Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Krenar Xhaferi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka komentuar situatën aktuale politike në vend, duke e përqendruar vëmendjen te qëndrimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe qasja e tij ndaj bashkëpunimit politik.
Ai e ka quajtur këtë qëndrim si "kryeneçësi politike", një term që, sipas tij, përshkruan më së miri mënyrën se si Kurti e udhëheq politikën.
“Kryeneçësia politike vjen nga z. Kurti dhe nga figurat që e rrethojnë atë. Unë nuk e kam parë asnjëherë z. Kurti në karrierën e tij politike të jetë unifikues, bashkëpunues në zgjidhjen e problemeve, përkundrazi, gjithmonë ka qenë përçarës dhe kryeneç. Pikërisht kjo gjendje ku jemi sot është rezultat i asaj që ai ka mbjellë ndër vite.
Në politikë kur nuk i ke numrat, duhet të bësh marrëveshje për të dalë nga ngërçi. Dhe nëse z. Kurti nuk arrin që me 48 deputetë të zgjidhë problemin e konstituimit të Kuvendit, si mund të presim që të zgjidhë problemet e nivelit qendror, apo të zhvillojë dialog me partnerët ndërkombëtarë?
Prandaj, kjo mendësi kryeneçe duhet të largohet. Kosova nuk fiton nga politika e bllokimit, por vetëm nga bashkëpunimi dhe ecja përpara”, ka shpjeguar Xhaferi.