Vendimi nga Donald Trump, alarm i fortë për Ballkanin

Politika

Vendimi nga Donald Trump, alarm i fortë për Ballkanin

Nga: P.R Më: 25 qershor 2025 Në ora: 16:01
Donald Trump

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjatur edhe për një vit tjetër gjendjen e emergjencës kombëtare lidhur me Ballkanin Perëndimor, rajon ky që, sipas presidentit Donald Trump, vazhdon të përbëjë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.

“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkan, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet përçarëse, dhe situata në Ballkan, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të madh për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së”, thuhet në urdhrin e nënshkruar nga Trump, vendim që do t’i transmetohet Kongresit dhe është bërë zyrtar me publikimin në Regjistrin Federal.

E ky vendim i Donald Trump, sipas njohësit të çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca, është një alarm për Ballkanin. 

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zgjatur edhe për një vit gjendjen e emergjencës kombëtare lidhur me Ballkanin Perëndimor është një sinjal i fortë dhe alarmues se rajoni ynë vazhdon të përbëjë një rrezik të veçantë për sigurinë ndërkombëtare. Ky vendim është edhe një konfirmim se situata nuk është normalizuar dhe se faktori destabilizues është ende aktiv dhe i pandryshuar”, shprehet Voca për “Bota sot”.

Ai thotë se burimi kryesor dhe i vetëm i këtyre rreziqeve është Serbia, një shtet që, për më shumë se tri dekada, ka mbajtur gjallë projektet hegjemoniste, pretendimet territoriale dhe ndërhyrjet e vazhdueshme në punët e brendshme të shteteve sovrane të rajonit, veçanërisht ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi.

Image
Mirsad Voca

“Këto nuk janë thjesht opinione, por fakte të provuara historikisht dhe të dokumentuara në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat ndërkombëtare dhe vetë SHBA. Nuk ka asnjë burim tjetër real të destabilitetit në Ballkanin Perëndimor përveç Serbisë. Nuk ka ndonjë krizë tjetër të natyrshme, ndonjë konflikt të brendshëm të pakapërcyeshëm, apo ndonjë kërcënim rajonal që nuk vjen si pasojë direkte ose indirekte e veprimeve të Beogradit. Të gjitha përpjekjet për t’i relativizuar këto fakte, apo për të shpërndarë fajin në mënyrë artificiale te “të gjitha palët”, janë të rrezikshme dhe thellësisht të padrejta”, shpjegon Voca.

“Serbia jo vetëm që nuk është penduar për të kaluarën kriminale të politikës së saj, por edhe sot përpiqet ta riprodhojë atë përmes strukturave paralele në Kosovë, ndikimit të thellë në Republikën Srpska dhe aleancave me aktorë autoritarë nga Lindja që synojnë ta zhbëjnë çdo orientim perëndimor të rajonit. Individët më të rrezikshëm, të përmendur edhe në dokumentin amerikan, burojnë dhe financohen nga shteti serb. Në këtë kontekst, është e papranueshme që të kërkohen “kompromise” nga viktimat, nga ato shtete dhe shoqëri që janë përpjekur të ndërtojnë shtete funksionale, demokratike dhe të respektueshme në arenën ndërkombëtare. Gishti duhet drejtuar aty ku është përgjegjësia: kah Serbia. Dhe kjo nuk është çështje politike, por një detyrim moral dhe strategjik për ata që synojnë paqe të qëndrueshme në Evropën Juglindore”, shton Voca.

Më tej, ai thotë se Kosova, përkundër provokimeve të vazhdueshme, ka mbetur e përkushtuar ndaj rrugës euroatlantike.

“Ajo duhet të vazhdojë të thellojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe shtetet mike, pavarësisht se kush është në pushtet në Washington. Kjo kërkon unitet të brendshëm politik, vizion të qartë kombëtar dhe një lidership fleksibil, por të vendosur, që di të mbrojë interesat e vendit me dinjitet dhe maturi. Serbia duhet të vihet para zgjedhjes historike pa asnjë ambivalencë: ose me Perëndimin dhe vlerat demokratike, ose me të kaluarën e saj të errët dhe izolimin që ajo sjell. Koha e barazimeve të rreme dhe e politikës së balancimit të padrejtë ka përfunduar. Tani është koha për qartësi, drejtësi dhe vendosmëri”, përfundon njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat