Pas paralajmërimeve të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, nga Peja për nisjen e Vetingut në Drejtësi dhe funksionalizimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme, analisti politik Gani Qarri vlerëson se zbatimi i këtyre proceseve është tashmë i pashmangshëm dhe vetëm çështje kohe.
Sipas Qarrit në rast fitoreje të VV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, me formimin e Qeverisë Kurti III nuk do të ketë më hapësirë për shmangie apo mënjanim nga drejtësia i personave të dyshuar për pasurim të kundërligjshëm.
“Besoj që tanimë dihet mirë nga të gjithë se mund të ketë vetëm edhe pak vonim, por jo assesi edhe mënjanim apo ikje të të dyshuarve nga drejtësia. Me të marrë mandatin Qeveria Kurti III, edhe Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurive të Kundërligjshme, pas më tepër se një viti nën ‘arrestin’ e Gjykatës Kushtetuese, do të amnistohet dhe lirohet përfundimisht, në mënyrë që të futet në zbatim”, shprehet Qarri për “Bota sot”.
Ai thekson se bllokadat e gjata institucionale dhe procedurale kanë qenë të qëllimshme dhe të orkestruara nga opozita, e cila sipas tij, ka frikë nga funksionalizimi i kësaj Byroje.
“Nga vet ndrojtja e opozitës se Qeveria Kurti III do ta implementonte Byronë për Konfiskimin e Pasurive të Kundërligjshme, e cila do të piketonte udhëheqësit kryesorë të dyshuar të partive opozitare, u inskenua edhe bllokada mbi nëntë mujore kundër formimit të institucioneve”, vlerëson analisti.
Qarri rikujton se Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ishte miratuar që në shkurt të vitit 2023 dhe parashihte verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë nga 17 shkurti 2008 e deri dhjetë vjet pas përfundimit të funksionit të tyre.
Sipas tij, pikërisht ky nen ka nxitur reagimin e fortë të zyrtarëve të caktuar opozitarë, të cilët e dërguan ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
“Ky nen i frikësoi ata që e kishin mizën pas veshit, ndaj edhe ligji u dërgua në Kushtetuese nga zyrtarë të PDK-së. Edhe pasi Qeveria i përmbushi kërkesat e Gjykatës dhe i ndryshoi nenet e kërkuara, ligji u dërgua sërish në Kushtetuese”, thekson Qarri.
Megjithatë, ai vlerëson se kushtet tashmë janë pjekur për nisjen e zbatimit të ligjit dhe se çdo përpjekje për zvarritje të mëtejme është shterur.
“Është një sinjal shumë i qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fortë për të gjithë të inkriminuarit që kanë abuzuar me pasuritë e vendit, duke keqpërdorur detyrën zyrtare për të krijuar pasuri të pajustifikueshme”, shprehet ai.
Qarri thekson se Vetingu në Drejtësi është parakusht për funksionimin real të Byrosë.
“Vetëm me një gjyqësi të spastruar përmes Vetingut rrënjësor, mund të pritet që secili i mbipasuruar në mënyrë të pajustifikueshme të japë llogari para drejtësisë dhe të përgjigjet se si dhe me çfarë fondesh e ka grumbulluar atë pasuri”, nënvizon Qarri.
Në fund, ai shprehet i bindur se pavarësisht vonesave të deritanishme, ligji nuk do të mund të bllokohet më.
“Mund të ketë vetëm edhe pak vonim, por jo mënjanim të ligjit apo ikje nga drejtësia. Me Qeverinë Kurti III, ligji do t’i kthehet Qeverisë dhe do të futet në zbatim pa vonesa të tjera, për të nisur menjëherë konfiskimi i pasurive të paligjshme”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.