Deklarata e Kupchan për Asociacionin/ Analisti ngre alarmin: Është imperativ i kohës…!

Politika

Deklarata e Kupchan për Asociacionin/ Analisti ngre alarmin: Është imperativ i kohës…!

Nga: M.Haziri Më: 7 qershor 2025 Në ora: 13:12
Charles Kupchan

Profesori i njohur amerikan Charles Kupchan deklaroi se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk përbën kërcënim për vendin, por është një hap i nevojshëm për të nxitur procesin e dialogut me Serbinë dhe për të ndërtuar besimin ndërkombëtar.

Kupchan theksoi se modelet e autonomisë politike për pakicat ekzistojnë në shumë vende të botës dhe mund të shërbejnë si shembull për Kosovën.

"Jo, nuk mendoj se është rrezik. Në shumë vende të tjera shohim se ka marrëveshje që ofrojnë një shkallë autonomie politike, një zë politik për komunitete të ndryshme, për pakicat - qoftë në Liban, ku komunitetet kanë pesha të ndryshme në qeveri, apo në Kanada, ku folësit e frëngjishtes kanë të drejta të veçanta në aspektin e përfaqësimit dhe gjuhës", tha ai.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, njohësi i zhvillimeve politike, Arbnor Sadiku.

Ai thotë se në kushte normale, Kosova nuk do të kishte nevojë të krijonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Image
Arbnor Sadiku

Por, për shkak se ende nuk e ka siguruar shtetësinë e plotë ndërkombëtare, krijimi i këtij asociacioni shihet si një hap i domosdoshëm për të avancuar drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare si Këshilli i Evropës dhe OKB.

Në rrethana të një shteti të konsoliduar ndërkombëtarisht, Kosova nuk do duhej të krijonte kurrfarë asociacioni. Por, meqë rasti ynë është ndryshe – nuk e kemi ende shtetësinë e konsoliduar – atëherë mund të themi se është imperativ i kohës që të krijojmë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në mënyrë që të jemi pjesë e organizatave ndërkombëtare, si: Këshilli i Evropës, e deri te anëtarësimi ynë i plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB)”, u shpreh ai.

Më tej, ai thekson se pasojat e krijimit të Asociacionit njëetnik nuk mund të parashikohen me siguri tani – vetëm koha do tregojë nëse ai do të jetë i dëmshëm apo jo.

Megjithatë, pavarësisht pasigurive, krijimi i asociacionit konsiderohet i domosdoshëm për momentin, për shkak të interesave shtetërore të Kosovës.

Pra, vetëm koha do të jetë dëshmitari më i mirë i asaj që po e thotë CH. Kupchan. Nuk mund ta dimë saktësisht tani për dëmin apo jo-dëmin që mund të sjellë ky asociacion njëetnik. Megjithatë, ajo që dihet tani është se po – bërja e tij është imperativ për ne, pra për Kosovën”, përfundoi Sadiku për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat