Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë ka thënë se ka paralajmërime për destabilizim në shënimin e Vidovdanit, festë kjo fetare, e cila tradicionalisht organizohet nga serbët më 28 qershor në Gazimestan.
Kurti tha se ndonëse kjo ditë ka karakter fetar, ajo fatkeqësisht është keqpërdorur nga autoritetet e Beogradit për të përcjellë retorikë politike, nxitëse dhe kërcënuese ndaj sigurisë publike në Kosovë.
“Beogradi zyrtar që po përballet me protesta gjithandej të studentëve dhe jo vetëm po përpiqet që ta zhvendos vëmendjen diku tjetër. Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës antiqeveritare e antiregjim të së njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive të nxisin incidente në Gazimenstan”, tha Kurti.
E në lidhje me këtë paralajmërim të Kurtit dhe mundësinë e destabilizimit të situatës, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli në një
Së pari, ai duke analizuar politikën serbe, nuk përjashtoi mundësinë e provokimeve gjatë shënimit të Vidovdanit.
Mirëpo, vlerëson se institucionet e sigurisë së vendim kanë informacione për inskenimet e incidenteve të mundshme nga Beogradi.
“Sigurisht që mund dhe do ketë provokime të pjesëmarrësve serbë në festimin e një lufte të humbur në Betejen e Kosovës (rast unikat që humbja të festohet). Loja e politikës serbe për të provokuar me këtë datë (festimi i humbjes 28 qershor 1389) nuk është risi dhe hera e parë. Institucionet e Kosovës, në veçanti ato të sigurisë kanë dhe duhet të kenë informacione për inskinim të incidenteve nga ana e strukturave shtetërore në Beograd”.
Po ashtu, Bilalli përmedi edhe disa skenarë që mund të ketë përgatitur shtetit serb, në mënyrë që të destabilizojë situatën dhe më pas të tentojë të paraqitet si viktimë në sytë e ndërkombëtarëve.
“Sigurisht që Serbia është e interesuar dhe ka plane për të destabilizuar përbrenda Kosovën në radhë të parë, që të paraqitet si viktimë dhe më pas këtë ta paraqes te faktori ndërkombëtar si rrezikim të ekzistencës së pakicës serbe në Kosovë. A do ketë tentativ për ndonjë kamuflim dhe aktivitet me akte dhune nuk mund të përjashtohet kjo mundësi. Por, skenari serb mund të jetë shumë dimensional: nga provokimet me veshje dhe ikonografi nacionaliste dhe fetare deri te ndonjë inskinim dhune; provokim dhe kundërreagim ndaj forcave të rendit (që normal do jenë tė obliguar që të veprojnë konform ligjit të shtetit të Republikës së Kosovës). A do kemi skenare për akte dhune në pjesën lindore në regjionin e Anamoravës apo në Graçanicë (Kosovën Qëndrore) apo në Shtërpcë dhe në veçanti në veriun e Kosovës nuk mund të thuhet me saktësi, por nuk përjashtohet mundësia që skenarët që mund të ketë përgatitur Serbia për destabilizim mund të aktivizohen”, shpjegoi ai.
Krahas kësaj, eksperti shprehu besim tek institucionet e Kosovës, megjithatë kërkoi të jemi syhapur dhe të gatshmën ndaj sfidave me Serbinë, jo vetëm nesër, por edhe në të ardhmen.
“Besoj që institucionet tona të sigurisė kanë informacione, por edhe potencial që të neutralizojnë çdo skenar të qarqeve destabilituese që vijnë nga Serbia. Më rëndësi është që Kosova të neutralizoj edhe luftën propogandistike që Serbia po bënë, jo vetëm me këtë datë mitike, por edhe me gjithë aspektet e të kalurës sonë; historike, kulturore dhe politike. Për të gjitha sfidat me Serbinë duhet të jemi syçelë dhe të gatshëm, jo vetem nesër, por edhe në ditët dhe vitet në vijim”, përmbylli Lutfi Bilalli për “Bota sot”.