Mosvotimi i Dimal Bashës: Opozita po aq pa numra sa VV-ja

Politika

Mosvotimi i Dimal Bashës: Opozita po aq pa numra sa VV-ja

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 gusht 2025 Në ora: 10:00
Kuvendi i Kosovës

 “Kemi qëndruar me dinjitet e konstruktivitet në këtë periudhë, duke e vendosur interesin qytetar dhe shtetëror mbi të gjitha. Kemi qenë të vendosur që të ndryshojmë kahjen e gabuar në të cilën e ka futur vendin Qeveria në ikje, përmes krijimit të Qeverisë së re me partitë e opozitës së kaluar, me Bedri Hamzën Kryeministër. Por, po aq me vendosmëri, e themi edhe sot: nuk do të votojmë asnjë kandidat për Kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, sepse besojmë që Kosova nuk mund të ecë përpara me ata që e kthyen mbrapa.  Ne nuk jemi këtu për të ndihmuar riciklimin e kapitullit më të dështuar politik të shtetit tonë. Ne jemi këtu për të shkruar një kapitull të ri”, kjo është njëra nga deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bërë gjatë kohës së tentimeve që Albulena Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit.

Pas vendimit të kushtetueses dhe fillimit të fazës së “dytë” si përpjekje për konsistuimin e kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje propozoi edhe emrin e zv.kryeministres dhe ministres së punëve të jashtme, Donika Gërvallën, për kryetare të Kuvendit, ndërsa PDK përsëriti qëndrim të njëjtë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës konstituive deklaroi se ata nuk do të votojnë asnjë kandidat për kryetar Kuvendi që ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti.

Ai madje theksoi se është e drejtë e Vetëvendosjes të propozojë cilindo emër, por është obligim i tyre të propozojnë një kandidat që i ka votat për t’u zgjedhur.

Sipas Krasniqit PDK është e gatshme të mbështesë një kandidat të pranueshëm që nuk ka qenë ministër në qeverinë e kaluar dhe nëse kjo do të ishte bërë sot Kuvendi mund të kishte zgjedhur kryesinë e tij.

Ai përfundoi duke thënë se VV duhet të reflektojë dhe të propozojë një zgjidhje reale pasi nuk ka vota për ish-ministra.

Gjersa, PDK mbante qëndrim të njëjtë për votë kundër ish- ministrave, një qëndrim të njëjtë pati edhe kur u propozua emri i deputetit Dimal Basha.

Basha i cili ka qenë deputet edhe në mandatin e kaluar u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit, por se i njwjti nuk mor vota “pwr” nga PDK.

Votat e LVV-së, bllokimi i opozitës dhe zgjedhjet e reja

Analisti Eduard Gashi, thotë se përkthimi politik i numrave që nuk morën vota për kryetar të kuvendit është se VV nuk i ka votat.

“Vetëvendosje propozoi me radhë disa emra për Kryetar të Kuvendit (Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe së fundi Dimal Basha), por asnjëri nuk mori shumicën absolute. Vetë Dimal Basha mori 57 pro, 25 kundër dhe 24 abstenime — shumë larg 61 votave të domosdoshme. Përkthim politik i këtyre numrave: VV nuk i ka votat për të kontrolluar institucionet, pavarësisht se imponon kandidatë me radhë. Kjo e ekspozon Albin Kurtin si kryeministër që nuk di të ndërtojë konsensus as për hapin më elementar parlamentar — kryesinë e Kuvendit. Zgjedhjet e 9 shkurtit e lanë VV-në forcë të parë, por pa shumicë absolute; pra qeverisja kërkon aleanca që Kurti nuk po arrin t’i sigurojë. Këtë e konfirmuan agjenci dhe media ndërkombëtare (AP, The Guardian, El País), të cilat theksuan se VV mbeti më e madhja por pa numrat për të qeverisur e vetme”, deklaron Gashi.

Image
Analisti Eduard Gashi

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur përballjen, jo ndërmjetësimin.

“Të dalësh me emra të njëpasnjëshëm — dhe të dështosh — prodhon humbje politike kumulative. Çdo raund pa 61 vota e redukton kredibilitetin e Kurtit si “njeri i stabilitetit” dhe e bën VV-në të duket e izoluar. VV ka zgjedhur përballjen, jo ndërmjetësimin. Rezultati: as kandidatë të vetët nuk kalojnë, sepse s’ka ura besimi me të tjerët. Ky është dështim i liderit, jo “faj i opozitës”. Teza “na bllokon opozita” po bie: kur numrat zyrtarë tregojnë 57/25/24, problemi nuk është procedura, por mungesa e shumicës. Edhe vetë Basha, pas dështimit, foli për “bllokim”, por votat flasin ndryshe”, shton ai.

Ai thotë se opozita ka përdorur taktika bllokimi, por nëse mazhoranca do të kishte 61 vota, ngërçi nuk do të ekzistonte.

“Po, opozita ka përdorur taktika bllokimi dhe shmangie votimi — por ky është simptomë e faktit që VV nuk arrin të bindë askënd përtej rrethit të vet. Nëse mazhoranca do të kishte 61, ngërçi nuk do të ekzistonte. Pra, bllokimi i opozitës është politikisht i dëmshëm, por dështimi fillestar është i Kurtit për të sjellë numrat në sallë.  Çfarë duhet të kishte ndodhur (standard i mirë qeverisjeje)  Konsultim paraprak ndër-fraksionar: Kandidati për poste kyçe duhet t’u prezantohet paraprakisht grupeve parlamentare;

 Tryezë e kryetarëve të grupeve: Kryetarët e grupeve duhet të mblidhen, të vlerësojnë emrat dhe të dalin me një kandidaturë të pranueshme — jo me surpriza nga foltorja; Marrëveshje mbi procedurën: Në dritën e ndërhyrjes së GJK-së, mazhoranca duhej të kërkonte udhëzim të përbashkët me opozitën për metodën e votimit, për të shmangur anulime të reja të seancave”, thekson analisti.

Ai  përmend skenarët nëse do të shkohet në zgjedhje të reja.

 “Rreziku përpara: Zgjedhje të reja! Nëse ngërçi vazhdon dhe shkohet në zgjedhje, rreziku real është që VV të kapitalizojë lodhjen e elektoratit me “cirkun parlamentar”. Por një skenar po aq i mundshëm është ndëshkimi i VV-së për paaftësi qeverisëse dhe arrogancë procedurale. Çelësi varet nga aftësia e opozitës për të ofruar një alternativë të unifikuar dhe kredibile — përndryshe narrativi “na penguan” do t’i shërbejë sërish Kurtit”, përfundon Gashi.

Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit do të vazhdojë më 26 gusht, duke filluar nga ora 11:00.

 ‘Jo’ votë pa marrëveshje politike

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri, thotë se partia e parë nuk  duhet të imponojë për zgjedhjen e kryetarit.

Image
Nexhat Haziri

 “Së pari duhet ta kuptoni se nuk po konstituojmë "Presidum popullor" si në shtetet komuniste, ku i propozuari nga Komiteti Qendror i Partisë automatikisht edhe duhej të zgjidhej. Kosova është shtet demokratik, shumë partiak me sistem parlamentar, ku udhëheqësit e institucioneve zgjidhen me shumicë votash, pra edhe kryetari i kuvendit. Bazuar mbi këto parime, dhe kushtetutës së vendit, i takon partisë së parë LVV-së që në mungesë të votave, ta provojë ta bëjë një shumicë parlamentare që do ta mundësonte zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pavarësisht emrit që do ta propozonte, e jo me imponime e as duke tentuar qëllimisht ta shtrembërojë atë çfarë është e rregulluar me kushtetutën e vendit”, pohon Haziri.

Sipas tij, partitë nuk e kanë obligim të votojnë të propozuarin e LVV-së nëse nuk kanë marrëveshje politike.

 “Partitë e tjera, të ish-opozitës nuk e kanë asnjë obligim që t'i votojnë të propozuarit e LVV-së, nëse për këtë nuk kanë një marrëveshje politike me këtë të fundit. E gjithë saga që po ndodhë me mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është pasojë që LVV-ja nuk ka numrat e mjaftueshëm për qeverinë, dhe duke bërë këtë bllokada, po dëshiron që vendin ta dërgojë në zgjedhje, duke ikur nga peshorja e matjes për formimin e qeverisë. Këtu është i gjithë ngërçi, dhe askund tjetër, vetëm tek LVV-ja e jo të partitë e tjera”, përfundon Haziri.

Të dielën ka qenë vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht.

Sipas aktgjykimit, deputetët kanë 30 ditë kohë për të zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Kryeparlametari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe një emër mund të hidhet në votim deri në tri herë.

Që nga publikimi i aktgjykimit, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar: Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin, Arbërie Nagavcin dhe Dimal Bashën dhe asnjë prej tyre nuk kanë arritur të marrin 61 votat e nevojshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat