Në prill pritet të përfundojë mandati pesëvjeçar i presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke rikthyer vëmendjen tek mënyra e zgjedhjes së presidentit në vend. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi, me votim sekret dhe shumicë prej dy të tretave të deputetëve (Neni 86). Mandati i tij është pesë vjet, me mundësi rizgjedhjeje vetëm një herë (Neni 87).
Situata politike në vend vazhdon të jetë në krizë politike, pasi qeveria nuk është formuar që nga zgjedhjet e shkurtit. Partitë e mëdha ende nuk kanë arritur konsensus për krijimin e institucioneve qeverisëse, duke shtuar pasigurinë edhe rreth procesit të zgjedhjes së presidentit.
Ekspertët kanë opinione të ndara mbi mënyrën se si duhet zgjedhur presidenti. Disa sugjerojnë ndryshime kushtetuese që do ta bënin zgjedhjen më të drejtpërdrejtë dhe më transparente, ndërsa të tjerë theksojnë se sistemi aktual parlamentar është më demokratik për Kosovën dhe nuk ka nevojë për ndryshime.
Kelmendi: Sistemi parlamentar, forma më demokratike e Kosovës
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot” ka shpjeguar se në demokracitë bashkëkohore ekzistojnë tre forma të pushtetit.
Sipas tij, sistemi parlamentar konsiderohet më demokratik, sepse pushteti i përgjigjet parlamentit, ndërsa në dy format e tjera presidenti i jep llogari vetëm votuesve gjatë zgjedhjeve.
“Në kuadër të demokracive bashkëkohore, në sistemin politiko-shoqëror ekzistojnë tri forma të ndërtimit të pushtetit mbi bazën e vullnetit të qytetarëve votues:
Demokracia njeh:
Sistemin parlamentar të ndërtimit të shtetit,
Sistemin gjysmepresidencial, dhe
Sistemin presidencial.
Të tri këto forma të pushtetit ekzistojnë sot në botë në sistemin kapitalist.
Sistemi parlamentar e koncentron pushtetin në parlament. Këtu ekziston pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Të gjitha organet e pushtetit dalin nga parlamenti.
Sistemi gjysmepresidencial e ndan pushtetin midis parlamentit dhe presidentit. Këtu presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Sistemi presidencial nënkupton pushtetin absolut të përqendruar te presidenti, i cili gjithashtu zgjidhet nga populli.
Të tri këto forma të pushtetit hyjnë në demokracitë bashkëkohore kapitaliste dhe secila ka dobësitë dhe avantazhet e veta.
Duket se sistemi parlamentar është më demokratik, sepse pushteti del nga parlamenti dhe i përgjigjet atij. Kjo është përparësia kundrejt dy formave të tjera të sistemit, ku presidenti nuk i jep llogari asnjë organi, përveçse në zgjedhje, kur votohet përsëri”, ka shpjeguar ai.
Sipas Kelmendit, Kosova ka sistem parlamentar, ku presidenti dhe qeveria i përgjigjen Kuvendit.
Ai ka shtuar se sistem është më demokratik dhe transparent, dhe respektimi i Kushtetutës është i detyrueshëm, me pasoja penale për shkeljet.
“Kosova ka sistemin parlamentar. Ky sistem i shkon Republikës sonë. Edhe presidenti, edhe qeveria, edhe organet e tjera i përgjigjen Kuvendit. Kjo është forma më demokratike midis zgjedhjeve që bëhen në këtë sistem.
Në dy format e tjera, presidenti nuk i përgjigjet asnjë organi. Vetëm në zgjedhje i jep llogari qytetarëve.
Forma parlamentare është edhe më transparente, për faktin se parlamenti përcillet vazhdimisht nga qytetarët. Ndërsa në dy format e tjera nuk jepet llogari në parlament; para qytetarëve del vetëm ajo që përcaktohet nga presidenti. Konferencat për shtyp janë vendi ku deklarohen, por nuk ka organ me fuqi juridike për të diskutuar punën.
Sistemi parlamentar mbetet forma më demokratike e ndërtimit të pushtetit. Këtë formë të sistemit e ka Kosova. Ajo duhet respektuar dhe kërkohet të veprohet në bazë të Kushtetutës. Me këtë zgjidhet çdo dilemë.
Mosrespektimi i normave kushtetuese është vepër penale që dënohet. Kjo duhet të respektohet që Kosova të forcohet”, ka deklaruar Kelmendi.
Burjani: Koha për president të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët
Ndërsa, njohësi i çështjeve jurdike, Blerim Burjani ka theksuar se Kosova ka nevojë për një president të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, jo nga Kuvendi.
Ai ka argumentuar se zgjedhja nga qytetarët është më demokratike, e drejtë dhe efikase, ndërsa sistemi aktual ku presidentët emërohen nga partitë politike përmes pazareve është mashtrim ndaj popullit.
“Ka pasur shumë debate në Kosovë nëse presidenti duhet të zgjedhet nga qytetarët. Natyrisht, sistemi maksimal është ai ku fiton kush bën 51+1 vota. Kjo zgjidhje është gjithashtu efikase, e drejtë dhe më demokratike. Duke pasur parasysh se në Kosovë presidentët të gjithë janë politikë, vetëm japin dorëheqje nga partia dhe bëhen president, ky është mashtrim i popullit. Kosova ka nevojë për një president që të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët, e jo nga Kuvendi, ku bëhen pazare nga më të fortat dhe më të mira”, ka thënë Burjani.
Gjithashtu, Burjani ka sugjeruar se Kuvendi duhet të ndryshojë Kushtetutën dhe të miratojë ligjin për zgjedhjen e presidentit nga qytetarët.
Ai ka nënvizuar se është koha për ndryshime të mëdha.
“Kjo nuk duhet të ndodhë më; Kuvendi duhet të ndryshojë Kushtetutën dhe të nxjerrë ligjin për zgjedhjen e presidentit.
Në të kundërtën, qytetarët gjithmonë do të gënjehen se kanë një president të zgjedhur për ta, kur realisht është një njeri partiak i cili vetëm i heq veshmbathjet partiake dhe bëhet “i pavarur”. Ky është mashtrim demokratik. Ai president kurrë nuk do të jetë i pavarur dhe do të kushtëzohet nga partia e tij, duke kryer punë partiake. Kjo është tepër për shumë. Koha është për ndryshime të mëdha”, ka përfunduar Burjani.