Kriza politike dhe institucionale në Kosovë ka hyrë në një fazë të re pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Më 30 shtator 2025, Gjykata vendosi se seanca konstituive e Kuvendit, e cila kishte filluar më 15 prill, nuk ka përfunduar ende, për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Në bazë të këtij aktgjykimi, Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar, duke qenë në kundërshtim me nenet 66 dhe 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Për më tepër, Gjykata vendosi të vazhdojë masën e përkohshme të pezullimit të proceseve kuvendare – që ka hyrë në fuqi që nga 5 shtatori – deri në hyrjen në fuqi të aktgjykimit, duke shtyrë edhe më tej zgjidhjen e bllokadës politike.
Ky vendim ka thelluar më tej ngërçin institucional, duke lënë vendin pa një Kuvend të funksionalizuar dhe pa mundësinë për të formuar Qeverinë.
Në këtë situatë të paqartë, ku partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë një kompromis, dhe ku asnjë mekanizëm institucional nuk po jep zgjidhje të qartë, shtrohet me të drejtë pyetja: A janë zgjedhjet e parakohshme rruga e vetme për dalje nga kjo krizë?
Mehmeti: Me vendimin e fundit, Gjykata ka lënë shumë paqartësi
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli opinionisti Gani Mehmeti.
Së pari, ai kishte disa kritika për Kushtetuesen dhe vendimet e saj të fundit të lidhje me konstituimin e Kuvendit.
Ai nënvizoi dy pika që preken nga vendimet, derisa tha se paqartësitë për zgjidhjen e kësaj situate vetëm sa janë thelluar më shumë.
“Lidhur me Gjykatën Kushtetuese, e cila ka pasur mjaft punë këtë vit rreth institucioneve të Kosovës, e në veçanti rreth konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Të paktën në dy vendimet e saj të fundit, që lidhen me konstituimin e Kuvendit, kjo Gjykatë është treguar sikur të ishte një gjykatë armiqësore ndaj Kosovës.
E para: Si është e mundur që ta bllokojë Kuvendin e Kosovës për plot një muaj – nga 5 shtatori deri më 30 shtator 2025 – bllokadë që vazhdon ende edhe sot, për shkak se Gjykata ka kërkuar që kjo situatë të mbetet pezull deri në publikimin e vendimit të saj në Gazetën Zyrtare?
E dyta: Me vendimin e fundit, Gjykata ka lënë shumë paqartësi. Ajo nuk sqaron nëse duhet të votohet vetëm nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, apo nëse duhet të kthehet gjithçka në gjendjen para zgjedhjes së nënkryetarëve të tjerë dhe të rivotohen të gjithë në pako, apo jo”, deklaroi opinionisti.
Po ashtu, bazuar në vendimin e Kushtetueses, Mehmeti vlerësoi se ajo duket se ua ka lënën në dorë deputetëve të merren vesh për konstituim të Kuvendit.
Madje, ai vlerëson se në situatën që jemi, zgjidhja e vetme për këtë bllokadë janë zgjedhjet e reja, duke parë se asnjë parti nuk po është e gatshme të bashkëpunojë me LVV-në.
“Ashtu siç është formuluar vendimi i Gjykatës, duket se ajo ua lë në dorë deputetëve të Kuvendit që të merren vesh vetë, qoftë individualisht, qoftë në pako.
Nuk dihet ende nëse kjo është bërë me qëllim – që i shkon për shtat Beogradit – apo pa qëllim, por sido që të jetë, kjo nuk është në rregull.
Nga situata që është krijuar, mënyra dhe rruga e vetme për të dalë nga ky ngërç duket të jenë zgjedhjet e reja – dhe le të fitojë ai që merr më shumë vota.
Ndonjë rrugëdalje tjetër nuk po shihet, pas pozicionimit të partive ish-opozitare kundër LVV-së.
Mënyra më e mirë do të ishte të zgjidhej Qeveria dhe të mos kishte vonesa, por ja që ndodh kështu kur deputetët tanë nuk ndiejnë përgjegjësi ndaj detyrimeve që dalin nga zgjedhjet dhe votat që kanë marrë”.
Krahas kësaj, opninionisti foli edhe për raportet mes partive politike dhe politikanëve, e që sipas tij “hidhërimin” më shumë e kanë zyrtar, se sa në mënyrë private.
E duke e parë këtë, beson se zgjedhjet e reja janë opsioni i duhur.
“E kam thënë edhe më ale, diku: hidhërimi privat nuk duhet të përzihet me punët zyrtare – siç po veprojnë aktualisht partitë tona në Kuvend.
Kjo, me sa po shoh unë, është krejt e kundërta te deputetët dhe kryetarët e partive politike: zyrtarisht fjalosen, shahen, shtyhen, nuk flasin me njëri-tjetrin, idhnohen, ndërsa privatisht janë bashkë, në një vend.
E gjitha kjo do të duhej të ishte ndryshe.
Sikur të mos kishte hidhërim zyrtar, Kuvendi do të ishte konstituar moti dhe Qeveria do të ishte zgjedhur.
Në situatën siç është sot, I vetmi opsion real për të ale nga kriza janë zgjedhjet e reja”, përfundoi Gani Mehmeti për “Bota sot”.
Burjani: Dalja nga situata është e thjeshtë, nëse ka vullnet për zgjidhje
Kurse, juristi Blerim Burjani konsideron se zgjedhjet janë opsion i duhur, nëse ka vullnet politik që ato të mbahen.
Në të kundërtën, sipas tij nëse partitë nuk dëshirojnë zgjedhje të reja, situata mund të komplikohet edhe më tej.
“Dalja nga situata është e thjeshtë, nëse ka vullnet për zgjidhje.
Nëse nuk ka, atëherë kjo situatë mund të komplikohen edhe më tej, deri në pamundësi. Por nëse ekziston vullneti politik, atëherë Kuvendit i lihet dora e lirë që deputetët të votojnë njërin nga kandidatët e listës për nënkryetar, dhe kjo do ta zgjidhte problemin e konstituimit të institucionit të Kuvendit. Më pas, do të mund të kalohej tek formimi i Qeverisë”, theksoi ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, tha se janë dy mundësi, ose zgjidhje përmes zgjedhjeve ose zgjidhje përmes konsensusit mes partive politike.
“Por, nëse Lëvizja Vetëvendosje (VV) vazhdon ta bllokojë çështjen e konstituimit, për shkak të mungesës së votave për të zgjedhur qeverinë apo kryeministrin, atëherë zgjedhjet e parakohshme bëhen të pashmangshme.
Le të zgjedhë vetë VV: Zgjidhje përmes zgjedhjeve apo zgjidhje përmes konsensusit me partitë e tjera opozitare”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.