenë konjukturat në politikën ndërkombëtare, në mënyrë që të kalkulohet me saktësi.
Ajo çfarë është në duart e secilin komb apo shtet kandidat, janë përmbyllja me sukses e detyrave të shtepisë. Pra duke i kryer detyrat e shtëpisë, përgjegjësinë për vendimmarrje e delegojmë tek vendet anëtare të Unionit”, u shpreh ai.
Sipas tij, Kallas është përfaqësuese e BE-së dhe në këtë mënyrë duhet të ndjekë politikat e saj mirëpo që e njejta do të ketë zë kritikues karshi Serbisë.
“Në ketë kontekst, padyshim që segment i rëndësishëm edhe sjellja në marrëdhënien ndërkombëtare, e sidomos ajo në raport me fqinjët gjë për Serbinë paraqet një problem thelbësor.
Përfaqësuesja e Lartë e Unionit Europian, znj. Kaja Kallas, është pjesë dhe përfaqësuese e këtyre institucioneve dhe jo rrallë herë është e varur nga klima politike në kuadër të Komisionit Europian.
Pra, ka shumë gjëra të cilat ndoshta do t'i bënte, por nuk ja arrin dot.
Serbia nuk meriton të avancohet drejt integrimit, përderisa nuk vepron në koordinim me Europen, por bën eskivazhe e koketim të vazhdueshëm me Rusinë. Në ketë kontekst, mendoj që znj. Kallas do të jetë më e zëshme ndaj kësaj qasje.
Sido që të jetë, për ne, prioritet nuk duhet të përbëjë fakti se çfarë bën Serbia, por çfarë bëjmë ne vetë. Sepse rruga drejt integrimit është për secilin shtet e veçantë dhe sa më shumë fokusohemi në detyrat e shtëpisë, aq shpejt do t'i përmbyllim obligimet tona,dhe aq me shpejt do të ndodhë edhe integrimi”, përfundoi analisti Duhanaj për “Bota sot”.