Qeveria e Kosovës nuk është formuar, dhe Presidentja Vjosa Osmani iu ka dërguar ftesë për takim krerëve të partive parlamentare.
Sipas këshilltarit të saj për media, Bekim Kupina, “Takimi është ftuar për nesër në orën 12:00”, tha ai.
Presidentja synon të nxisë një kompromis politik që garanton interesin e qytetarëve dhe avancimin e vendit, duke shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e tyre dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës.
“Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, tha Kupina të martën.
Ndërkohë, deri tash gati të gjithë krerët e subjekteve politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ me presidenten Osmani.
Mosformimi i Qeverisë së re, sipas ekonomistëve rrezikon që vendi të mbetet pa buxhet, kurse juristët thonë se nuk ka ndonjë bazë juridike që komisionet parlamentare të formohen pa formimin e Qeverisë.
Krasniqi: Kuvendi nuk ka bazë juridike për të mbajtur seanca
Pas dështimit të votimit të Qeverisë Kurti III, profesori Kolë Krasniqi ka theksuar se Presidentja është e detyruar, sipas nenit 95 të Kushtetutës, të zhvillojë konsultime me partitë për të caktuar mandatarin e ri për formimin e qeverisë.
Ai tha se deri në dekretimin e mandatarit, Kuvendi nuk ka bazë juridike për të mbajtur seanca që lidhen me formimin e qeverisë apo me miratimin e ligjeve, përfshirë edhe buxhetin.
Sipas Krasniqit, nënshkrimet e disa deputetëve nuk kanë efekt juridik detyrues, por mund të shërbejnë vetëm si tregues politikë gjatë konsultimeve me Presidenten.
“Pas dështimit të votimit të Qeverisë Kurti III, Presidentja e Republikës, në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është e detyruar të zhvillojë konsultime me subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, me qëllim të identifikimit të kandidatit që gëzon mbështetjen e shumicës parlamentare për t’u mandatuar për formimin e qeverisë së re.
Deri në përfundimin e kësaj procedure dhe deri në dekretimin e mandatarit te ri nga Presidentja, Kuvendi nuk zotëron bazë juridike për të zhvilluar seanca që lidhen me formimin e qeverisë apo me çështje të tjera që kërkojnë iniciativë ekzekutive. Çdo mbledhje apo votim i tillë do të ishte në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve dhe me procedurat e përcaktuara në Kushtetutë.
Në këtë kontekst, nënshkrimet e dhëna nga disa deputetë nuk prodhojnë efekt juridik detyrues jashtë procesit formal të konsultimeve. Ato mund të kenë vlerë vetëm si indikatorë politikë apo si element provues gjatë konsultimeve me Presidenten, në kuadër të vlerësimit të “kritereve mbizotëruese” që përcaktojnë ekzistencën e shumicës parlamentare. Megjithatë, për të dëshmuar shumicën e nevojshme, kërkohet mbështetja e të paktën 61 deputetëve me nënshkrime të verifikuara, e jo vetëm nënshkrimet e 40 deputetëve sa janë të nevojshme për thirrjen e seancës.
Po ashtu, nuk ekziston bazë kushtetuese për thirrjen e seancave të jashtëzakonshme me qëllim miratimin e ligjeve, përfshirë edhe ligjin për buxhetin, para se të formohet qeveria e re”, deklaron ai për “Bota sot”.
Tutje, ai thotë se sipas Kushtetutës, detyra parësore e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e qeverisë, dhe vetëm një qeveri e formuar në përputhje me mandatin kushtetues mund të propozojë projektligje, përfshirë edhe buxhetin.
Ai shtoi se konsultimet dhe dekretimi i mandatarit janë kushte themelore për rikthimin e funksionalitetit institucional, ndërsa respektimi i tyre garanton rendin kushtetues dhe legjitimitetin demokratik të institucioneve të Kosovës.
“Kushtetuta përcakton qartë se detyrë parësore e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e Qeverisë, dhe vetëm një qeveri e formuar në përputhje me mandatin kushtetues të kësaj legjislature mund të propozojë projektligje, përfshirë edhe projektligjin për buxhetin.
Në përfundim, procedura e konsultimeve dhe dekretimit të mandatarit paraqet kusht themelor për rikthimin e funksionalitetit institucional, ndërsa respektimi i saj garanton ruajtjen e rendit kushtetues dhe të legjitimitetit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovë” - përfundon ai.
Rugova: Është obligim kushtetues i Presidentes që të ndikojë te subjektet politike
Kurse, ish-deputeti, Naser Rugova, ka kritikuar legjislaturën aktuale duke e quajtur më të papërgjegjshmen që nga çlirimi i Kosovës. Ai tha se mosformimi i institucioneve ka dëmtuar rëndë vendin dhe rrezikon ta bllokojë financiarisht. Rugova kërkoi që Presidentja të ndërmjetësojë për arritjen e kompromisit politik për miratimin e buxhetit, për të shmangur paralizimin e shtetit.
“Së pari, kjo legjislaturë ka rënë në provim para qytetarëve që e kanë zgjedhur, si legjislatura më e papërgjegjshme e Kosovës së pas çlirimit. Mos-formimi i institucioneve e ka dëmtuar shumë Kosovën dhe kjo krizë politike e institucionale rrezikon ta bllokojë shtetin në aspektin financiar dhe ta paralizojë funksionimin e institucioneve.
Është obligim kushtetues i Presidentes që të ndikojë te subjektet politike që të gjendet kompromisi për ta votuar buxhetin. Kjo është më e pakta që kjo klasë politike duhet të bëjë për të mos u paralizuar funksionimi i institucioneve shtetërore” - përmbylli ai për “Bota sot”.