Armend Zemaj: “Bota sot”, mbështetëse e fortë e çështjes kombëtare në periudhat më të ndjeshme

Politika

Armend Zemaj: “Bota sot”, mbështetëse e fortë e çështjes kombëtare në periudhat më të ndjeshme

Nga: P.R. Më: 26 qershor 2025 Në ora: 16:58
Armend Zemaj

Në përvjetorin e 30-të të gazetës “Bota sot”, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka dërguar urimet më të mira, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e gazetës “Bota sot” në historinë e Kosovës.

Zemaj thotë se “Bota sot”, në vazhdimësi, ka luajtur një rol të madh sa i përket çështjes kombëtare në të gjitha periudhat që nga themelimi i saj.

“Për tri dekada, ‘Bota sot’ ka qenë më shumë se një gazetë – ka qenë kronikane e zhvillimeve më të rëndësishme politike, shoqërore dhe kombëtare, një zë i qartë i mërgatës dhe një mbështetëse e fortë e çështjes sonë kombëtare në periudhat më të ndjeshme të historisë së re të Kosovës e Shqipërisë”, shprehet Zemaj.

Sipas tij, kontributi i “Bota sot” është i pamohueshëm, duke u bërë ballë edhe sfidave më të rënda me të cilat është përballur.

“Unë personalisht e vlerësoj angazhimin e saj për të ruajtur një qëndrim të qartë, shpesh të guximshëm, përballë sfidave që i janë shtruar vendit dhe vetë gazetarisë. Kontributi i saj për lirinë e shprehjes dhe për informimin e drejtë të opinionit publik është i pamohueshëm”, thekson Zemaj.

“Në këtë përvjetor të rëndësishëm, shpreh urimet e mia më të sinqerta për të gjithë stafin redaktues, gazetarët dhe bashkëpunëtorët e saj ndër vite”, përfundon deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

...

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat