Juristët komentojnë vendimin e Gjykatës Supreme - kërkojnë reflektim institucional!

Politika

 Juristët komentojnë vendimin e Gjykatës Supreme - kërkojnë reflektim institucional!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 korrik 2025 Në ora: 10:01
Stema e Gjykatës Supreme të Kosovës.

 

Gjykata Supreme e Kosovës të martën ka nxjerrë një vendim që e cilëson si të kundërligjshme nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që njëkohësisht janë edhe deputetë të Kuvendit.

Sipas Supremes, ky veprim bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.

Supremja e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë, ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte miratuar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit.

“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, tha Supremja.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të ashpra nga Qeveria në detyrë, e cila e ka konsideruar atë si ndërhyrje të paprecedentë në kompetencat ekzekutive.

“Neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është Udhëzimi Administrativ në fjalë”, tha Qeveria në detyrë.

E të gjendur përballë këtij vendimi a krijon ky rast një precedent të rëndësishëm për kontrollin kushtetues të veprimeve të ministrave-deputetë?

Burjani: Kur ligji shkelet ose veprohet në kundërshtim me të, Gjykata ka të drejtë të shfuqizojë çdo akt

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai thotë se Gjykata ka të drejtë të shfuqizojë çdo akt të paligjshëm të një ministri, veçanërisht kur ai mban poste të dyfishta dhe veprimtaria e tij mund të ketë pasoja penale.

Image
Blerim Burjani

“Jo, ky udhëzim është nxjerrë nga një ministër i cili ka vepruar në kundërshtim me ligjin, gjë që mund të përmbajë edhe elemente penale. Pushtetet në një shtet demokratik janë të ndara, por kur ligji shkelet ose veprohet në kundërshtim me të, Gjykata ka të drejtë të shfuqizojë çdo akt, përfshirë edhe udhëzimet administrative. Edhe pse këto akte burojnë nga një pushtet tjetër, nëse përmbajnë vepra penale ose përbëjnë konflikt interesi, ato mund të shpallen të pavlefshme. Në këto raste, i hapet rruga ndërhyrjes së Prokurorisë”, u shpreh ai.

Ndër të tjera juristi thekson që aktet ligjore të nënshkruara nga persona me poste të dyfishta janë të pavlefshme dhe mund të kenë pasoja penale, ndaj duhet të firmosen nga zëvendësit e tyre për të respektuar ligjin.

“Këto akte ligjore duhet të nënshkruhen nga persona që nuk mbajnë poste të dyfishta, si p.sh. njëkohësisht deputet dhe ministër apo kryeministër. Nënshkrimi duhet të bëhet nga zëvendësit e tyre. Në të kundërtën, aktet mund të hidhen poshtë dhe të trajtohen si vepra penale.

Së dyti, ky vendim nuk përbën precedent, por përfaqëson një zbatim efektiv të ligjeve në fuqi”, u shpreh Burjani për “Bota sot”.

Bajraktari: Shpresoj për reflektim, në drejtim të kuptuarit të qartë të kësaj situate

Image
Ardian Bajraktari

Ndërsa, avokati Ardian Bajraktari në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që mbajtja njëkohësisht e funksionit të deputetit dhe ministrit është e ndaluar, dhe këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata, ndaj pritet reflektim dhe veprim konkret nga subjektet politike për të respektuar rendin kushtetues.

“E kemi thënë, se është në papajtueshmëri rrjedhimisht e ndaluar, ushtrimi njëkohësisht i funksionit të deputetit me funksione të tjera, përfshirë edhe anëtar i qeverisë, këtë thashë e konfirmoi edhe Gjykata.

Shpresoj për reflektim, në drejtim të kuptuarit të qartë të kësaj situate, veçmas subjekti më i madh politik me ndërmarrë hapa konkret në drejtim të themelimit të institucioneve”, thotë ai.

Në fund, avokati nënvizon që vendimet e Gjykatës duhet të zbatohen.

“Vendimet e gjykata duhet të zbatohen. Sulmet dhe etiketimet në adresë të sistemit të drejtësisë janë ta papranueshme të njëjtat duhet të ndalen sa më parë, ngase e minojnë tej mase besimin e publikut në drejtësi”, përfundoi avokati Bajraktari për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat