Të premten, në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës, maturantët serbë festuan përfundimin e shkollës me flamuj dhe këngë tradicionale.
Gjatë festimeve janë shënuar disa incidente me karakter provokues, që rrezikonin përshkallëzimin e situatës në një zonë tashmë të ndjeshme.
Policia e Kosovës për rajonin e veriut njoftoi më 23 maj se maturantët serbë kishin paraqitur njoftimin për paradën në qendër të Mitrovicës së Veriut, e cila përfundoi "qetësisht dhe pa ndonjë problem".
Autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë për të shmangur çdo përplasje të mundshme në veri të vendit, veçanërisht në zonat ku shpeshherë organizimet me karakter etnik marrin përmasa tensionuese.
Racaj: Ngjarjet të tilla, përkojnë me përpjekjet për të forcuar narrativat e ndarjes etnike dhe për të sfiduar sovranitetin e Kosovës në veri
Muhamet Racaj në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se festimet e maturantëve serbë në veri, të shoqëruara me simbole nacionaliste, po përdoren për qëllime propagandistike dhe politike.
Sipas tij, këto veprime, të organizuara në vende simbolike dhe nën ndikimin e strukturave paralele, synojnë të sfidojnë sovranitetin e Kosovës dhe të forcojnë narrativat ndarëse etnike.
“Po, në kontekstin aktual politik dhe të sigurisë në veri të Kosovës, ka arsye të bazuara të besohet se një pjesë e aktiviteteve të të rinjve serbë po përdoren në mënyrë të qëllimshme për qëllime propagandistike dhe politike. Përdorimi i simboleve nacionaliste serbe, festimet publike me këngë që mbajnë ngarkesë etnike dhe historike, si dhe zgjedhja e vendeve simbolike për manifestime, përkojnë me përpjekjet për të forcuar narrativat e ndarjes etnike dhe për të sfiduar sovranitetin e Kosovës në veri. Këto veprime ndodhin shpesh në kontekstin e një ambienti të politizuar dhe nën ndikimin e strukturave paralele të mbështetura nga Beogradi. Kjo përkon me praktika të njohura të instrumentalizimit të rinisë për të dërguar mesazhe politike në mënyrë të kamufluar si ngjarje kulturore apo arsimore”, thotë ai.
Sa i përket parandalimit, Racaj thotë se, nevojiten platforma gjithëpërfshirëse që promovojnë bashkëjetesën dhe ndërveprimin multietnik.
Tutje, shton se shoqëria civile dhe mediat lokale duhet të rrisin vetëdijen përmes fushatave edukative, ndërsa institucionet e arsimit dhe sigurisë të bashkëpunojnë për të shmangur aktivitetet me ngarkesë politike. Reagimi i shpejtë institucional, si në rastin e fundit, është thelbësor për ruajtjen e rendit pa cenuar të drejtat e të rinjve.
“Krijimi i platformave gjithëpërfshirëse rinore: Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare duhet të inkurajojnë dhe të mbështesin iniciativat që promovojnë bashkëjetesën, kulturën multietnike dhe ndërveprimin ndërkomunitar përmes projekteve të përbashkëta rinore.
Përfshirja aktive e shoqërisë civile dhe mediave lokale: Rritja e vetëdijes për rrezikun e politizimit të rinisë përmes fushatave edukative dhe mediave që synojnë të depolitizojnë hapësirat rinore.
Përmirësimi i bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë dhe arsimit: Ministritë përkatëse dhe drejtuesit e shkollave duhet të hartojnë politika të qarta për shmangien e aktiviteteve me përmbajtje politike apo etnike brenda institucioneve arsimore.
Reagimi i menjëhershëm institucional: Ashtu siç ka ndodhur në këtë rast me reagimin e Policisë së Kosovës, mbetet esenciale që çdo shfaqje e simbolikës nacionaliste të monitorohet dhe të adresohet me masa parandaluese, por pa cenuar të drejtat demokratike të të rinjve.
Në përfundim, është me rëndësi të kuptohet se rinia në kontekste të ndjeshme si ai i veriut të Kosovës mund të bëhet lehtësisht objekt manipulimi nga aktorë politikë, prandaj nevojitet një qasje proaktive, edukative dhe e koordinuar për të mbrojtur integritetin dhe të ardhmen e tyre në një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse”, përfundon ai.
Dashevci: Policia dhe organet e sigurisë po japin maksimumin e tyre në parandalimin e incidenteve
Edhe eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se festimet e maturantëve serbë në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës, me flamuj e këngë nacionaliste, përfaqësojnë një instrumentalizim të rinisë nga grupet që kanë qenë të përfshira në destabilizimin e veriut më 2023, si Radoiçiq dhe rrjeti i tij.
“Të premten, maturantët kanë festuar përfundimin e shkollës në të gjitha Qytetet e Kosovës.
Ashtu edhe në pjesën matanë lumit Ibër por me flamuj dhe këngë në sheshin “Car Llazar” në pjesën matanë lumit Ibër në Mitrovicë.
Sipas mendimit tim bëhet fjalë për instrumentalizim, shtytje dhe keqpërdorim të fëmijëve nga ana e atyre që kanë destabilizuar Kosovën në vitin 2023, pra Radoiçiq dhe grupet e tij”, shprehet ai.
Në fund, ai thekson se gjatë festimeve të maturantëve serbë në veri nuk pati incidente, pasi Policia e Kosovës reagoi menjëherë për të parandaluar çdo përshkallëzim.
Sipas tij, aktivitetet rinore po keqpërdoren për qëllime propagandistike nga Serbia, për të krijuar perceptim të rremë të tensioneve. Policia po bën punë të shkëlqyer për parandalimin e incidenteve, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe duke garantuar siguri të qëndrueshme në terren.
“Gjatë këtyre festimeve, defilimeve janë shënuar disa provokime nga ana e maturantëve, nuk ka pasur incidente mendoj unë, pra nuk bëhet fjalë për asnjë incident sepse Policia e Kosovës ka reaguar aty për aty menjëherë për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi të situatës.
Mendoj që aktivitetet e të rinjve po përdoren për qëllime politike apo edhe propagandistike nga ana e Serbisë sepse për eskalim ose destabilizim tē situatës nuk kanë më asnjë mundësi dhe po shfrytëzojnë çdo mundësi sikurse ky rast me fëmijë vetëm sa ta mbajnë vendin tonë në agjendë të sigurisë, kinse këtu ka tensione kurse praktika në terren e tregon që nuk ka dhe nuk mund të ketë më.
Ajo që mund të bëhet dhe po bëhet për të parandaluar instrumentalizimin e aktiviteteve rinore në kontekste etnike është ajo që po bënë Policia e Kosovës.
Policia dhe organet e sigurisë po japin maksimumin e tyre në parandalimin e incidenteve.
Po bashkëpunojnë me qytetarë në 24/7 për çfarëdo lloj problemi që paraqitet dhe niveli i bashkëpunimit është i mirë dhe kështu duhet të vazhdohet me bashkëpunim qytetarë dhe Polici e Kosovës në parandalimin e incidenteve të mundshme”, - përmbylli ai për “Bota sot”.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha foli në një konferencë për media për incidentin e para dy ditëve në Mitrovicën e Veriut – ndaj të cilit reagoi një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi.
Ai u akuzua për përdorim të dhunës, ndërsa drejtori i Policisë tha se raportimet e disa mediave serbe ishin të pasakta.