Pretendime tronditëse kanë dalë sërish në dritë lidhur me të ashtuquajturat “Sarajevo-Safaris” – një praktikë e supozuar gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90, ku snajperistë amatorë nga vende të ndryshme të botës thuhet se paguanin shuma të mëdha parash për të qëlluar ndaj civilëve. Raportimet janë rikthyer në qendër të vëmendjes pas një kallëzimi penal të paraqitur në Prokurorinë e Milanos kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas shkrimit të gazetës gjermane Bild dhe mediave italiane, thuhet se snajperistë amatorë kryesisht nga Italia, por edhe nga vende të tjera të Evropës Perëndimore dhe nga SHBA-ja, kanë paguar mes 80 mijë dhe 100 mijë euro për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Sarajevo-Safari”. Pretendimet thonë se këta persona, të shoqëruar nga forcat serbe, vendoseshin në pozicione të larta për të qëlluar me snajper ndaj civilëve brenda qytetit të rrethuar.
Dëshmi rrëqethëse në dokumentarin slloven të vitit 2022
Në dokumentarin e regjisorit slloven Miran Zupaniç, publikuar në vitin 2022, disa ish-ushtarë dhe ish-agjentë të shërbimeve sekrete tregojnë sesi “gjuetarët e njerëzve” transportoheshin drejt pozicioneve të snajperëve, për të qëlluar mbi gra, fëmijë dhe të moshuar – gjithmonë sipas pretendimeve të tyre.
Pak ditë më parë, pas kallëzimit të shkrimtarit dhe gazetarit italian Ezio Gavazzeni, Prokuroria e Milanos kishte nisur hetimet preliminare mbi fenomenin e “Sarajevo-Safari”.
Sipas mediave italiane, gazetari investigativ kroat Domagoj Margetić tani ka paraqitur prova të pretenduara që, sipas tij, tregojnë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq “ka qenë i pranishëm në njërën nga bazat ushtarake në Sarajevë” gjatë këtyre ngjarjeve. Edhe këto deklarime mbeten në nivel pretendimesh, të cilat Prokuroria Italiane pritet t’i shqyrtojë.
Rrethimi katërvjeçar i Sarajevës, i nisur në pranverën e vitit 1992 nga trupat boshnjako-serbe dhe njësi të Ushtrisë Popullore Jugosllave, mbetet një nga ngjarjet më të errëta të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Banorët e qytetit mbetën për vite të tëra pa rrymë, ngrohje dhe furnizime ushqimore.
Dalja në rrugë për ta nënkuptonte rrezik jete, pasi snajperistët ishin vendosur në kodra dhe ndërtesa të larta përreth qytetit.
Nga rrethimi u vranë më shumë se 10 mijë civilë.
Në të gjithë luftën e Bosnjës, rreth 100 mijë njerëz u vranë ose konsiderohen të zhdukur.
Mbi 2 milionë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Asnjë reagim zyrtar për momentin
Deri në publikimin e këtyre raportimeve, nuk është dhënë një reagim zyrtar nga institucione serbe apo nga presidenti Vuçiq lidhur me kallëzimin penal dhe pretendimet e bëra publike nga media.
Çështja mbetet tani në duart e Prokurorisë së Milanos, e cila pritet të vlerësojë materialin e paraqitur dhe të vendosë për hapat e mëtejshëm.
Publicisti serb, Zlatoje Martinov, ka treguar se mediat e regjimit në Serbi nuk e përmendin këtë temë.
Sipas tij, mbulimi i vogël mediatik i këtyre akuzave, nuk do ta destabilizojnë pozicionin e Vuçiqit.
“Mediat e regjimit në përgjithësi nuk e përmendin këtë temë, të pavarurit shkruajnë dhe flasin për të, por shtrirja e tyre nuk arrin shumicën e Serbisë. Vuçiç foli sot dhe ashpër në stilin e tij ("Turp të kesh, që gënjeve") mohoi lidhjen e tij me safarin ("Nuk kam mbajtur kurrë snajper në dorë, as pushkë, ajo që shihet në video është një stendë kamerash".
Në atë kohë, Vuçiç në të vërtetë “raportonte” për TV Pale si “gazetar”, por edhe si anëtar i radikalëve të Sheshelit)”. Duke pasur parasysh mbulimin e vogël mediatik të këtyre akuzave, ato nuk do të kenë një ndikim të rëndësishëm në politikën e brendshme të Serbisë, as nuk do ta destabilizojnë pozicionin e Vuçiçit”, deklaron Martinov.
Mirëpo, nëse akuzat dalin të vërteta, sipas Martinov, atëherë Vuçiq do të përjashtohet.
Por, mesa sheh Martinov, me këto akuza nuk po merret seriozisht BE.
“ Megjithatë, nëse akuzat kundër Vuçiçit dalin të vërteta, presioni i jashtëm mbi të me siguri do të jetë dukshëm më i madh se sa është tani. Ai mezi do të jetë në gjendje të komunikojë me zyrtarët evropianë, me siguri do të përjashtohet nga kisha.
(Por do të ishin Putini dhe Xi që do ta mbronin!). Por, për aq sa shoh unë, këto akuza nuk merren seriozisht në BE, fokusi është në përmbushjen e reformave që Vuçiçi i premtoi, por nuk i zbatoi (sundimi i ligjit, zhbllokimi i mediave, ndërprerja e dhunës policore dhe torturës ndaj studentëve, përmbushja e dispozitave të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, sanksionimi ligjor i Radoiçiçit dhe terroristëve të tjerë nga Banjska, vendosja e sanksioneve kundër Rusisë)”, shprehet publicisti.
Nëse akuza vërtetohet, atëhërë Vuçiq duhet të japë dorëheqje.
“ E përsëris, nëse akuzat për një safari mbi civilët e Sarajevës vërtetohen dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë fillon procedurat kundër Vuçiçit, kjo me siguri do të ketë një ndikim negativ në imazhin tashmë jo shumë të mirë të Serbisë së Vuçiçit në Evropë dhe në botë.
Atëherë opozita serbe si nga e djathta ashtu edhe nga e majta e spektrit politik mund dhe duhet të kërkonte dorëheqjen e menjëhershme të Vuçiçit, sepse me krimin e tij ai i solli një njollë të madhe turpi shtetit. Sigurisht, e përsëris, vetëm nëse vërtet do të provohej se Vuçiç qëlloi mbi civilët nga kodrat përreth Sarajevës”, përfundon Martinov.