Më 13 shtator ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në këto zgjedhje lokale, që do të mbahen në 38 komuna, janë certifikuar gjithsej 93 subjekte zgjedhore: 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Kështu ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
E para që e hapi fushatën zgjedhore ishte Lëvizja Vetëvendosje. Partia më e madhe në vend e zgjodhi Sheshin e Prishtinës për ta bërë hapjen më 12 shtator.
Një ditë më pas, po në të njëjtin vend, fushatën e hapi Partia Demokratike e Kosovës.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës e bëri hapjen në Pallatin e Rinisë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e nisi zyrtarisht fushatën në një biznes lokal në Prishtinë, një qasje të ngjashme me atë të ish-partnerit të saj politik, Nismës Socialdemokrate.
Analistët vlerësojnë se gara në nivel komunal është më e ndjeshme dhe më e afërt me jetën e përditshme të qytetarëve.
“Partitë do matin forcën politike”
Analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për 'Bota Sot', ka folur për nisjen e fushatës zgjedhore, duke theksuar dallimet mes nivelit lokal dhe atij qendror.
“Ky është një proces që pritet të sjellë dinamika të veçanta krahasuar me ato të zgjedhjeve të përgjithshme. Në nivel lokal, gara gjithmonë është më e ndjeshme, sepse lidhet drejtpërdrejt me jetën e përditshme të qytetarëve – me shërbimet komunale, infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik vendor”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Mehemti ka shtuarse fushata ka nisur me ritmin e zakonshëm dhe fokusi kryesor i partive politike ka qenë vendosur në projektet konkrete dhe kandidatët për komunat.
“Fushata ka nisur me tone të zakonshme, ku partitë tradicionale kanë vënë theksin te projektet lokale dhe figurat kryesore që kandidojnë për kryetarë komunash. Ajo që pritet ta dominojë këtë fushatë është retorika për përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve publike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, sepse këto janë kërkesat më të drejtpërdrejta që ka elektorati në zgjedhjet lokale”, ka theksuar Mehmeti.
Tutje, ai ka paralajmëruar se fushata nuk do të mbetet vetëm në kuadër të premtimeve lokale.
“Megjithatë, duke pasur parasysh polarizimin politik në nivel qendror, nuk përjashtohet që fushata të marrë edhe ngjyra të ashpra dhe akuza ndërsjellta, ngjashëm me zgjedhjet e përgjithshme. Pritet që partitë të përdorin zgjedhjet lokale edhe si matës të forcës së tyre politike në prag të çdo zhvillimi tjetër që mund të ndodhë në nivel qendror”, ka deklaruar Mehmeti.
Po sfidohet monopoli i Listës Serbe
Ndërkaq, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për 'Bota Sot', ka theksuar se, pavarësisht krizës politike dhe moskonstituimit të institucioneve shtetërore, qytetarët presin një garë të qetë, demokratike dhe të ndershme.
Ai ka kërkuar që fushata të zhvillohet pa incidente, me përgjegjësi dhe në përputhje me ligjet dhe standardet demokratike ndërkombëtare.
“Më 13 shtator, filloi edhe zyrtarisht fushata elektorale nga partitë e certifikuara për zgjedhjet lokale të 12 tetorit të këtij viti, ku kandidatët për kuvendet komunale dhe ata për kryetarë të komunave, nisën paraqitjen e premtimeve të tyre programore me shpresën se do ti bindin qytetarët që të votojnë për ta.
Prandaj pa marrë parasysh se si dhe në ç`rrethana dramatike nisi kjo fushatë, e mbingarkuar politikisht me problemte ndërmjet partive nga moskonstituimi i institucioneve legjitime shtetërore, qytetarët dëshirojnë dhe presin, nga subjektet politike dhe kandidatët e përzgjedhur të tyre, që të zhvillojnë një garë fer, e normale, me përgjegjësi, pa incidente dhe të pa implikuar me tensione.
Një fushatë të qetë, e plotësisht demokratike, që do të zhvillohej sipas parimeve të konkurencës së shëndosh, duke zbatuar ligjet e vendit dhe praktikat më të mira të demokracive më të njohura ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Qarri ka theksuar rëndësinë që partitë dhe kandidatët të zbatojnë Kodin e Mirësjelljes dhe ligjin gjatë fushatës zgjedhore, duke shmangur premtimet e parealizueshme.
Ai ka shtuar se janë certifikuar 93 subjekte politike, me mbi 5.600 kandidatë për kuvendet komunale dhe 206 për kryetarë komunash, ndërsa votimi nga diaspora do të nisë më 17 shtator.
“Prandaj, para se kandidatët e përzgjedhur të bëjnë premtime megalomane, asnjëri prej të cilëve, në të kaluarën, pothuajse nuk kanë arritur t’i realizojnë, është me rëndësi jetike, që të gjitha partitë dhe kandidatët që marrin pjesë në fushatën zgjedhore, ta zbatojnë në plotëni Kodin e Mirësjelljes, ndërsa institucionet tona përgjegjëse të kujdesen që kandidatët e nominuar dhe partitë pjesmarrëse, ta bëjnë zbatimin e ligjit, pa ekuivoke.
Duke marrë në konsideratë se në zgjedhjet e 12 tetorit, për zgjedhjen e 38 kryetarëve të komunave në Republikën e Kosovës, të drejtë vote do të kenë mbi 2 milionë e 69 mijë votues vendor dhe gati 44 mijë votues jashtë shtetit,fushata zgjedhore duhet të sjellë kultur të lartë në deklarime dhe votim të kulturuar, në 938 qendra votimi dhe 2.625 vendvotime, njejtë si në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të cilat ishin shembull i demokracisë, për gjithë rajonin.
Siç dihet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për garën zgjedhore të 12 tetorit, ka certifikuar 93 subjekte politike, 32 parti, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur, ku garojnë gjithësejt 5.626 kandidatë për parlamentet komunale dhe 206 konkurent për kryetarë komunash, shifër kjo që dëshmon se partitë politike kanë ofruar numër msaksimal kandidatësh për përzgjedhjen e më të mirëve nga votuesoit e 38 komunave të Kosovës, kurse votuesit jashtë shtetit, kanë të drejtë votimi edhe me postë, duke filluar që nga 17 shtatori”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Qarri e ka vlerësuar pozitivisht pjesëmarrjen e shtatë kandidatëve të rinj në Mitrovicë, duke e cilësuar si hap drejt vendosjes së një sistemi demokratik shumëpartiak dhe fundin e dominimit të vetëm nga Lista Serbe.
“Është interersant se kësaj radhe edhe në Mitrovicën veriore, nuk do të garojë më vetëm e ashtuquajtura “Lista serbe” që mbetet e ndikuar plotësisht nga Serbia dhe Vuçiqi, por mese shtatë konkurent, gjë që pritet ta ashpërsojë edhe retorikën elektorale njëjtë si në qytetet tjera dhe lë për të shpresuar, se edhe në këtë pjesë të vendit tonë, do të fillojë së funksionuari sistemi demokratik, shumëpartiak, dhe jo vetëm ai monopartiak i diktuar nga Serbia
Në fund, ai ka kritikuar partitë ekzistuese për mungesë kapacitetesh profesionale dhe etike, duke i akuzuar për premtime të fryra e të parealizueshme.
“E derisa partitë aktuale mbeten të njëjtat, me kapacitetet të dyshimta etike dhe figura të mangëta e të pakompletuara profesionale, me të cilat lënë shumë për të dëshiruar dhe pothuajse nuk kanë as çfarë t’u ofrojnë qytetarëve të dëshpëruar, përveç ofertave të fryra e të pasinqerta dhe premtime të pa realizuara e jo reale,.pritet që dobësit e lartcekura,ato ti mbulojnë me ashpërsimin e retorikës,nga makineria e tyre elektorale, njëjtë si në zgjedhjet parlamentare, duke fryrë edhe premtimet, mbi fuqinë reale, të realizimit të tyre në terren, me shpresën se bllokada e konstituimit të Qeverisë së re dhe institucioneve legjitime të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, do tu sjellë më shumë vota, gjë që pritet ti bëjë këto zgjedhje komunale të jenë, ndër zgjedhjet më të paparashikueshmet, kur dihet se partitë aktuale, nuk mund t’u ofrojnë qytetarëve, ide më të kapshme dhe premtime më të realizueshme”, ka përfunduar Qarri.