Lladrovci dhe përçarjet në PDK – çfarë pritet në zgjedhjet e 12 tetorit?

Politika

Lladrovci dhe përçarjet në PDK – çfarë pritet në zgjedhjet e 12 tetorit?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 30 korrik 2025 Në ora: 13:56
Lushtaku, Lladrovci

Në një periudhë kur po i afrohemi zgjedhjeve lokale në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po prezanton kandidatë të rinj për kryetarë komunash, duke sfiduar balancat e mëparshme brenda partisë dhe duke synuar rifreskimin e lidershipit lokal.

Në këtë kontekst, zëvendësimi i Ramiz Lladrovcit me Petrit Hajdarin në Drenas është një nga lëvizjet më të komentuara.

Pasi u konfirmua si kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit, Hajdari reagoi përmes një postimi në Facebook, ku falënderoi kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe kryesinë e partisë.

Po ashtu, Hajdari ka thënë se PDK-ja e ka dëgjuar zërin e qytetarëve.

“Drenasi është adresa jonë e përbashkët dhe e vetmja. Gjithmonë ka pasur, ka dhe do të ketë gra e burra që iu përgjigjen thirrjeve për ta bërë vendin tonë më të jetueshëm. Drenasi iu është përgjigjur thirrjeve për revoltë, thirrjes së UÇK-së për luftë, thirrjes së PDK-së për shtetndërtim dhe do t’i përgjigjet edhe thirrjes së sotme për për bashkim. Për bashkim rreth vlerave të PDK-së sonë, asaj që është porosi e shenjtë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Drenasi do të jetojë më mirë sepse këtë do ta mundësojmë ne, të gjithë ne bashkërisht.

Fitorja jonë është e sigurt dhe angazhimi do të jetë maksimal.

Nuk kemi shtëpi të dytë. Drenasin e kemi të shenjtë. Ndaj të gjithëve, pavarësisht bindjeve, shtrij dorën e bashkëpunimit: Drenasi kushton më shumë se egot e kujtdo. E ardhmja e fëmijëve tanë është ajo që duhet të na bashkojë,” ka shkruar Hajdari në Facebook.                   

Pas tij ka reaguar edhe kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili thekson se nuk është rrëzuar kurrë në karrierën e tij.

Në një postim në Facebook, ai ka nënvizuar se qytetarët e Drenasit do të kenë fjalën e fundit dhe ka inkurajuar vazhdimin e përpjekjeve së bashku:

“Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh prej me shumë se katër dekadash e di këtë.

Respekt për votat pro dhe kundër në selinë e PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre.

Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit. Bashkë, vazhdojmë, +4!” ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Por, këto nominime të reja a  mund të shkaktojnë pakënaqësi tek mbështetësit ose funksionarët e partisë?

Haziri: Përçarje e mundshme në PDK-Drenas, por jo rrezik për fitoren e Hajdarit

Lidhur me këtë çështje, analisti politik Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota Sot”, ka përkrahur idenë që PDK të sjellë figura të reja për kryetarë në komunat e Drenasit dhe Skenderajt.

Image
Nexhat Haziri

 “Që në fillim, unë kam përkrahur idenë që PDK, për këto dy komuna – pra, për Drenasin dhe Skenderajn – të sjellë alternativa të reja, pra njerëz të rinj si kandidatë për kryetarë të komunave në rajonin e Drenicës, ku edhe vlerësohet të jetë rezervuar votash për këtë subjekt politik.

Tutje, ai e ka kritikuar faktin që vetëm Lladrovci nuk u rikandidua në Drenas, ndërsa Lushtaku u rikthye si kandidat në Skenderaj.

 “Por, në këtë rast u godit vetëm Ramiz Lladrovci, i cili nuk u rikandidua për edhe një mandat si kryetar i Drenasit, ndërsa në anën tjetër u riciklua sërish Sami Lushtaku si kandidat për kryetar të komunës së Skenderajt në zgjedhjet lokale të vjeshtës së sivjetme.

Me këtë veprim të PDK-së, kuptohet fuqia e madhe e ndikimit që ka Sami Lushtaku në këtë parti, dhe po ashtu tashmë mund të themi se ky person, të cilin unë e quaj edhe si “Zani Çaushi i Drenicës”, do të ketë ndikim edhe në Drenas – pra, do të jetë një lloj sunduesi edhe në këtë komunë, gjë që nuk e kishte për aq kohë sa ishte kryetar Ramiz Lladrovci”, ka potencuar Haziri.

Gjithashtu, ai ka thënë se kjo situatë mund të sjellë përçarje brenda PDK-së në Drenas, por nuk do t`i rrezikohet fitorja Hajdarit.

