Shteti i Kosovës po vazhdon goditjen ndaj rrjeteve të spiunazhit. Zyrtari policor Bojan Jevtiq, i cili mbante njëkohësisht pozitën e zëvendëskomandantit dhe shefit të operativës në një prej strukturave të policisë në pjesën veriore të Kosovës, është arrestuar nën dyshimet për përfshirje në veprimtari spiunazhi.
Këtë e bëri të ditur vetë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili deklaroi se “po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë”.
“Pas një hetimi të gjatë nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, sot është arrestuar zyrtari policor Bojan Jevtiq, nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë. Ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë. Njëri nga të dyshuarit tashmë e ka pranuar fajësinë, duke konfirmuar seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës”, shkroi ndër të tjera ministri Sveçla.
Kurse Prokuroria dhe Inspektorati Policor kanë bërë të ditur se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, USB, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë [17.072 euro], 600 franga zvicerane dhe prova të tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
E sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor. E gjatë ditës së sotme Gjykata ka vendosur një muaj paraburgim për policin e dyshuar për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje për Jetiq.
Analistë dhe njohës të sigurisë, për “Bota sot”, thonë se arrestimet e fundit nga Policia e Kosovës për spiunazh janë një zhvillim shumë serioz dhe tregues i një sfide të madhe për sigurinë kombëtare.
Sipas tyre, të arrestuarit — sipas informacioneve publike — kanë pasur pozita kyçe, sidomos në strukturat e sigurisë në veri të vendit, gjë që e bën edhe më shqetësues rastin. Kjo tregon se ndikimi dhe infiltrimi nga Serbia nuk është spekulim, por realitet.
Kosova t’i nënshtrohet vetting-ut
Analisti Zejnullah Jakupi thotë se Serbia ka synuar të mbajë kontroll të fshehtë mbi zhvillimet në veri të Kosovës përmes spiunëve të saj të vendosur nëpër pozita kyçe, siç është rasti me Jevtiqin.
“Fakti që të arrestuarit kanë qenë në pozita të ndjeshme brenda Policisë së Kosovës, sidomos në veri, është dëshmi se Serbia ka synuar të mbajë kontroll të fshehtë mbi zhvillimet në atë zonë, e cila është e ndjeshme politikisht dhe etnikisht. Kjo do të thotë që Serbia, përmes agjentëve të infiltruar, mund të ketë pasur qasje në informata operative, planet policore dhe strategjitë institucionale të Kosovës — dhe kjo ka pasoja serioze për sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit”, shprehet Jakupi për “Bota sot”.
Ai thotë se edhe ky arrestim është një dëshmi për ndikimin e thellë të Serbisë në Kosovë.
“Po. Këto arrestime janë dëshmi e qartë se Serbia ka qenë e informuar në kohë reale për zhvillimet në veri përmes individëve brenda institucioneve të Kosovës. Nuk është rastësi që arrestimet ndodhin në një kohë kur tensionet me Serbinë janë të larta dhe kur institucionet kosovare kanë rritur presionin ndaj strukturave ilegale serbe në veri”, nënvizon Jakupi.
“Është e pamundur të jepet një numër i saktë, por deklaratat e mëhershme nga zyrtarë të sigurisë dhe të inteligjencës në Kosovë e kanë përmendur shpesh mundësinë që qindra persona të kenë lidhje direkte ose të tërthorta me shërbimet e inteligjencës serbe (BIA). Kjo përfshin individë në polici, gjyqësor, administratë civile, madje edhe në politikë”, shton Jakupi.
Por a duhet që Kosova t’i nënshtrohet një vetting-u të plotë?
“Po, absolutisht. Këto arrestime tregojnë nevojën urgjente për një proces të thellë vettingu, jo vetëm në polici, por në të gjitha institucionet shtetërore — sidomos ato që kanë të bëjnë me sigurinë, drejtësinë dhe inteligjencën. Vettingu duhet të përfshijë: kontroll të pasurisë, kontakteve dhe lidhjeve të dyshimta me struktura të huaja; verifikim të besueshmërisë profesionale dhe personale; hetim për ndikime të huaja dhe bashkëpunim me shërbime të huaja inteligjente”, thekson Jakupi.
Për fund, ai thotë se nëse ky proces nuk fillon, rreziku i spiunimit dhe sabotimit të brendshëm do të mbetet i pranishëm dhe do ta minojë çdo përpjekje për forcimin e shtetit.
“Në përmbledhje, këto arrestime janë një zgjim i vonuar, por i domosdoshëm, për institucionet e Kosovës që të ndërmarrin masa të thella strukturore për të pastruar institucionet nga ndikimet e huaja dhe për të rikthyer besimin në sigurinë e brendshme të shtetit”, përfundon analisti Zejnullah Jakupi.
Rrjeti i spiunazhit serb në Kosovë
Kurse njohësi i sigurisë, Xhevat Meha, shprehet se Kosova vazhdon të jetë e mbushur me spiunë serb, pavarësisht se deri më tani kemi gjashtë persona të arrestuar për spiunazh.
“Deri tani kemi disa raste të arrestimeve të individëve për angazhime në spiunazh në të mirë të Serbisë. Dhe deri tani shumica janë serbë të Kosovës, vetëm dy shqiptarë. Kjo punë nga institucionet ligjzbatuese është shumë e mirëseardhur. Qytetarët duhet të jenë të informuar se kjo punë është vetëm fillimi. Ka shumë individë, dhe atë shumica shqiptarë, që punojnë për interesin e Serbisë. Në vitin 2013, në Bruksel, është raportuar shifra prej 720 spiunësh të Serbisë në Kosovë”, deklaron Meha.
Më tej, ai thotë se rrjeti i spiunazhit serb përfshin shumë institucione në Kosovë.
“Në hulumtimet dhe analizat që kam bërë, më del se veprimtaria e fshehtë e Serbisë në Kosovë është e organizuar në formë rrjeti, por që funksionon si strukturë me degë dhe me nivele hierarkike. Shtrirja e këtij rrjeti më del se përfshin të gjitha institucionet e Kosovës, e mbi të gjitha ka shtrirje të fuqishme në të gjitha partitë politike”, nënvizon Meha.
“Ky rrjet ka arritur të krijojë gjendjen në Kosovë ku tani e ke të vështirë të gjesh të ri apo të re që me dëshirë projekton të ndërtojë të ardhmen në Kosovë. Është jetike për Kosovën që të pastrohen institucionet e saj nga individët e përfshirë në veprimtarinë e këtij rrjeti. Sidomos jetike është pastrimi i partive politike”, shton Meha.
Për fund, Meha thotë se AKI ka njohuri dhe të dhëna për veprimtarinë e individëve të përfshirë në këtë rrjet.
“Mjafton që të kërkohet nga AKI certifikata e pastërtisë kombëtare për pjesëtarët e institucioneve. Për të filluar një pastrim të tillë, duhet vullnet politik. Ky është fakti që e bën edhe më jetike nevojën për pastrimin e partive politike”, përfundon njohësi i sigurisë, Xhevat Meha.