Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar shkurtimisht ndaj deklaratave të Fatmir Limajt, kryetarit të Nismës Socialdemokrate, i cili ka thënë se ai dhe partia e tij e kanë përkrahur Haradinajn vazhdimisht, veçanërisht në vitin 2017, kur ai u bë kryeministër.
Limaj kishte thënë se Nsima kishte dhënë gjithë potencialin elektoral që kishte në atë kohë për të mbështetur Haradinajn, duke shtuar se nuk i kanë borxh njëri-tjetrit.
“Me idhnim t’shpisë, mos ju gjuj kojshisë”, kishte thënë Limaj ndër të tjera, i cili pas zgjedhjeve u nda nga koalicioni parazgjedhor që kishte me AAK-në dhe u vetë-ofrua për bashkëpunim me Vetëvendosjen.
Megjithatë, për Haradinajn kjo temë është e mbyllur.
“Për mua është e kaluar. Nuk merrem me këtë pjesë më… Bashkëpunimet, zhvillimet, ato që janë thënë e bë janë e kaluar. Nuk i kam më në agjendë të ditës sime… E shkuar e kaluar, kaq”, ka thënë Haradinaj.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.
Ai thotë se Limaj ka deklaruar që është pro formimit të qeverisë nëse mbetët në deputetët e tij mirëpo që e njejta nuk po ndodhë.
Profesori kritikon Limajn për mos mbajtje të fjalës edhe pse në pyetje është vendi i tij, pasi i njejti po shikon ende interesat e tij personale.
Fatmiri shkoi kah ata që kanë në dorë formimin e qeverisë, kah Vetëvendosja
“Prej se përfunduan zgjedhjet e 9 shkurtit, pra prej asaj kohe e deri më sot, Fatmir Limaj ka deklaruar se nëse formimi i qeverisë Kurti 3 mbetet për deputetët e tij, ai do ta votojë atë. Por Fatmiri për të 23-ën herë nuk i dha ato tri vota të Nismës për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit. Ndërkohë ne shqiptarët themi se “shquhemi për besë e për mbajtjen e fjalës”! Ne, sidomos në politikë, jemi bërë rrencat më të mëdhenj, nëse krahasohemi me politikanët e çdo vendi tjetër. Politikanët shqiptarë nuk kanë problem që sot të thonë “PO” dhe nesër të thonë “JO”! Siç thoshte Çubrilloviçi në memorandumin e tij “Shpërngulja e shqiptarëve”, të 7 marsit 1937, politikanët shqiptarë mund t’i blesh me pak para! Jepu diçka më sumë se tjetri dhe të luajnë brenda orës nga fjala. Janë këta politikanë, të cilët betohen në publik, sidomos në fushatë elektorale se “e mbajnë fjalën”!
Pra Fatmir Limaj po dëshmon edhe kësaj radhe se nuk ka problem formimin e qeverisë dhe institucioneve në Kosovë, ka problem akomodimin e tij personal në këto institucione. E kur e dëgjon në ekrane televizive të shkon mendja se “Patriot më të madh se ai nuk ka”! Në fakt po. Ai duket të jetë “patrioti i interesave të tij personale”! Logjikisht, Ramush Haradinaj duhej që të revoltohej me qëndrimet e Fatmirit. Sepse AAK e pranoi në koalicion dhe me dredhitë e veta, Fatmiri ia mori gati gjysmën e deputetëve Ramushit. E la pa grup parlamentar. Pra, sa plotësoi oreksin e tij politik zgjedhor, Fatmiri shkoi kah ata që kanë në dorë formimin e qeverisë, kah Vetëvendosja. Në emër të interesit të Kosovës, tha ai, po e bëj këtë. Por për të interes i Kosovës është gjithçka që plotëson interesin personal të kreut të Nismës. Ndryshe do ta kishte votuar Albulena Haxhiun si kryeparlamentare”, u shpreh profesori.
Mesa shoh kreu i AAK-së nuk dëshiron të përplaset me kreun e Nismas
Duke vazhduar bisedën profesori përqëndrohet tek deklarata e Haradinajt.
Ai thotë se Haradinaj nuk dëshiron të përplaset me Limajt mirëpo që nuk e ka harruar ‘tradhtinë’ e tij.
