Oferta e Kurtit për LDK-në? – Bytyçi: Vetëm kështu qytetarët do ta kuptojnë arsyen e ngërçit

Politika

Oferta e Kurtit për LDK-në? – Bytyçi: Vetëm kështu qytetarët do ta kuptojnë arsyen e ngërçit

Nga: A.SH Më: 3 nëntor 2025 Në ora: 11:58
Albin Kurti

Kosova ende nuk ka arritur ta formojë qeverinë.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar situatën poliitke në Kosovë.

Ai thekson se Kosova nuk është në udhëkryq, siç pretendojnë disa media, por përkundrazi problemi është tek Serbia.

Ai shpjegon se ngërçi në krijimin e qeverisë dhe institucioneve në Kosovë ka dy shkaqe: Vetëvendosja nuk dëshiron të qeverisë me votat e Listës Srpska, e cila sipas tij mbështet akte terroriste, dhe partitë shqiptare nuk po kryejnë detyrën ndaj vendit për të formuar institucionet.

Bytyçi shton se të dy palët janë nën ndikim të jashtëm, duke përfshirë edhe Tiranën, ndërsa Listën Srpska e kontrollon presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Kosova nuk është në udhëkryq. Medie të ndryshme, edhe nga ato që janë të djathta dhe kanë patriotizmin si bosht editimi, përmes personazheve të caktuar po tentojnë ta bëjnë Kosovën si vendin problematik të rajonit. Thonë se Kosova qenka në udhëkryq. E thoshte këtë ditët e fundit edhe miku im, analisti Ben Andoni, në TV Syri. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk është Kosova në udhëkryq. Përkundrazi e tillë është Serbia. Nuk është Kosova problematike me asnjë vend të rajonit. Përkundrazi, është Serbia e sëmura e Ballkanit.

Në Kosovë ka një ngërç të krijimit të qeverisë dhe të institucioneve. Ky ngërç vjen për dy arsye: - Së pari, sepse fituesi, pra Vetëvendosja, nuk dëshiron që të krijojë qeverinë dhe institucionet e tjera të vendit me votat e Listës Srpska, siç ka ndodhur me partitë e tjera në të shkuarën. Dhe kjo për shkak se kjo parti e minoritetit serb përfaqëson vijën e politikës që përkrah akte terroriste në Kosovë. E dyta, sepse partitë shqiptare parlamentare nuk duan të kryejnë detyrën ndaj atdheut, duke dhënë votën për krijimin e këtyre institucioneve. Kam bindjen se të dyja palët janë nën dirigjim nga jashtë, përfshirë dhe Tiranën zyrtare. Listën Srpska e dirigjon presidenti serb, Aleksandër Vuçiq” – thotë ai.

Tutje, Bytyçi shpjegon se në vendet demokratike fituesi i zgjedhjeve nuk qeveris absolutisht, por kërkon koalicion. Në Kosovë, mungesa e koalicionit prej nëntë muajsh lidhet me ofertat e pakta të mazhorancës ose kokëfortësinë e partive ish-opozitare.

Ai thekson se moskonstituimi i institucioneve nuk e vendos Kosovën në udhëkryq, duke sjellë shembuj të vendeve europiane me qeveri të vonuara, dhe kritikon hiperbolizimin e zhvillimeve negative.

“Në shumicën dërmuese të vendeve demokratike me pluripartitizëm fituesi i zgjedhjeve nuk është absolut. Ai ka nevojë për bashkëpunim dhe koalicion. Dhe kudo në këto raste gjenden partnerë të koalicionit. Në Kosovë kjo nuk ndodhi që prej nëntë muajve. Pse nuk ndodhi? Për shkak të ofertës së munguar nga mazhoranca, apo për shkak të kokëfortësisë së tri partive ish-opozitare parlamentare të Kosovës? Zoti Kurti duhet ta bëjë publike ofertën që i ka bërë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe publiku të gjykojë, nëse ajo ofertë ka qenë joshëse ose jo. Vetëm atëherë mund të gjykohet objektivisht pse po ndodh ky ngërç.

Ndërkohë moskonstituimi i institucioneve, ku bën pjesë edhe mos krijimi i qeverisë, nuk e çon Kosovën në udhëkryq. Janë disa shtete europiane që për muaj e madje vite pas zgjedhjeve nuk kanë mundur të krijojnë qeverinë e tyre dhe sërishmi nuk ishin në udhëkryq. Jemi mësuar që t’i hiperbolizojmë zhvillimet negative. Nuk e di për të krijuar një oponion anti-Kosovë, apo për t’u hakmarrë ndaj eksponentëve të politikës. Ndoshta edhe se kur flasim për udhëkryqe na duket edhe vetja pak më interesantë!”, deklaron ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat