Tash e katër muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve nacionale, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që ta konstituojnë Kuvendin e ri të Kosovës.
I gjithë procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, emër ky që ka hasur në kundërshtimin e ashpër të partive opozitare.
E më 1 maj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Vetëvendosje, kërkoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë e cila u refuzua nga partitë e tjera.
Nga 12 maji, çështja e votimit të fshehtë po qëndron në Gjykatën Kushtetuese, ku është dërguar nga AAK me mbështetjen e PDK-së dhe LDK-së.
Por edhe pse tani ka kaluar pothuajse gjysma e qershorit, ende nuk ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese rreth çështjes së votimit të fshehtë, kërkesë kjo e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.
Vonesa e vendimit për votimin e fshehtë – procedurë ligjore apo kalkulim politik?
Avokati i njohur, Gazmend Halilaj për “Bota sot” thotë se vonesa e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese ka filluar të shkaktojë pasoja në funksionimin e sistemit politik në Kosovë si dhe thellim edhe më tej të krizës politike.

“Në një kohë kur vendi përballet me një ngërç të thellë institucional dhe politik, një vendim i shumëpritur nga Gjykata Kushtetuese – ai për vlefshmërinë e votimit të fshehtë – po zvarritet përtej pritshmërive normale. Kjo zvarritje nuk është më vetëm çështje juridike apo administrative, por ka filluar të shkaktojë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e sistemit politik dhe në perceptimin qytetar ndaj institucioneve. Pyetja që sot shtrohet gjithnjë e më shumë, me ton gjithnjë e më të theksuar, është: pse po vonohet ky vendim? Dhe më tej: a kemi të bëjmë me një ngadalësi të natyrshme të sistemit apo me një vonesë të qëllimshme që i shërben një qëllimi politik?”, shprehet Halilaj.
Siç thotë ai, vendimi që pritej me urgjencë për të qartësuar gjërat, tanimë ka mbetur në heshtje.
“Votimi i fshehtë, si mjet parlamentar dhe si mjet kontrolli në procese të ndjeshme, është vënë në qendër të debatit për shkak të mënyrës se si u përdor dhe si u sfidua gjatë përpjekjeve për ndryshime në qeverisje. Gjykata Kushtetuese u përfshi për të qartësuar nëse praktika që u ndoq është në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës. Mirëpo, vendimi që pritej me urgjencë, ka mbetur në heshtje. Nuk ka afat të qartë, nuk ka transparencë për fazën në të cilën gjendet shqyrtimi, dhe mungesa e një vendimi po paralizon jo vetëm procedurat e Kuvendit, por edhe mundësinë reale për një zgjidhje të ngërçit aktual. Në këtë kuptim, ky verdikt është më shumë sesa një sqarim teknik juridik – ai është një çelës politik dhe institucional”, thekson Halilaj.
Më tej, avokati Halilaj ngre dyshime se vendimi i Gjykatës Kushtetuese po vonohet qëllimisht.
“Në këtë klimë, nuk është aspak e çuditshme që qytetarët dhe analistët të dyshojnë: A kemi të bëjmë me një “skemë” të heshtur institucionale dhe politike? A është kjo vonesë një mënyrë për të mbajtur të paqëndrueshme një situatë që i shkon për shtat aktorëve të caktuar? A është ky një ngërç që nuk zgjidhet pikërisht sepse u shërben të gjithëve – në pushtet dhe në opozitë? Nëse Kushtetuesja nuk e sheh të udhës të trajtojë këtë çështje me prioritet maksimal, atëherë lind e drejta legjitime për të pyetur: për çfarë na shërben një Gjykatë Kushtetuese që nuk reagon kur vendi ka nevojë më së shumti për të?”, deklaron Halilaj.
Për fund, Halilaj thotë se kjo situatë duhet të jetë një alarm për të gjithë – për politikën, për shoqërinë civile dhe për mediat – që të kërkojnë jo vetëm përgjigje, por edhe përgjegjësi.
Gabim dërgimi në Kushtetuese
Kurse njohësi i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani, shprehet se çështja e votimit të fshehtë e dërguar nga partitë opozitare nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese.

“E kam thënë edhe para se të çohet në Kushtetuese mënyra e votimit – kjo nuk është punë e Gjykatës. Ashtu si parashihet në rregullore, ashtu veprohet. Askush nuk mund të ndryshojë mënyrën dhe llojet e votimit. Pra çka të thotë këtu Gjykata Kushtetuese? Asgjë! Pa pajtim të partive në Kuvend, kjo nuk mund të ndodhë asnjëherë. Nëse votimi është i hapur, atëherë vendoset në mënyrë të hapur me ngritje dore, por jo me votë të fshehtë. Pra mënyra e votimit nuk ndryshon nëse nuk merren vesh partitë politike. Nëse në rregullore shkruan se ka formë edhe të votimit të fshehtë, atëherë kjo bëhet në pajtim të partive politike në Kuvend. Nëse nuk ka pajtim, atëherë nuk ka gjë”, thotë Burjani.
“Unë kam paralajmëruar me kohë se kjo nuk është punë për Gjykatën. Megjithatë u dërgua në Kushtetuese. Tash Gjykata nuk mund të obligojë askënd – pra asnjë deputet të vetëm – të votojë ose të mos votojë, fshehur apo hapur, sepse ka ide që VV thotë: ‘s’po votojnë dhe po e shkelin Kushtetutën’. Kjo nuk është ashtu. Votimi nuk është obligim, por vendim individual i partive apo deputetëve individualë”, përfundon Blerim Burjani për “Bota sot”.