Rasti i vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan gjatë arrestimit nga policia po hetohet, ndërsa përflitet se shkak mund të ketë qenë ngufatja.
Ky rast ka nxitur reagime të shumta publike dhe jo vetëm, ku me këtë rast ka pasur kritika të mëdha edhe ndaj zyrtarëve policor, madje edhe vetë Policisë së Kosovës si institucion.
Në lidhje me këtë temë, foli avokati Meshari Selimaj.
Së pari, ai tha se rasti tragjik në Lipjan, duhet parë në disa aspekte, siç janë ai ligjor dhe teknik.
Krahas kësaj, përmendi edhe pamjet e publikuara të rastit dhe cilësimin momental për “vrasje nga pakujdesia”.
“Institucioni i Policisë së Kosovës nuk është pa gabime ndonëse ka qenë ëndërr shekullore e gjeneratave të tjera e ndoshta edhe e pamenduar që një ditë të bëhet. Por u bë dhe lufta e liria e sollën atë.
Rasti tragjik i vdekjes së të riut në Lipjan duhet shikuar në disa aspekte, dhe atë për faktin se:
Në aspektin ligjor e teknik është e obligueshme të bëhet përshkrimi - precizimi i veprimeve të secilit të pandehur sepse kështu Kodi i Procedurës Penale e kërkon subjektivizmin e veprimeve individuale sepse askush nuk mund të përgjigjet për veprimet e tjetrit, në të kundërtën gjykata e liron nga përgjegjësia penale, (dhe parimi In Dubio Pro Reo në nenin 3 të KPPRK-së).
Nga aq sa vërejmë veprimet e dala nga pamjet e videoinçizimeve rezulton se të njëjtat nuk përkojnë me cilësimin juridik momental për “vrasje nga pakujdesia”, nuk ka mundësi reale dhe faktike që pasoja të shkaktohet në kohë dhe vend të njejte nga veprimi i përnjëhershëm i pesë të pandehurve, sepse secili veprim është i ndryshëm nga tjetri. Kjo do të thotë që në fazat e mëvonshme ky cilësim nuk do të mund “të mbijetoj” për 5 të pandehurit”, u shpreh avokati për “Bota sot”.
Po ashtu, Selimaj potencoi se duhet të presim edhe rezultatet e ekspertizës ligjore, pasi nuk mund t’ia vulosim fajin dikujt, pa rezultate shkencore.
Ai përmendi faktin se në të kaluarën analizat shkencore kanë dhënë rezultate ndryshe nga ato se çka janë parë në radhë të parë.
“Kurse fjalën e fundit dhe të vërtetën më të përafërt e të sigurtë do ta thotë autopsia përmes ekspertimit mjekoligjor të Institutit përkates e cila për nga fuqia provuese në këto rrethana e ka cilësinë e “Regina Probationem” - “Mbretëresha e Provave”.
Madje ekspertët mjekoligjor e kanë mundësinë e përcaktimit se cili veprim ka qenë esencial në shkaktimin e pasojës (vdekjes), që do të thotë se ajo që shohim ne nuk mjafton që t’ja vulosim vulën e fajit dikujt nëse rezultatet shkencore nuk e thonë një gjë të tillë.
Shpeshherë në praktikë në kontekstin penal-juridik ndodh që një veprim ose mosveprim në opinion të cilësohet si i kundërligjshëm, e në fakt mbështetur në analizën shkencore rezulton që të mos jetë.
Ka ndodhur që për opinionin një vrasje ndoshta të duket edhe mizore, por në aspektin ligjor nuk ka rezultuar që të jetë e tillë”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, avokati kërkoi që të pritet rezultatet e ekspertistës mjekoligjore, të cilat do tregojnë saktë se nga çka ka ardhur vdekja dhe cilët faktorë kanë ndikuar në shkaktimin e vdekjes së personit.
Po ashtu, theksoi se nuk mund të ketë “vrasje nga pakujdësia” në bashkëkryerje prej pesë të pandehurve.
“Andaj i takon fushës së ekspertizës mjekoligjore që të përcaktoj se cili apo cilat veprime ja sollën vdekjen të riut, a ishte një veprim apo dy e më shumë veprime. Nëse janë disa veprime cili nga ai veprim luajti rol esencial në raport apo krahasim me veprimet tjera për t’ja shkaktuar vdekjen personit. Veprimi fillestar apo i hershëm, veprimi në kohë të mesme apo në kohë të mëvonshme.
Për këtë shkak nuk mund të ketë vepër penale “vrasje nga pakujdësia” në bashkëkryerje për pesë të pandehurit.
Prandaj profesionistët duhet që për një çast t’i lënë anash emocionet, dhe të shohin faktet dhe situatën reale drejtë”, përmbylli Meshari Selimaj./BS