Ish-kryetari i Degës së LDK-së dhe i Shoqatës Kulturore “Sali Çekaj” në Gjermani, Oso Ferizi, në një prononcim për “Bota sot”, ka reaguar ashpër ndaj protestës së mbajtur më 16 nëntor 2025 në Strasbourg, duke e cilësuar atë si një tentativë për të mbuluar të vërtetat e trishta të tranzicionit kosovar.
Ferizi thotë se ajo që po ndodh në Strasbourg “nuk është protestë, por maskaradë politike”, një përpjekje për të krijuar tymnajë e zhurmë mbi një padrejtësi që ka 25 vite që troket në derën e shtetit: vrasjet politike që nuk u zbuluan kurrë.
Duke i quajtur këto ngjarje “plagë të hapura të kombit”, Ferizi kujton me emra të gjithë të vrarët dhe të plagosurit e asaj kohe.
“Enver Malokun, Xhemajl Mustafën, Smajl Hajdarajn, Ahmet Krasniqin, B. Allaqin, kom. Kumanovën, komandant Drinin, Sh. Popovën, B. Ajetin, T. Zemajn, plagosjen e rëndë të ish-luftëtarit Fetah Rudi, Sabri Hamitin, e të tjerë”, thotë Ferizi.
Ai thekson se këto raste po trajtohen sot “sikur të mos kenë ekzistuar kurrë”. Ferizi ngre pyetje të drejtpërdrejta për organizatorët e protestës:
“Ku ishin kur këta burra u vranë? Ku ishin kur duhej të protestonin para Qeverisë, para institucioneve, para drejtësisë së Kosovës? Ku ishin 25 vite me radhë?”
Sipas tij, heshtja që ka mbretëruar gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë e qëllimshme. Ai akuzon se janë blerë dëshmitarë, janë kërcënuar e vrarë njerëz, vetëm që e vërteta të mos dalë kurrë.
Ferizi thotë se synimi i disa grupeve është i qartë: të mos hapet dosja, të mos zbardhet e vërteta, të mos dalë asnjë emër e asnjë përgjegjësi.
“Me protesta po krijohet tymnaja që u duhet. Me zëra të ngritur duan ta mbytin drejtësinë ndërkombëtare, vetëm e vetëm që e vërteta të mos dalë kurrë në dritë”, thotë ai, duke shtuar se kjo situatë është goditje e rëndë për familjet e viktimave.
“Si ndihen familjet e të vrarëve? Si ndihen nënat dhe fëmijët e atyre që u vranë jo nga Serbia, por në shtetin e tyre – prej duarve të shqiptarëve?”
Ai kërkon përgjigje edhe për atë se çfarë shteti është ai që nuk ka guxim të kërkojë drejtësi për bijtë e vet, ndërsa kritikon ata që sot flasin për “dinjitet kombëtar”.
Sipas tij, nuk ka dinjitet kur dikush bëhet mburojë e krimeve. Patriotizmi nuk matet me parulla, por me guximin për të kërkuar të vërtetën – edhe kur ajo është e rëndë.
“Patriot është ai që kërkon drejtësi, zbardhje dhe llogari. Tradhtar është ai që mbron krimin, errësirën dhe fshihet pas protestave që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Ata që protestojnë sot kundër drejtësisë ndërkombëtare – le t’i themi gjërat si janë – po protestojnë për t’i mbrojtur vrasësit, ose ata që i kanë frymëzuar, përkrahur, fshehur apo përfituar prej tyre”, thotë ai, duke shtuar se për këtë nuk ka emër tjetër dhe as fjalë më të butë”, deklaron Ferizi.
Ferizi apelon se populli nuk guxon të jetë pjesë e këtij turpi. Sipas tij, vetëm në anën e së vërtetës mund të qëndrojmë, vetëm me familjet e të vrarëve dhe me amanetin e tyre.
“Kërkojmë drejtësi. Kërkojmë dinjitet. Kërkojmë zbardhje. Kaq është. Kaq ka kërkuar ky popull prej 25 vitesh. Me zë të heshtur, se askush nuk e dëgjoi. Dhe sot, përfundimisht, është koha të flasim”, përfundon Oso Ferizi për “Bota sot”.