‘Përplasja’ Grenell–Osmani për deklaratën e Trumpit - prapaskenat që ndezën debatin

Politika

‘Përplasja’ Grenell–Osmani për deklaratën e Trumpit - prapaskenat që ndezën debatin

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 15 korrik 2025 Në ora: 08:01
Richard Grenell

Pretendimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, kanë tërhequr vëmendje, por edhe kanë krijuar konfuzion.

E për këtë deklaratë të presidentit amerikan ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila bëri të ditur se ka "informacione të besueshme" se Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

"Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit", tha presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por "për zhvillime shumë, shumë të vona".

E në mes të shumë deklaratave për këtë temë, ajo që mori vëmendje më të madhe dhe nxiti debat, ishte deklarata e Richard Grenell, të dërguarit tq presidentit amerikan për Misione të Posaçme.

Grenell e kritikoi presidenten Osmani, për siç ka thënë, “manipulimin e fjalëve” të presidentit amerikan, Donald Trump.

Ai i është referuar një deklarate të Osmanit, të bërë më herët gjatë javës në Uashington, përgjatë së cilës i ka konfirmuar deklaratat e presidentit Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë më 2019 dhe 2020 përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit në Zyrën Ovale. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi që ka pasur diçka të re është absurde”, ka thënë Grenell përmes një postimi në X.

Kjo deklaratë nxiti reagim të menjëhershëm, këshilltari për media i presidentes, Vjosa Osmani – Bekim Kupina, njoftoi se ajo do të mbajë një konferencë për media lidhur me deklaratat e fundit të emisarit amerikan Richard Grenell, menjëherë pas kthimit të saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo, pse ky ‘sulm’ i Grenellit ndaj Osmanit, dhe se çka tregojnë këto deklarata, folën analistët politikë për “Bota sot”.

Qarri: Grenell po manipulon në vazhdimësi!

Fillimisht, analisti politik, Gani Qarri tha se ky reagimi i Grenellit, erdhi pasi frikës së këtij të fundit që Kosova mund të bëhet pjesë e NATO-s, pa i bërë koncesione paraprakisht shtetit serb.

Image
Gani Qarri

“Insistimet e presidemtes Dr. Vjosa Osmani dhe vendosmëria e shprehur edhe në ligjëratën e mbajtur në Universitetin prestigjioz Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm i domosdoshëm, por edhe i mundur – nëse në skenën ndërkombëtare ekziston vullneti i duhur politik, duke përmendur emrat e presidentit amerikan Donald Trump dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dy figurat kryesore që mund të ndikojnë në përshpejtimin e antarësimit të Kosovës në NATO, frika se Kosova mund të bëhet pjesë e NATO-s, pa i bërë koncesione paraprakisht Serrbisë, shkaktoi reagime të papritura edhe nga Grenell”.

Në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, Qarri akuzoi Grenellin për afërsi me ngjashmëri të deklaratave me politikanë serb.

“Madje ky fakt bëhet edhe më interesant, kur shohim se reagimit të Grenellit, gati njëkohësisht i është bashkuar edhe Gjuriq, i cili jo vetëm se nuk e la të vetëm Grenell, por reagim pothuajse të njejtë bëri edhe ministri i jashtëm i Serbisë, duke shkuar deri atje, sa të deklarojë pa fije turpi, se kinse vizioni i Presidentit Trump është edhe vizioni i Serbisë, sikur të ishte i pajtimit edhe Presidenti Trump, që Serbia ta sulomojë ushtarakisht Kosovën, e që në fakt, Trump thotë se e ka, parandaluar një sulm të tillë”, u shpreh ai.

Po ashtu, tha se këtë deklaratë të emisarit amerikan, po e përdorin disa kundërshtarë të presidentes Osmani për manipulime politike dhe dezinformim të publikut.

“Presidenja Dr. Vjosa Osmani në deklaratën e saj, ka theksuar se Trump ka ndihmuar në parandalimin e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Kosovë nga Serbia lidhur me deklareatat aktuale të presidentit Trump, duke iu referuar zhvillimeve të fundit dhe jo vitit 2020, ndaj dhe habit përmbajtja e deklaratave Grenell-Gjuriq, sikur ato të jenë parapërgatitur nga e njëjhta dorë dezinformuese, si BIA- apo kuzhina e specializuar e Serrbisë, për manipulime politike dhe fabrikimin e dezinformatave, për opinionin publik dhe polik ndërkombëtar. Më e keqja qëndron në atë, se në gjithë këtë hallakam spekulative, nga disa media dhe segmente e individë të politikës vendore po u ipet shumë hapësirë manipulimeve serbe dhe pretendimeve të keqinterpretuara të ish emisarit Grenell, për manipulime politike, të opozitarëve në Kosovë”, shtjelloi ai.

Tutje, analisti beson se Osmani nuk ka manipuluar me deklaratat e presidentit Trump, madje tha se paralajmërimi për konferencë për media vjen si pasojë e akuzave të pabaza të Grenell, të cilat dëshiron ajo t’i qartësojë më në detaje.

“Të gjithë e dimë se Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani nuk ka manipuluar me asgjë, madje as me deklaratat e z. Trump dhe ai që po manipulon në vazhdimësi është vet emisari pro serb, kurse Dr. Vjosa Osmani vetëm sa ka vërtetuar fjalët e presidentit të SHBA-ve të thëna para pak ditësh në mënyrë të përsëritur për rrezikun e sulmit ushtarak të Serbisë kundër shtetit të Kosovës. Për aq më tepër, manipulimet e Grenellit, kanë bërë që Presidentja e Republikës së Kosovës, të deklarojë se do të mbajë edhe një konferencë për media, për të sqaruar në mënyrë publike deklaratat e fundit, fatmirësisht të ish emisarit amerikan Richard Grenell, menjëherë pas kthimit të saj në Kosovë nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reagimi i presidentes vjen pas deklaratve të Grenell-it, i cili duke qenë se është lënë, jashtë zhvillimeve në çështjen Kosovë-Serbi, po përpiqet me çdo mënyrë të imponohet, si faktor determinues, pa qenë fare i tillë, ai madje shkon deri atje sa ta akuzojë pa asnjë argument Dr. Vjosa Osmanin, kinse për “manipulim të fjalëve” të ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke u marrë vet me kalkulime të ulëta manipuluese, me shpresën se do dal diçka për te, nga e gjithë kjo fjalamani e pa bazuar akuzuese. Siç jemi të informuar ne në Kosovë dhe mbarë opinioni ndërkombëtar, presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, nuk ka shtuar asgjë të re dhe vetëm sa ka, konfirmuar deklarimet që presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë kohëve të fundit, se ai ka parandaluar një sulm të Kosovës nga Serbia duke theksuar në mënyrë plotësisht të qartë, se nuk po flasim për vitin 2020, apo 2023, por për zhvillimet aktuale, pra bëhet fjalët për diçka të kohëve të fundit ku Presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm së fundi, gjë që nuk e ka thën presidentja Dr. Vjosa Osmani por vet presidenti i SHBA-ve Donald Trump”.

Krahas kësaj, Qarri u shpreh i lumtur që Grenell nuk ka asnjë rol me rëndësi të madhe nga administrate shtetërore, ku edhe për këtë shkak dëshiro të përfshihet në çdo formë në çështjet Kosovë-Serbi, përmes deklaratave të tilla.

“Duke qenë se Grenell fatmirësisht nuk ka asnjë rol apo përgjegjësi nga administrata shtetërore amerikane, me shpresën se do të involvohet në çfarëdo forme, në çështjet diskutabile ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për ti shërbyer në çfarëdo forme të mundshme Serbisë dhe Vuçiqit, për të vjeluar edhe më tej, ndonjë dinar serb, për shërbimet e tij ndaj Serbisë, me veprime meskine kundër Kosovës, ai po bëhet gjithnjë e më agresiv, duke reaguar me nervozitet të papërmbajtur, me shpresën se një ditë, do të përfshihet në çështjet e Kosovës, gjë që Qeveria dhe Presidenca e Republikës së Kosovës, duhet të bëjnë ç`mos përmes sekretarit Rubio dhe lidhjeve të mërgatës shqiptare në SHBA, që Grenell në asnjë mënyrë të mos jetë pjesë e misionit amerikan për Kosovën, as të mos ket ndikim në çështjet e ndjeshme Kosovë –Serbi”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Nuk është për t’u marrë seriozisht Grenelli

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti tjetër, Faton Mehmeti konsideron se Grenell dhe deklaratat e tij nuk duhet të merren shumë seriozisht, pasi janë personale dhe lidhen me inatet që ka me Kurtin dhe Osmanin.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se, Grenell është i dëshpëruar pse nuk mori ndonjë post të rëndësishëm në administratën amerikane.

“Nuk është për t’u marrë seriozisht Grenelli dhe deklaratat e tij, duket njeri i mposhtur nga urretja që ka ndaj Kurtit dhe presidentes Osmani. Duke qenë pro serb, Trump nuk e emëroi të deleguar të SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, tani i vetmuar dhe pa ndonjë post të rëndësishëm në administratën e z.Trump, Richard Grenell është i dëshpëruar. Në këtë kuptim kundërshton çdo deklaratë të Kurtit dhe Osmanit, dhe si rrjedhojë edhe kur ato i ka thënë i pari vet presidenti Trump”.

Ndër të tjera, tha se presidentja duhet ta injorojë atë dhe në konferencë të argumentojë deklaratat e saj për sulmet e Serbisë ndaj Kosovës.

“Po te isha në vend të zonjës Osmani do e injoroja Grenellin, nuk meriton ai njeri t'i kushtohet kaq shumë rëndësi, përderisa nuk përfaqëson askënd, përveç inatit dhe mllefit të tij. Me pak fjalë, presidentja Osmani në këtë konferencë pritet të argumentojë mendimet e saj për sulmet e Serbisë ndaj Kosovës, e të cilat falë SHBA-së u anuluan”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat