Kosova në vëmendjen e Pentagonit – eksperti zbërthen prapaskenat e vizitës së zyrtarit amerikan dhe mesazhin e SHBA

Politika

Kosova në vëmendjen e Pentagonit – eksperti zbërthen prapaskenat e vizitës së zyrtarit amerikan dhe mesazhin e SHBA

Nga: A.M. Më: 3 gusht 2025 Në ora: 12:00
Foto nga takimi

Zyrtarë të lartë të Kosovës, presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, janë takuar të shtunën me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, dhe i kanë shprehur gatishmëri për forcim bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

Kjo ishte vizita e parë e Bakerit në Kosovë dhe si e tillë u prit mjaft mirë.

E për rëndësinë e kësaj vizite, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli.

Fillimisht, tha se kjo vizitë e zyrtarit amerikan ka një rëndësi të madh në stabilitetin dhe sigurinë e vendit.

Po ashtu, potencoi se është konfirmim i fokusit të politikës amerikën në prespektivën e Kosovës.

Image
Lutfi Bilalli.

“Sigurisht që vizitat e diplomatëve amerikanë, e në veçanti vizitat e delegacioneve ushtarake amerikane në Kosovë, shprehin interesimin që SHBA-të kanë për rajonin e Ballkanit, ku Kosova ka peshën dhe rëndësinë e saj në stabilitetin dhe sigurinë në këtë pjesë me interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike për akterët globalë. Në këtë frymë, edhe vizita e Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, në Kosovë dhe takimet me presidenten Osmani, kryeministrin në detyrë Kurti, ministrin e Mbrojtjes në detyrë Maqedonci, shprehin fokusin dhe interesimin e politikës amerikane në raport me sigurinë dhe përkrahjen e SHBA-ve për perspektivën euroatlantike të Kosovës”, nënvizoi eksperti.

Krahas kësaj, Bilalli konsideron se vizita e Baker ishte pjesë e agjendës së SHBA për forcimin e bashkëpunimit me shtetet e Ballkanit.

“Duhet rikujtuar se Zëvendësndihmës Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së për Politikën Evropiane dhe të NATO-s, David Baker, qëndroi dy ditë në Beograd dhe të shtunën mbërriti në Kosovë. Vizita e David Baker në rajon duhet kuptuar si pjesë e një agjende që paraqet interesimin e SHBA-ve për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.

Ndër të tjera, eksperti përmendi dy temat kyçe që diskutoi zyrtari amerikan me liderët shtetëror.

“Mendoj që Zëvendësndihmës Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, në bashkëbisedim me krerët e shtetit në Kosovë, por edhe në Serbi, në fokus, me sa duket, kishte këto dy tema:

a) Siguria në rajon dhe bashkëpunimi ushtarak (shkëmbimi i informacioneve të rëndësisë së veçantë me ushtrinë amerikane)

b) Raportet Kosovë–Serbi (dialogu)”, përfundoi Lutfi Bilalli për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat