Berisha analizon deklaratat e politikanëve serbë: A rrezikohet Kosova?

Politika

Berisha analizon deklaratat e politikanëve serbë: A rrezikohet Kosova?

Nga: A.M. Më: 24 qershor 2025 Në ora: 22:25
Aleksandar Vuçiq

Së fundmi, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se Ushtria e Serbisë është “më e fuqishme se kurrë”, duke bërë me dije për blerjet e armatimit të kryera nga shteti.

“E kemi mbajtur të fshehur, por këto janë ndryshime të mëdha për Ushtrinë e Serbisë në periudhën e ardhshme. Janë më së shumti pesë persona që dinë çfarë kemi sjellë. Qëllimi ynë është ta mbrojmë vendin tonë”, ka deklaruar Vuçiqi.

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se deklarata e fundit e Presidentit Vuqiq për fuqinë ushtarake të Serbisë është pjesë e politikës së tij për konsum të brendshëm.

Image
Fidair Berisha

 Sipas Berishës, kjo vjen në një kohë të pakënaqësive të mëdha brenda vendit dhe ka për qëllim mbajtjen e pushtetit me çdo kusht, duke u sjellë si një diktator dhe duke shpërfillur vlerat demokratike.

“Deklarimi i fundit i Presidentit Vuqiq se ushtria e Serbisë është më e fuqishme se kurrë dhe se vetëm një numër i vogël njerëzish e dinë për fuqinë e saj, padyshim se është vazhdimësi e politikës së tij për konsum të brendshëm. Bazuar në zhvillimet e fundit në Serbi dhe duke parë situatën reale, ku mbretëron pakënaqësi e madhe nga një pjesë e madhe e qytetarëve serbë, është krejtësisht normale që Presidenti Vuqiq të taktizojë me deklarimet e tij, kinse Serbia ka forcuar ushtrinë dhe është duke u përgatitur për jetësimin e qëllimeve të politikës hegjemoniste. Dëshira e Presidentit Vuqiq për të qëndruar në pushtet është mbi të gjitha, madje ngjan tipikisht me një diktator, duke mos zgjedhur as mënyrë e as mjete dhe duke shkelur mbi çdo vlerë demokratike për të mbajtur pushtetin. Prandaj, nuk duhet të befasojnë as taktizimet e tilla, sepse nuk pritet diçka tjetër nga një politikan si Presidenti Vuqiq”, ka deklaruar ai.

Tutje, Berisha ka theksuar se deklaratat e Vuqiqit për armatosjen e Serbisë lidhen me paqëndrueshmërinë globale dhe janë pjesë e një prirjeje rajonale për përgatitje ushtarake.

Ai thekson se ndonëse kjo nuk është e papritur, Kosova nuk duhet ta neglizhojë këtë zhvillim, pasi Serbia vazhdimisht ka shprehur qëllime agresive.

“Gjithashtu, Presidenti Vuqiq bën me dije se Serbia është duke u armatosur në këtë kohë kur situata globale është e paqëndrueshme, duke marrë parasysh konfliktet e armatosura që po zhvillohen aktualisht. Natyrisht se jo vetëm Serbia, por edhe shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë, në një situatë të tillë kur siguria globale është jostabile, fillojnë të armatosen për të qenë të përgatitura për ndonjë luftë të mundshme. Pra, furnizimi me armë i shtetit të Serbisë në këtë kohë nuk është diçka që nuk është pritur, mirëpo nëse shtrohet pyetja sa rrezikohet shteti ynë në rastin konkret, mendoj se nuk duhet neglizhuar asnjë veprim të Serbisë në raport me sigurinë e shtetit tonë. Shteti ynë, në këtë kohë me konflikte të shumta, nuk duhet të qëndrojë sikur nuk po ndodh asgjë; është imediate lidhja dhe forcimi i aleancës me sa më shumë vende, veçmas për çështje të sigurisë. Njëherësh kërkohet furnizim me armatim modern, sepse në vazhdimësi ka pasur deklarime nga politikanë të lartë të Serbisë se, në mundësinë e parë, do të sulmojnë shtetin tonë me qëllim okupimi", ka përfunduar Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat