Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka qenë për vite me radhë një prej çështjeve më të ndjeshme dhe të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
I ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga fuqitë kryesore perëndimore, ky proces synon jo vetëm të ulë tensionet dypalëshe, por edhe të përshpejtojë rrugëtimin evropian të të dyja vendeve.
Megjithatë, zhvillimet e fundit politike, përfshirë ngërçet diplomatike, mungesën e zbatimit të marrëveshjeve dhe ndërrimet në udhëheqjen ndërkombëtare, kanë ndikuar në ngadalësimin dhe, në raste të caktuara, në bllokimin e procesit të dialogut.
Së fundmi, deklaratat e Kryediplomates së re të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, si dhe angazhimi i liderëve kyç si Presidenti Emmanuel Macron, kanë rikthyer vëmendjen ndaj këtij procesi, duke rritur pritshmëritë për një rinisje të mundshme të dialogut në një fazë të re.
E duke qenë në këtë situatë sa afër rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi mund të jemi?
Tahiraj: Të gjitha këto deklarata nuk kanë bazë që siguron për një rifillim të dialogut
Veprimtari nga diaspora, Saim Tahiraj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur në lidhje me këtë temë.
Ai shprehet skeptik për një rinisje të dialogut pasi ka shumë rrethana që e pamundësojnë këtë gjë, e njëra nga to është moskonstituimi i Kuvendit.
“Të gjitha këto deklarata nuk kanë bazë që siguron për një rifillim të dialogut. Situata tejet e paqartë në Serbi dhe bllokimi i formimit të organeve drejtuese të kuvendit e shtojn këtë pasiguri. Askush nuk mundë të parashikoj saktë se si do të rrjedhin ngjarjet, por nga ajo që po shohim vështirë se do kemi një zgjidhje të shpejt në Kosovë dhe krijim të institucioneve kryesore të shtetit, Kuvend dhe Qeveri. Duke u nisur nga ky fakt dhe se tani kemi një Qeveri në detyrë, me kompetenca shumë të kufizuara, vështirë se do kemi një rifillim të dialogut së shpejti”, thotë ai.
Më tej, veprimtari përmend gjithashtu zhvillimet e shpejta gjeopolitike në SHBA dhe Europë që mund të jenë arsye që të kemi një dialog të vonuar.
“Zhvillimet e shpejta gjeopolitike dhe ndryshimi radikal i tyre, sidomos të SHBA-së, e vënë Evropën para shumë sfidave, si ato ekonomik e në veçanti në çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes. Kosova si një shtet i vogël dhe në konsolidim e sipër nuk mund të jetë jashtë këtyre zhvillimeve, hiq të favorshme për të. Shtoja këtu një qeveri të papërgjegjshme në zhvillimin e vendit e posaçërisht në raport me shtetet mike, e vështirësojnë pozitën tonë ndërkombëtare. Raportet të jetë të ftohura me SHBA-ës të cilat janë garantuesi kryesorë i pavarësisë së shtetit të Kosovës, janë gabimi më fatal i kësaj qeverie”, shpjegon ai.
Ndër të tjera ai kritikon deputetët të cilët nuk po konstituojnë Kuvendin dhe po veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme.
“Në gjithë këto zhvillime të shpejta gjeopolitike në arenën ndërkombëtar, Kuvendi i Kosovës gjenë komoditetin të bëjë këto 21 skena tragjikomike të cilat janë shumë të dëmshme për pozicionin ndërkombëtarë të Kosovës. Çfarë mesazhi negativ po dërgon në botë Kuvendi i Kosovës, për prestigjin e shtetit tonë. Bota ka shumë probleme, konflikte dhe luftëra, andaj nuk jemi vetëm ne të privilegjuarit që duhet të merren me budallallëqet tona, e sidomos shtetet mike që u a kemi humbur durimin. Nëse nuk gjejnë zgjidhje këta deputet të pandërgjegjshëm, populli duhet të ngritet në këmbë dhe ta rrethoj Kuvendi dhe t’i detyroj ta bëjnë atë”, foli Tahiraj për “Bota sot”.
Mehmeti: Kaja Kallas nuk është Josep Borrell
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.
Ai thotë se me ardhjen e Kaja Kallas si përfaqësuese e BE-së do të ketë ndryshime në dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas tij, vizita e fundit e zonjës Kallas kishte për qëllim pikërisht afrimin e palëve dhe krijimin e kushteve për një takim në Bruksel.
“Me ardhjen e zonjës Kaja Kallas në postin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, pritet një ndryshim në qasjen e BE-së ndaj dialogut Kosovë–Serbi. Megjithatë, nuk pres që kjo të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në ndryshimin e qëndrimit të Serbisë ndaj dialogut me Kosovën. Vizita e fundit e zonjës Kallas kishte për qëllim pikërisht afrimin e palëve dhe krijimin e kushteve për një takim në Bruksel, edhe pse Serbia vazhdon të preferojë takime vetëm në nivel delegacionesh teknike, jo në nivel të lartë politik”, u shpreh ai.
Më tej, analisti kritikon qasjen e BE-së duke shpresuar që do të ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës dhe në këtë mënyrë mund të ketë dialog të paanshëm.
“Bashkimi Evropian duhet ta ndryshojë thelbësisht qasjen e tij ndaj këtij procesi dhe ta shoqërojë atë me veprime konkrete, përfshirë masa ndëshkuese ndaj palës që nuk respekton marrëveshjet e dakorduara. Në këtë rast, është Serbia ajo që vazhdimisht nuk i përmbahet detyrimeve të saj, prandaj ajo duhet të përballet me pasoja të qarta. Vetëm në këtë mënyrë BE mund të rikthejë kredibilitetin e saj si ndërmjetës serioz dhe i paanshëm në këtë dialog. Në të kundërtën, do të jetë e nevojshme një përfshirje më e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thekson ai.
Në fund ai nënvizon prononcimin duke vlerësuar Kallas dhe se e njëjta me korrektësinë e saj po e shqetëson Vuçiqin.
“Gjithsesi, nga ajo që kam vërejtur deri më tani, Kaja Kallas nuk është Josep Borell – dhe kjo duket se po e shqetëson presidentin Vuçiq, siç u pa edhe gjatë takimit të tyre të fundit në Beograd”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.