Tahiraj: 46 tentime të dështuara – një teatër i turpit në emër të popullit

Politika

Tahiraj: 46 tentime të dështuara – një teatër i turpit në emër të popullit

Nga: A.SH Më: 13 korrik 2025 Në ora: 14:39
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Edhe përpjekja e 46-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, duke zgjatur më tej bllokadën institucionale që ka mbërthyer vendin prej javësh. Pavarësisht thirrjeve publike për zgjidhje dhe presionit të opinionit qytetar, deputetët sërish nuk arritën të formojnë organet udhëheqëse të Kuvendit.

Ky proces tashmë për shumëkënd është shndërruar në simbol të mosfunksionimit demokratik dhe mungesës së vullnetit politik.

Ndërkohë, qytetarët po humbin gjithnjë e më shumë besimin në përfaqësuesit e tyre, teksa kriza rrezikon të dëmtojë jo vetëm stabilitetin politik, por edhe funksionimin e institucioneve të tjera shtetërore.

Veprimtari Saim Tahiraj në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pas 46 tentimeve të dështuara për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, situata është kthyer në një teatër të turpit politik.

Ai thotë se deputetët kanë zhgënjyer rëndë qytetarët, duke treguar mungesë dinjiteti e përfaqësimi.

Sipas tij, kryesuesi i seancave shihet si simbol i kësaj krize, ndërsa populli hesht. Ky është një apel për ndërgjegjësim: demokracia kërkon jo vetëm votë, por edhe përgjegjësi dhe veprim qytetar.

“Edhe sot, pas 46 tentimeve të dështuara për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, qytetarët u bënë sërish dëshmitarë të një loje monotone dhe të gërrditshme politike. Ajo që po ndodh në sallën e Kuvendit nuk mund të quhet më proces demokratik, por një teatër i turpit, ku aktorët — të ashtuquajturit deputetë — e kanë shndërruar institucionin më të lartë përfaqësues në një dramë tragji-komike pa fund.

Në 46 “akte” të kësaj shfaqjeje absurde, ata që duhet të ishin zëri i popullit kanë treguar vetëm lakuriqësinë e tyre politike, mungesën e dinjitetit dhe turpin e humbur. Fatkeqësisht, figura më e pavlerë dhe më e urryer është shndërruar vetë kryesuesi i seancave – një despot institucional, i cili e ka uzurpuar tempullin e demokracisë për lojëra personale dhe politike, ndërsa askush nuk guxon t’ia ndalë këtë rrugë të rrezikshme”, thotë Tahiraj.

Më tej, Tahiraj pyet: ku është populli përballë kësaj farse? Heshtja jonë është bashkëfajësi.

Ai shprehet se nëse deputetët janë zgjedhur prej nesh, atëherë përgjegjësia është edhe mbi ne. Demokracia nuk mbaron me votë – kërkon zë, veprim dhe llogaridhënie. Koha për të reaguar është tani.

“Por pyetja më e rëndësishme sot është: Ku është populli? Pse heshtim? A kemi aq pak besim saqë e kemi pranuar këtë shfaqje si “normalitet”? Apo ndoshta vlen ajo maksimë e dhimbshme: “Si populli, ashtu edhe kuvendi”? Nëse këta janë produkt i votës sonë, atëherë kemi përgjegjësi të dyfishtë: jo vetëm për atë që po bëhet në emrin tonë, por edhe për heshtjen tonë përballë kësaj farse.

Mbase nuk meritojmë më mirë – sepse nuk po e kërkojmë. Por ende ka kohë. Demokracia nuk është vetëm e drejtë për të votuar, por edhe për të kërkuar llogari. Dhe kjo është koha për të kërkuar përgjegjësi, për të mos heshtur më, dhe për të mos lejuar që tempulli i demokracisë të mbetet peng i një pakice që nuk përfaqëson askënd” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat