Partitë politike kanë dorëzuar listat e tyre me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Të gjitha listat morën vëmendje, derisa u komentuan figurat e reja, si dhe figurat e vjetra dhe për atë se çka mund të ofrojnë.
E më gjerësisht, për këtë temë dhe zgjedhjet e reja, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.
Fillimisht, ai tha se fushata ka hyrë në një fazë të rëndësishme, derisa vlerësoi se këto zgjedhje do përcaktohen nga disa faktorë.
Së pari, profesori vuri theksin te programet dhe alternativat politike të subjekteve elektorale, derisa në këtë pikë tha se përparësi ka koalicioni LVV-Lista Guxo.
“Fushata zgjedhore në Kosovë, e cila kulmon me votimet e 28 dhjetorit, ka hyrë në një fazë të rëndësishme. Të dielën subjektet politike dorëzuan listat e kandidatëve për deputetë dhe me këtë i hapet rruga përgatitjeve dhe fillimit të fushatës elektorale. Këto zgjedhje të parakohshme përcaktohen nga tre faktorë:
Së pari nga programet dhe alternativat politike të subjekteve elektorale. Këto programe në këtë rast ndoshta zveniten, sepse ato zhvillohen si vazhdim i zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti. Në fund të fundit ai projekt politik që patën paraqit në ato zgjedhje mbetet në fuqi, sepse gjatë dhjetë muajve të pas atyre zgjedhjeve nuk kishte qeverisje të mirëfilltë e legjitime. Në këto kushte ndoshta nuk do të ketë ndryshime në ofertën politike të subjekteve elektorale. Por mund të themi se programet dhe alternativat politike pak tërheqin vëmendjen dhe ndikojnë në tërheqjen e votuesve. Në këtë aspekt ka përparësi koalicioni i Vetëvendosjes, Lëvizjes Guxo, Alternativës dhe Demokristianëve. Sepse në qeverisjen e këtij koalicioni në katër vitet e fundit janë shpenzuar përshembull për blerjen e armëve dhe modernizimin e ushtrisë dhe policisë mbi 500 milionë euro. Ndërkohë që qeverisja e mëparshme në katër vitet e qeverisjes së saj kishte shpenzuar për këtë qëllim vetëm 5-6 milion euro, gati 100 herë më pak se qeveria Kurti. Ky shembull është vetëm një prej shembujve të shumtë, por që tingëllon qartë për përkushtimin e qeverisjeve të fundit për sigurinë e Kosovës”.
Kurse, Bytyçi në radhë të dytë, komentoi rëndësinë e listave zgjedhore, ku tha se është me rëndësi që kandidatët të jenë të pastër nga pikëpamja morale dhe politike.
Në këtë pikë, foli për partitë ish-opozitare, ku tha se jo pak politikanë të tyre janë përfolur për abuzim me politikën.
“Së dyti, janë listat zgjedhore ato që tërheqin më së shumti votues. Kjo jo vetëm për shkak të njohjeve dhe rrethit që kandidatët për deputetë kanë në shoqërinë e Kosovës. Por edhe për shkak të reputacionit të tyre. Me rëndësi është që kandidatët të jenë të pastër nga pikëpamja morale dhe politike, të mos jenë përfolur për korrupsion dhe abuzime me politikën dhe me pushtetin. Pra që këta kandidatë të njihen si njerëz të përkushtuar për forcimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë kuptim, sërishmi përparësia shkon në drejtim të listës së koalicionit VV+Guxo+Alternativa+Demokristianët, sepse në këto lista nuk gjen thuajse asnjë kandidat të përfolur për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës.
A janë të tilla listat e formacioneve të tjera politike të shqiptarëve në Kosovë, përkatësisht PDK-së, LDK-së dhe AAK-së? Do të thosha se në ato lista gjenden jo pak politikanë të përfolur për abuzim me politikën dhe pushtetin. Dhe jam i bindur se ata gjenden në ato lista, sepse kanë ndikim dhe i imponohen lidershipit të partisë. Kjo është arsyeja pse në zgjedhjet e 9 shkurtit tri partitë shqiptare të lartpërmendura morën thuajse të njëjtin numër deputetësh sa edhe koalicioni i Vetëvendosjes. AAK dështoi në zgjedhjet e kaluara, pasiqë mori në koalicion Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt. Ndërkaq Limaj në procesin e formimit të institucioneve dëshmoi se ishte dhe mbetet në politikë për interesin dhe prestigjin e tij, por jo edhe atë të Kosovës. Kjo është arsyeja pse PDK nuk bashkëpunoi me Nismën”, shtjelloi ai.