“Kjo situatë mund të prodhojë një lloj përçarjeje brenda PDK-së në Drenas, por jo në masën sa t’i rrezikohet fitorja Petrit Hajdarit në këtë komunë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Mbase do të duhet të presim për të parë se cilat do të jenë lëvizjet e z. Lladrovcit në raport me kandidimin e tij për zgjedhjet lokale në Drenas”, ka deklaruar Haziri.

Vlerësimi i kandidatëve të rinj

Ndërkaq, analisti Zejnullah Jakupi ka sugjeruar që vlerësimi i kandidatëve të rinj për kryetarë komunash nga PDK-ja duhet të shqyrtohet në disa nivele.

“Vlerësimi i kandidatëve të rinj për kryetarë të komunave nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duhet të shihet në disa nivele – si në aspektin e reformimit të partisë, ashtu edhe në ndikimin që mund të ketë në terren dhe brenda vetë partisë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, PDK po synon të rifreskojë imazhin e saj.

Image
Zejnullah Jakupi

“PDK, me vendimin për të promovuar figura të reja, po përpiqet të rifreskojë imazhin e saj dhe të ristrukturohet si një parti më moderne dhe më afër votuesve të rinj. Kjo është një përpjekje për t’u shkëputur nga disa figura të vjetra që janë identifikuar me probleme të korrupsionit ose me politikën e pasluftës që sot është më pak popullore. Në teori, kjo mund të jetë një strategji pozitive për afatgjatë, nëse kandidatët e rinj janë të aftë, të ndershëm dhe me mbështetje reale lokale”, ka cilësuar ai.

Zëvendësimi i Ramiz Lladrovcit me Petrit Hajdarin në Drenas

Po ashtu, Jakupi e ka cilësuar zëvendësimin e Ramiz Lladrovcit me Petrit Hajdarin në Drenas si një zhvillim domethënës për PDK-në.

Sipas tij, ky vendim mbart rrezikun e ndarjeve të brendshme dhe të një kandidature të mundshme të pavarur nga ana e Lladrovcit ose përkrahësve të tij.

“Ky është një zhvillim shumë domethënës. Ramiz Lladrovci është një figurë e fortë dhe kontroverse në Drenas – ka pasur ndikim të madh në parti dhe në komunë për vite me radhë, por njëkohësisht ka qenë edhe burim kritikash për arrogancë politike dhe mënyrën e menaxhimit të pushtetit lokal.Zëvendësimi i tij me Petrit Hajdarin (i cili paraqitet si një figurë më e re, më e butë dhe potencialisht më e pranueshme për publikun më të gjerë) sinjalizon disa gjëra:

Sinjal për ndryshim: PDK po përpiqet t’i tregojë elektoratit se është e gatshme të ndryshojë dhe të largojë figurat që mund të konsiderohen barrë.

Rrezik për ndarje: Lladrovci ka ndjekës besnikë dhe ndikim lokal – përjashtimi i tij mund të sjellë përçarje lokale ose edhe krijimin e ndonjë kandidature alternative të pavarur që i merr votat PDK-së”, ka shtuar ai.

Më tej, Jakupi ka paralajmëruar se nominimet e reja në PDK mund të rrisin përçarjet brenda partisë.

Ai ka nënvizuar se suksesi i kandidatëve të rinj si Hajdari varet nga mbështetja lokale dhe menaxhimi i mirë i tensioneve të brendshme.

“A mund të përçahet më shumë PDK me këto nominime?

Po, ekziston rreziku real që nominimet e reja të sjellin përçarje:

Brenda strukturave: Figura të vjetra që ndihen të anashkaluara mund të sabotojnë fushatën ose të ndikojnë që baza e vjetër të mos dalë në votime.

Në opinionin publik: Nëse votuesit e perceptojnë ndryshimet si të pavendosura ose si tentativa për "kozmetikë politike", pa thelb të reformës, mund të ketë humbje të mëtejshme besimi.

Fraksione të brendshme: Nëse nuk menaxhohen me kujdes, nominimet e reja mund të shfaqin ndarje ideologjike ose të interesit brenda partisë.

PDK është në një pikë kritike ku duhet të balancojë reformën e brendshme me ruajtjen e unitetit. Emra të rinj si Petrit Hajdari mund të sjellin energji të re, por suksesi i tyre do të varet nga mbështetja reale që arrijnë të sigurojnë, mënyra si ndërtojnë komunikimin me qytetarët dhe si menaxhohen tensionet e brendshme. Nëse ky proces shihet si i imponuar apo i mbështetur vetëm nga qendra pa konsultime lokale, atëherë ekziston rreziku real për fragmentim dhe për humbje të mëtejshme në terren”, ka përfunduar Jakupi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat