Tirana ka mikpritur Konferencën e 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SHBA- A5).
Nga kjo konferencë pos forcimit të sigurisë rajonale dhe sfidave të përbashkëta të Ballkanit Perëndimor, është bërë thirrja që edhe Kosova të bëhet anëtare e Katës së Adriatikut.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në këtë konferencë, nga ka theksuar nevojën e anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë nismë, duke vlerësuar se ky hap do të sillte më shumë paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor.
Një nevojë të tillë e pati edhe ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu, i cili po ashtu ka theksuar se Kosova duhet të përfshihet, plotësisht dhe formalisht, si një anëtare e natyrshme e këtij komuniteti, duke theksuar nevojën që iniciativa të përshtatet me realitetin e sotëm të sigurisë në rajon.
Çka është Karta e Adriatikut?
Karta e Adriatikut është një iniciativë rajonale për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e krijuar në vitin 2003 nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më vonë iu bashkuan edhe Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, duke u bërë një format prej pesë vendesh, i njohur si A5.
Qëllimi kryesor i Kartës është të nxisë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të ndihmojë integrimin e tyre në NATO përmes reformave dhe standardizimit të sektorit të mbrojtjes. SHBA luan një rol kyç në këtë proces, duke ofruar mbështetje dhe ekspertizë ushtarake. Karta është gjithashtu një platformë për forcimin e sigurisë rajonale dhe stabilitetit në Ballkan.
Kosova përmbush kushtet për anëtarësim në Kartën e Adriatikut
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se Kosova ka dëshmuar që është kandidat serioz për anëtarësim në Kartën e Adriatikut.
Sipas tij, stërvitjet ushtarake me partnerët strategjikë SHBA dhe NATO, mjaftojnë që të jetë pjesëmarrëse në këtë nismë rajonale mjaft të rëndësishme, sepse sfidat e sigurisë globale janë të mëdha
“Konferenca e 28-të në Tiranë të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SH.B.A. -A5) ku siguria, mbrojtja dhe sinergjia civilo-ushtarake ishin kryefjalë e kësaj konference dhe Shqipëria si anëtare e NATO-s u rikonfirmua partner shumë i besueshëm dhe ndërtues konsensusi në gjithë rajonin. Nënshkrimi Deklaratës së Përbashkët kërkon nga vendet anëtare angazhime shtesë dhe konkrete për investime në mbrojtje kurse Kosovës i duhen investimet dhe mbrojtja. Modernizim të forcave, ku Kosova dita ditës po i modernizon kapacitetet e saja dhe resurset. Siguri kibernetike dhe mu kjo na nevojitet duke pasur parasysh rreziqet nga këto sulme. Stërvitje të përbashkëta, Kosova tash më ka realizuar shumë stërvitje me partnerët strategjik SHBA dhe NATO kjo mjafton që vendi ynë të jetë kandidat serioz për anëtarësim në këtë nismë rajonale mjaftë të rëndësishme sepse sfidat e sigurisë globale janë të mëdha”, deklaron Dashevci.
Prezenca e komandantit të FSK-së në konferencë, sipas Dashevcit, është e rëndësishme dhe se Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut.
Sipas tij, anëtarësimi formal mund të bëhet edhe me një insistim dhe lobim të Shqipërisë dhe Serbia nuk mund t’i ndal proceset në Kosovë.
“Kërkohet bashkëpunim mes vendeve demokratike, këtë bashkëpunim Kosova nuk e ka ndalur kurrë. Komandanti i i Forcës së Sigurisë së Kosovës FSK mori pjesë në këtë konferencë dhe vet prezenca e tij është e rëndësishme sepse Kosova do të bëhet së shpejti mendoj unë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut dhe anëtarësimi do të thotë mbrojtje e përbashkët. Vetë prezenca e Kosovës do të thotë mendoj unë mbështetje të vendeve anëtare, sepse mbështetjen në praktik Kosova e ka, na nevojitet anëtarësimi formal dhe unë mendoj që më insistimin dhe lobimin e Shqipërisë do të anëtarësohemi shumë shpejtë. Anëtarësimi do të ndikonte në raportet me Serbinë mu si marrëveshja me Kroacinë dhe Shqipërinë, që do të thotë se çfarëdo reagimi i Serbisë nuk mund t’i ndal proceset në Kosovë, sepse ka karakter bashkëpunimi dhe synim ka paqen, reagimi i Serbisë çfarëdo lloji çoftë ai reagim nuk ka ndonjë peshë përpos retorik boshe”, shton eksperti i sigurisë.
Aspekti ndërkombëtar në rast të anëtarësimit në Kartën e Adriatikut
Kurse, Mirsad Voca, doktor shkence në marrëdhënie ndërkombëtare, thotë se pjesëmarrja e plotë në Kartën e Adriatikut, për Kosovën do të shënonte një pranim të kapacitetit të saj shtetëror dhe ushtarak për të kontribuar në stabilitetin rajonal.
“Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut (A5) nuk është thjesht një formalitet diplomatik por është një hap drejt institucionalizimit të rolit të saj si faktor i sigurisë ne Ballkanin Perëndimor. Karta e Adriatikut është krijuar fillimisht për të ndihmuar vendet e rajonit në rrugën drejt NATO-s. Për Kosovën, pjesëmarrja e plotë do të shënonte një pranim të kapacitetit të saj shtetëror dhe ushtarak për të kontribuar në stabilitetin rajonal. Kjo do të rriste kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës, do te konsolidonte pozicionin e saj në arkitekturën euroatlantike të sigurisë dhe do të dërgonte një sinjal të qartë se shteti i Kosovës nuk është thjesht përfitues i sigurisë, por edhe kontribues aktiv”, deklaron Voca për “Bota sot”.
Sipas tij, një FSK që bashkëpunon ngushtë me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë dhe Bosnjën do të krijonte një rrjet sigurie që e bën më të vështirë ndikimin e Rusisë dhe strukturave tjera.
Voca shton se mbështetja për Kosovën nuk është e garantuar, por nëse SHBA si sponsor kryesor jep dritën jeshile atëherë pengesat mund të kapërcehen më lehtë.
“Pjesëmarrja e Kosovës do ta forconte logjikën e bashkëpunimit rajonal dhe do të rriste ndërveprimin e Forcës së Sigurisë se Kosovës me ushtritë e vendeve të tjera të rajonit. Një FSK që bashkëpunon me ngushtë me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë dhe Bosnjën do të krijonte një rrjet sigurie që e bën më të vështirë penetrimin e ndikimeve destabilizuese, qoftë nga Rusia, qoftë nga struktura të tjera që synojnë ta mbajnë Ballkanin peng të krizave të përhershme. Në këtë aspekt, Kosova nga “zona e dobët” do të kthehej në hallkë integrale të stabilitetit rajonal. Mbështetja nuk është e garantuar, sepse disa vende anëtare të A5 si Bosnja dhe sidomos Maqedonia e Veriut shpesh i përshtatin vendimet e tyre sipas balancave të brendshme dhe presioneve ndërkombëtare. Megjithatë, Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi padyshim do te mbështesnin Kosovën. Sfida kryesore qëndron tek qëndrimet e vendeve që duan të shmangin tensionimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por nëse SHBA, si sponsor kryesor i Kartës së Adriatikut, jep dritën jeshile, atëherë pengesat mund të kapërcehen më lehtë”, thekson doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Tutje, ai shton se Serbia padyshim se do ta kundërshtonte këtë hap dhe do të sillte rritje të tensioneve politike, por në të njëjtën kohë do të kufizonte hapësirën e Serbisë për të përdorur veriun e Kosovës.
“Serbia padyshim do ta kundërshtonte fuqishëm këtë hap, duke e interpretuar si një konsolidim të shtetësisë së Kosovës dhe një afrim të saj drejt NATO-s. Për Beogradin, çdo integrim i Kosovës në arkitekturën euroatlantike shihet si humbje strategjike. Kjo do të sillte rritje të tensioneve politike, por në të njëjtën kohë do të kufizonte hapësirën e Serbisë për te përdorur veriun e Kosovës si pikë destabilizimi, sepse Kosova do të kishte mekanizma shtesë sigurie dhe bashkëpunimi rajonal në krah”, përfundon Voca.
Punimet e konferencës së Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SHBA- A5), u mbajtën në Tiranë për herë të dytë radhaz.