Gjithashtu profesori pret që Limaj në fund të ditës të jetë pro formimit të institucioneve të Kosovës dhe të mos bëjë lëvizje të gabuara.
“Nejse! Tani të kthehemi tek deklarata e zotit Haradinaj në adresë të zotit Limaj. Ramushi duket se i është mirënjohës Fatmirit për mbështetjen që ky i fundit i ka dhënë atij për t’u bërë kryeministër i Kosovës para disa vitesh. Mesa shoh kreu i AAK-së nuk dëshiron të përplaset me kreun e Nismas. Arsyen e dijnë vetëm ata të dy. Por nuk besoj se zoti Haradinaj është kaq tolerant në kushte normale. “Tradhtia” e Limajt do të duhej ta kishte tronditur atë dhe akuzat priteshin të ishin të rrepta dhe agresive. Por nuk ka ndodhur kjo. Kjo do të thotë se ose Fatmiri i ka marrë diku peng Ramushin, ose kanë bërë një plan të përbashkët ata të dy, plan i cili do të zbulohet në një kohë të shkrutër.
Por pavarësisht të gjitha këtyre që thashë, me shumë rëndësi është formimi i institucioneve të Kosovës. Unë pres që Fatmir Limaj të dalë jashtë loje, sepse bëri lëvizje shumë të gabuara, herë kundër Haradinajt e herë kundër Kurtit, më saktë kundër zgjedhjes së Albulena Haxhiajt si kryetare e Kuvendit të Kosovës. Kam një parandjenjë se me ndërhyrjen e CDU-së gjermane Abdixhiku dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të reflektojnë dhe të ta pranojnë ofertën e kryeministrit Albin Kurti për të krijuar sërishmi një qeevri të përbashkët. Në këtë rast Limaj do të dilte automatikisht lashtë loje. Dhe në këtë moment qytetarët dhe publiku do ta shohin se sa “patriot” është ai, sesi do të sillet ndaj Kurtit, Abdixhikut dhe atyre që ia prishin planet për përfitime personale përmes pushtetit”, shpjegoi në detaje profesori.
Limaj ka shpreh dëshirën e tij të bëhet pjesë e qeverisjes së Vetëvendosjes
Në fund profesori shprehet skpetik për një qeveri stabile nëse kjo qeveri ka votat e Limajt duke përmendur ndodhinë e vitit 2020 me Qeverinë Kurti.
Duke nënvizuar bisedën ai thotë që deklarata e Haradinajt më jep të kuptoj se Limaj ka shpreh dëshirën e tij të bëhet pjesë e qeverisjes së Vetëvendosjes me qëllim që gjatë procesit të formimit të institucioneve të tërheqë edhe katër deputetët e tjerë të AAK-Nisma në këtë koalicion qeverisës.
“Por edhe nëse krijohen qeveria e ardhshme dhe institucionet e Kosovës vetëm me tri votat e Fatmir Limajt, nuk besoj se ato janë të vlefshme për një qeverisje solide dhe të suksesshme. Një qeveri me minimumin e votave në parlament është gjithmonë në teh të thikës. Sigurisht që qeveritë rrëzohen edhe kur kanë vota të bollshme të legjitimuara në parlament. Siç edhe ndodhi në vitin 2020 me qeverinë Kurti 1, kur Lidhja Demokratike u tërhoq nga koalicioni qeveritar. Por një marrëveshje me një parti që siguron shumicën kushtetuese sa kohë qeveris është e suksesshme dhe nuk ka frikë e dilema në vendimarrjet e saj. Ndodh që koalicioni nuk funksionon, ama sa kohë që ai koalicion funksionon, qëndrueshmëria dhe suksesi janë thuajse të garantuar. Ndryshe është me një koalicion, çfarë ofron Fatmir Limaj.
Deklarata e Haradinajt më jep të kuptoj se Limaj ka shpreh dëshirën e tij të bëhet pjesë e qeverisjes së Vetëvendosjes me qëllim që gjatë procesit të formimit të institucioneve të tërheqë edhe katër deputetët e tjerë të AAK-Nisma në këtë koalicion qeverisës. Ka shumë mundësi që kjo të ndodhë, nëse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të jetë e gatshme të krijojë institucionet e vendit në marrëveshje dhe koalicion me Vetëvendosjen”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.