Se vendi është në një bllokadë totale, kjo tashmë veçse po dihet.
Seancat konstituive po dështojnë njëra pas tjetrës dhe shpresë për përmirësim të situatës nuk është se ka.
Partitë politike po refuzojnë bashkpëunimet mes vete dhe marrëveshjet e mundshme politike mes tyre.
Mirëpo, edhe të ‘bezdisur’ po shprehen nga kjo gjendje, ndonëse opsione për ndryshim të situatës politike nuk po japin.
Po këtyre dështimeve, ka pas deklarata të ndryshme, madje njëra që ka tërheq vëmendje është ajo e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, e cila dukej edhe shumë nxitëse.
Ai duke kritikuar dështimin e seancës së fundit, la një mesazh ku tha se nëse Zoti nuk dërgon një pejgamber “atëherë gjakderdhja është e pashmangshme”.
Reagimi i Bekë Berishës

“29 herë dështim!
Kur nuk mundesh me komuniku as me u marr vesh me askënd!Kur nuk respektohet asnjë vlerë!Kur i vjetri për të riun është barrë edhe i panevojshëm!Kur materializmi mbizotëron mbi gjithçka!Kur çdo budallë shprehet lirshëm dhe ka ndikim në shoqëri!Kur rrena e mashtrimi mbizotërojnë dhe marrja s’ka kuptim!Ku njerëzit bëjnë homazhe para heronjve për çdo ditë teknikisht dhe përloshen fallc!Kur çdo pozicion shtetëror mbushet me njerëz të poshtër!Kur fjalën kryesore e ka ma i keqi ndër të kqite!Kur degjenerimi dhe çoroditja mbërrin majën! Dhe tradhetia është kryefjala e të gjithave
Nëse Zoti nuk dërgon një pejgamer atëherë gjakderdhja është e pashmangshme!” – shkroi ndër të tjera deputeti nga radhët e AAK-së.
A është ky sinjal se situata në vend mund të rrëshqas drejt një përplasje të brendshme politike dhe se çka mund të prodhojë ajo?
E për këtë folën, njohësit e çështjeve politike, të cilët u shprehen të shqetësuar me deklaratën e Berishës, derisa e kritikuan mesazhin e dhënë.
Maloku: Zgjidhja e kësaj situate kërkon kthimin te arsyeja dhe dialogu i sinqertë nga ana e subjekteve politike dhe liderëve të tyre
E për këtë çështje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur analisti politik, Albinot Maloku.
Si fillim, ai e potencoi faktin se Kosova gjëndet në një situatë të vështirë dhe se kërkohet përgjegjshmëri nga liderët politikë.

Mirëpo, tha se përçarja dhe polarizimet e tilla mund të ndikojnë edhe tek qytetarët, e që më pas do e rrezikonte edhe stabilitetin e vendit.
“Vendi ndodhet padyshim në një situatë të vështirë institucionale dhe politike, dhe për të sjellë ndryshimin e nevojshëm, kërkohet kurajo dhe përgjegjshmëri nga aktorët kryesorë të politikës në vend. Pasojat e kësaj situate do të vërehen në mënyra të ndryshme tek secili qytetar, duke krijuar kështu efekte të pakëndshme për shoqërinë në përgjithësi.
Perçarja dhe polarizimi politik, i manifestuar në nivelin e subjekteve politike, mund të shkarkohet dhe thellohet njëherazi edhe tek qytetarët, e që janë të dëmshme për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit”, vlerësoi analisti.
Sipas tij, zgjidhja e vetme e kësaj bllokade është dialogu mes partive politike, pasi vetëm përmes përgjegjësisë mund të rregullohet situata.
“Zgjidhja e kësaj situate kërkon kthimin te arsyeja dhe dialogu i sinqertë nga ana e subjekteve politike dhe liderëve të tyre, veçanërisht tek subjekti i parë pas procesit zgjedhor, të 9 shkurtit të vitit rrjedhës i cili e ka jo vetëm privilegjin, por edhe përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale politike dhe institucionale në vend. Vetëm përmes përgjegjshmërisë mund të arrihet një përmirësim i qëndrueshëm dhe i dobishëm për të gjithë qytetarët”, përfundoi Albinot Maloku për “Bota sot”.
Halimi: Kjo deklaratë e deputetit Bekë Berisha nga AAK-ja, nuk është aspak profesionale

Kurse, edhe analisti tjetër, Jeton Halimi kritikoi deklaratën e Berishës, duke thënë se ishte joprofesionale dhe aspak politike.
“Kjo deklaratë e deputetit Bekë Berisha nga AAK-ja, nuk është aspak profesionale, nuk i përngjan nivelit të lartë politikbërjes, të nivelit siç është dasht me qenë në Kuvendin e Kosovës, dhe të çdo mediumi të shkruar apo elektronik në vendin tonë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Halimi tha se ngërçi i cili po vazhdon që pas certfikimit të rezultateve zgjedhor, është sa i dëmshëm për qytetarët, aq edhe për pozitën e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.
“Ngërçi politik veç është prezent në vendin tonë, tash e sa kohë, prej momentit kur janë certifiku nga KQZ rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025. Ngërçi po vazhdon pa arsyje dhe po e dëmton shumë popullatën dhe shtetetin në arenën ndërkombëtare. Duke i parë zhvillimet e fundit, luftën në Ukrainë dhe sulmin e Izarelit ndaj Iranit, politikët tanë gjejnë komoditet për kalkulime politike dhe interesa personale dhe partiake, turpi i botës janë të gjithë, pa pardon”, vlerëson ai.
Në fund, analisti shtoi se inatet politike dhe përçarjet e brendshme janë shumë të mëdha, kjo po e vërteton edhe faktin se ky ngërç po vazhdon tash e sa kohë.
“Sa e thellë është përçarja ndërmjet partive politike dhe cila mund të jetë zgjidhja përfundimtare, vetë na lënë të kuptojmë se derisa nuk ka zgjidhje konkrete dhe veprime urgjente me vazhdu procesi, përçarjet dhe inatet politike janë shumë të mëdha.
Përsëri ‘Kurban’ po është popullata jonë duke i votu këta politikan të poshtër dhe të pacipë, definitivisht këta nuk e meritojnë me na përfaqësu Kuvendin e Kosovës, shpresoj të vije presioni maksimal nga BE-ja dhe sidomos SHBA, që sa ma shpejt të shohet deri te zgjidhja përfundimtarjëe shumë pritur”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.