Krahas kësaj, profesori konsideron se këto zgjedhje do tregojnë se kush ishte fajtor për dështimin e formimit të institucioneve të reja.
Po ashtu, në këtë rast, përmendi edhe akuzat që iu bën Kurtit nga kundërshtarët e tij politikë, e për të cilën ngriti një pyetje.
“Së treti, në rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të ndikojë gjithashtu përceptimi se kush ishte fajtor për dështimin e krijimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sepse zgjedhësit e Kosovës janë të ndjeshëm ndaj kësaj. Ata dinë të diferencojnë fajtorin nga jo fajtori, ose ndoshta edhe më shumë fajtorin nga më pak fajtorin. Stresi dhe shqetësimi që u krijua për gati dhjetë muaj gjatë procesit të krijimit të institucioneve ishte i madh. Ndaj dhe qytetari i Kosovës nuk fal. Por cili mund të jetë përceptimi?
Ata që janë kundër zotit Kurti thonë se “Vetëvendosje ishte në pushtet, kishte numrin më të madh të deputetëve, ndaj dhe kësaj partie i takonte të bënte lëshime dhe t’i tërhiqte partitë e tjera në koalicion qeverisës për të formuar qeverinë dhe institucionet e tjera të shtetit”! Parimisht kjo tingëllon mirë. Gjithmonë i madhi bën lëshime ndaj të voglit. Ky është rregulli. Madje edhe në traditën zakonore shqiptare dhe ky rregull për mua është i artë. Por a ia dhanë shansin partitë e vogla partisë më të madhe ta provojnë atë nëse ajo është e gatshme të bënte lëshime?”
Në fund, ai theksoi se të gjitha partitë ish-opozitare bojkotuan LVV-në dhe se nuk kishin gatishmëri për të bashkëpunuar në të mirë të shtetit.
Madje, tha se nëse do kishte vullnet politik, do kishim qeveri të re tani.
“Albin Kurti u bëri thirrje partive të ish-opozitës, PDK, AAK dhe sidomos LDK-së, që të bisedonin për bashkëqeverisje. Asnjëra nuk pranoi. Ai e përsëriti disa herë thirrjen për LDK-në. Por lideri i saj refuzoi të ulej në bisedime e të merrte një ofertë qeverisjeje. Pra partitë e ish-opozitës bojkotuan, nuk pranuan as të bisedojnë për këtë. Dhe për çfarë? Për çështjen më të rëndësishme të shtetit, krijimin e institucioneve të tij në legjislativ dhe në ekzekutiv. Të gjithë bojkotuan. U tallën me Kurtin edhe Fatmiri dhe Duda Balje, e cila u përdor nga ish-opozitarët. Ndërkohë që ishte krejt e arsyeshme që kryeministri në detyrë të ishte në kërkim të formimit të mazhorancës. Që do të thotë se partitë kundër Kurtit sabotuan krijimin e institucioneve dhe të qeverisë.
Kam bindjen se ato, nëse do të uleshin në bisedime dhe do të kishin më pas një ofertë nga ana e Vetëvendosjes, atëherë për shkak të bujarisë së kësaj oferte nuk do të mund të refuzonin pjesmarrjen në qeverisje. Sepse po të refuzonin, atëherë elektorati do të reagonte ashpër kundër tyre. Dhe zgjodhën bojkotin, pra për të kamufluar qëndrimin bojkotues dhe bllokimin që realizuan. Në këto kushte publiku ka mundësinë së paku të përceptojë drejt faktin se shumë më tepër fajtorë për mos krijimin e institucioneve ishin partitë ish-opozitare. Ndoshta Kurti kishte mundësi të ofronte diçka konkrete edhe pa u ofruar ndonjë bashkëpunim, me qëllim që t’u thoshte qytetarëve se “Ata nuk duan, por nuk kanë pse të bojkotojnë ofertën” e tij!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.