Përpjekja e 22-të për të formuar Kuvendin e Kosovës ka dështuar sërish, duke e thelluar më tej krizën institucionale që po zgjat tashmë prej disa muajsh.
Në seancën e fundit parlamentare morën pjesë 109 deputetë, nga të cilët 54 votuan për krijimin e një komisioni me votim të fshehtë, një ishte kundër, dhe nuk pati asnjë abstenim.
Megjithatë, mungesa e kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit bëri që procesi të mbetet i papërfunduar.
Kjo situatë ka ngritur shqetësime të shumta në opinionin publik dhe në qarqet politike.
Për shumë qytetarë dhe analistë politikë, ndërhyrja ndërkombëtare shihet si një mekanizëm i mundshëm për të ndërmjetësuar dialogun mes palëve, në një situatë kur polarizimi politik ka arritur nivele të paprecedenta.
Historia e pasluftës në Kosovë tregon se roli i faktorit ndërkombëtar – veçanërisht i BE-së dhe SHBA-së – ka qenë shpesh vendimtar për tejkalimin e ngërçeve të thella politike dhe institucionale.
Përballë kësaj dileme, mbetet për t'u parë nëse udhëheqësit politikë do të arrijnë të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut të brendshëm, apo nëse do të jetë e domosdoshme një nismë ndërkombëtare për të zhbllokuar institucionet dhe për të rikthyer funksionalitetin kushtetues të Kuvendit të Kosovës.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Ardian Bajraktari.
Ai thotë se Kuvendi është future në një bllokadë dhe për ta tejkaluar këtë krizë duhet reflektim nga subjektet politike.
“Kuvendi i Kosovës tashmë është futur në bllokadë, e për tejkalimin e kësaj situate duhet reflektim nga ana e subjekteve politike, përkatësisht e deputetëve të zgjedhur, gjë e cila nuk po shihet”, u shpreh ai.
Më tej, avokati thekson që si mundësi të fundit për të tejkaluar këtë ngërç politik është edhe përfshirja e faktorit ndërkombëtar.
“E për të ardhur deri tek ky reflektim natyrisht se edhe përfshirja e faktorit ndërkombëtar është e rëndësishme dhe në instancë të fundit e mirëseardhur”, përfundoi avokati Bajraktari për “Bota sot”.
Kujtojmë që që vendi përballet me sfida të rëndësishme – si dialogu me Serbinë, zhvillimet në veri, si dhe nevoja për reforma të brendshme – mungesa e një Kuvendi funksional po pengon marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe po zbeh besimin e qytetarëve në institucionet demokratike.