Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të hënën se organet e rendit dhe drejtësisë janë në kërkim të politikanit serb të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, pasi policia gjeti armë në një pronë të tij në veri të vendit një ditë më parë.
Kurse, Arsenijeviq deklaroi se do të kthehet vetëm nëse merr garanci për drejtësi gjatë procesit, ku po hetohet lidhur me bastisjet në Zveqan.
“Thirrja e policisë mua më gjeti në rrugë, kam qenë në udhëtim. Dje kam dashur të kthehesha, mirë kur e kam parë postimin e z. Sveqla që e prehu shpatën, të themi figurativisht, ndërkohë që i kam pasur edhe disa vizita mjekësore, dhe nëse marr garacionin që procedura do të jetë e drejtë. të jem i sinqertë kam edhe frikë. Policia i ka shenjat e gishtërinjëve të mijë” tha ai.
Halilaj: Ai teston nëse sundimi i ligjit në Kosovë është realisht gjithëpërfshirës — apo selektiv
Avokati Gazmend Halilaj në një përgjigje për “Bota sot” shprehet se rasti ka rikthyer vëmendjen te siguria në veri dhe ka ngritur pyetjen kyçe: A mund të vazhdojë një politikan të ushtrojë funksione publike ndërsa është nën hetim për një çështje kaq serioze?
Ai thotë se në një sistem demokratik, pezullimi i përkohshëm në raste të tilla është minimumi i përgjegjësisë politike.
Rasti Arsenijeviq: A po sfidohet sundimi i ligjit në veri të Kosovës?
“Zbulimi i armëve në një pronë të politikanit serb Aleksandar Arsenijeviq ka rikthyer vëmendjen te siguria dhe ligjshmëria në komunat veriore të Kosovës. Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, konfirmoi të hënën se Arsenijeviqi është në kërkim nga organet e rendit. Çështja ngre disa pikëpyetje të drejtpërdrejta dhe të ndjeshme.
Së pari, a duhet të vazhdojë Arsenijeviqi të ushtrojë veprimtari politike ndërkohë që është subjekt hetimi për një çështje të tillë serioze? Në çdo vend demokratik, besimi publik është themeli i përfaqësimit politik — dhe kur ai tronditet nga raste të tilla, pezullimi i përkohshëm është një standard minimal përgjegjshmërie”, thotë Halilaj.
Sipas avokatit, zbulimi i armëve në veri ngre pyetje serioze për sigurinë, sidomos kur lidhet me një figurë politike. Në një zonë të tensionuar, armët ilegale nuk janë vetëm shkelje ligji, por rrezik destabilizimi.
“Më tej, pyetja që lind natyrshëm është: a përbën kjo ngjarje një kërcënim për sigurinë në veri? Në një zonë të ndjeshme, ku tensionet ndëretnike kanë qenë të pranishme për vite me radhë, armët ilegale nuk janë vetëm shkelje ligji — por potencial për destabilizim. Nëse një figurë politike zotëron apo është e lidhur me struktura të armatosura, kjo tejkalon dimensionin penal dhe kalon në sferën e sigurisë kombëtare.
Rasti ka edhe një simbolikë më të gjerë. Ai teston nëse sundimi i ligjit në Kosovë është realisht gjithëpërfshirës — apo selektiv. Arrestimi apo ndjekja e një politikani në veri dërgon një mesazh të qartë: askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht përkatësisë etnike apo funksionit që mban” – përmbyll ai.
Drenori: T’i krijohet gjyqi dhe jo gjyqi për vota
Analisti Xhavit Drenori thotë se çlirimi i veriut nga strukturat paralele dhe grupet e armatosura ka qenë një hap vendimtar, që ka ndikuar edhe në fitoren e LVV-së, falë veprimeve të saj atje.
Ai thotë se rasti i Aleksandar Arsenijeviq, që besohet të ketë lidhje me struktura të tilla, e nxjerr në pah nevojën për drejtësi institucionale, jo për gjyqe politike.
Drejtësia duhet të veprojë përmes sistemit ligjor, jo për përfitime elektorale – vetëm kështu forcohet shteti demokratik dhe barazia para ligjit.
“Për këto çështke unë pak a shumë i kam dhënë mendime të mia edhe publike që çlirimi i veriut nga banda ka qenë jashtëzakonisht hap i rëndësishëm edhe në fakt e kam thënë në debate televozive që një ndër levat, e LVV-së, pse fitoi me shumicë pra ka qenë edhe pikërisht veprimet në veri që kanë çu' jo vetëm me prishjen e strukturave paralele atje serbe po dhe demiletarizime të qytetarëve dhe grupeve të interesit atje sepse të vërtetë ne e dimë se si ka funksionuar ajo pjesë.
Pjesës së saj me gjasë paska qenë edhe ky politikani serbë Aleksandar Arsenijeviq, sepse siç e pamë megjithatë u lidh në një nga televizionet nga vendi ku ka ikur, me siguri në Serbi, dhe i dha prononcimet e tij, por ne kemi sistem që kemi ngrit me mund, sistemi demokratik, insitutcionet që respektivisht të gjitha ndajnë përgjegjësi të ndryshme, gjyqësori në këtë rast i cili do duhet që realisht përgatiste të gjitha materialet dhe ta nxirte para organeve drejtësisë Arsenijeviq dhe këdo tjetër që i nxinen armë, dhe përmes sistemit drejtësisë realisht t’i krijohet gjyqi dhe jo gjyqi për vota sepse kjo gjyqi për vota nuk zgjedh shumë probleme përveçse e favorizon dikënd ose një subjekt të caktuar”, flet Drenori.
Në fund, ai thotë se nga çdo pozitë, kërkohet që çdo person ndaj të cilit ngrihet aktakuzë apo hetohet, përfshirë edhe Aleksandar Arsenijeviqin, të dalë para institucioneve të drejtësisë dhe të japë llogari për akuzat.
“Unë kërkoj edhe nga ky pozicion që jo vetëm Arsenijeviq po çdo personi që i ngritet aktakuzë ose që kërkohet për hetim të dalë para institucioneve të drejtësisë dhe të japë llogari dhe përgjegjësi për gjithë atë që i ngarkohet.
Arsenjiviq ka ik në Serbi, këtu me siguri lë që dyshimet të forcohet që realisht ai është përgjegjës për atë përmban vepër.
Tani, a përbën rrezik nacional padyshim që çdo grup i armatosur i cili funksion brenda territorit të Kosovës përbën rrezik, deri në ç’ masë mund të jetë rreziku këtë realisht e vlerësojnë institucione tjera që janë thirrur në ligj”, përfundon ai për “Bota sot”.