Testi evropian i Kosovës përfundon me fitore – analistët flasin pas heqjes së masave të BE-së

Politika

Testi evropian i Kosovës përfundon me fitore – analistët flasin pas heqjes së masave të BE-së

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 18 dhjetor 2025 Në ora: 18:04
Ilustrim

Pas vendosjes së masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës në vitin 2023, një zhvillim pozitiv ka sjellë lehtësim për shtetin tonë. 

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë.

Ky vendim vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të Kosovës që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese ndaj saj verën e vitit 2023.

Ishte Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.

"Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, tha Osmani të mërkurën vonë në Facebook.

Osmani, e cila e përfaqësoi Kosovën në samit, shtoi se “rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit".

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në X se BE-ja po i heq masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale u zhvillua në mënyrë paqësore.

Po ashtu, këtë të martë, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njoftoi se Komisioni Evropian ka vendosur të heqë shumicën e masave ndaj Kosovës, duke përfshirë projekte në kuadër të programeve IPA me një vlerë totale prej 34.6 milionë euro. 

“Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Analistët politikë e shohin këtë si një hap të rëndësishëm, që tregon se qëndrimet ndërkombëtare, veçanërisht ato të BE-së, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ecjen përpara të Kosovës.

Sinjale pozitive nga BE-ja

Image
Skender Zogaj

Analisti politik, Skender Zogaj, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se Kosova është thellësisht e varur nga qëndrimet ndërkombëtare, veçanërisht të BE-së.

“Qëndrimet e BE-së ndaj Kosovës duhet të gëzojnë një kujdes më të madh sepse, Kosova më shumë se gjithçka është e kushtëzuar nga qëndrimet ndërkombëtare, pa të cilat nuk mund të ketë ecje përpara! Kjo dihet dhe duhet të pikaset në të gjitha platformat politike e shtetërore të Kosovës, që ndaj bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, SHBA-së dhe NATO-së të ketë bashkëpunim të përhershëm dhe gjithmonë të kujdesshëm, permanent me zhvillimet përbrenda tyre!”, ka thënë ai.

Tutje, Zogaj ka vlerësuar se heqja e një pjese të masave të BE-së ndaj Kosovës është sinjal pozitiv.

“Kjo është kryesorja dhe në këtë plan çdo lëvizje pozitive duhet të na gëzojë! Lajmi nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i BE-s, Gert Jan Koopman për heqjen e një sasie të masave ndaj Kosovës është shenjë e mirë që duhet të mobilizojë gjithë faktorin politik të Kosovës që sa më parë të konstituojë institucionet e qeverisjes shtetërore, sepse, çdo lajm i mirë do të shkojë huç nëse brenda Kosovës nuk kthehet vetëdija se mbi të gjitha interesat duhet të jetë shteti, shteti dhe shteti! 

Pushtetet duhet të jenë, por në shërbim të shtetit! Sa jam informuar unë, këtë porosi e ka thënë edhe me këtë rast BE-ja!”, ka deklaruar ai.

Heqja e masave të paarsyeshme

Image
Pprofesori Milazim Maraj

Ndërkaq, profesori Milazim Maraj,  ka theksuar se KE ka hequr shumicën e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Ai ka kritikuar BE-në për tolerancë ndaj Serbisë, duke e quajtur shtet problematik dhe instrument rus që ka shkaktuar luftëra e tragjedi në rajon.

“Zv. Kryeministri në detyrë Besnik  Bislimi të martën mori një letër nga  Z. Gert Jan Koopman Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, më të cilën u njoftua se KE ka vendosur heqjen e shumicës së masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Këto masa ishin ndëshkim i paarsyeshëm i KE ndaj Kosovës. Erdhën vetëm për shkak të veprimeve të ngutshme, pa konsultime dhe me sjellje të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët tonë, në veçanti më SHBA. Përndryshe të gjitha këto veprime kanë qenë të nënshkruara më parë nga Serbia. Zbatimi i tyre ka qenë i arsyeshëm. BE në mjaft raste ka përsëritur gabimet që ka bërë edhe më herët në raport me përkëdheljet që i ka bërë Serbisë që nga viti 1990 në veçanti dhe shumë me herët. Ky shtet u formua në kundërshtim te të gjitha normave morale dhe kundër çdo të drejte njerëzore, në tokat e huaja dhe pas shumë masakrave që i ka bërë ndaj popullit shqiptarë gjatë shekujve. Ky shtet instrument rus që shkakton lufta dhe tragjedi që sa e sa herë në këtë pjesë të Evropës dhe Botes”, ka deklaruar ai. 

Gjithashtu, Maraj ka theksuar se masat ndëshkuese të BE-së kishin penguar projekte për IPA me vlerë 34.6 milionë euro, të cilat do të përgatitnin Kosovën për anëtarësim në BE.

“Këto projekte tani të liruara ishin të destinuara për IPA më vlerë totale prej 34.6 milionë euro që do të përgatit Kosovën për anëtarësim. Ky proces ishte i dëmshëm jo vetëm materialisht por edhe politikisht dhe dëmtojë Kosovën në vend që të vendoseshin ndaj Serbisë për njëmijë arsye. Kjo  pjesë e mbetur tani ka përsëri efekt negativ por në masë më të vogël. Pas transferimit të pushtetit lokal në katër komuna në veri të Kosovës, me ligj dhe pa asnjë problem, por në mënyrë të qetë si i ka hije një shteti demokratik erdhi kjo gjysme heqje e masave. A duhet të i gëzohemi kësaj mase? Apo duhet të vlerësojmë çka do të duhej të fiton Kosova me plotësimin e çdo kushti të nënshkruar nga programi i paketës së Athisarit. Fajësimi i autoriteteve të Kosovës nga Brukseli ishte jo i drejt. Por edhe komunikimi i Qeverisë së Kosovës nuk ishte në nivel. Këtë do të duhej ta kishte mësuar nga Dr. Ibrahim Rugova. Kundërshtimet e arsyeshme kërkojnë edhe një shpjegim të arsyeshëm para aleatëve tonë,  para veprimit. Por cili ishte gabimi i institucioneve tona? Kërkesat e veta ndërkombëtarët i vlerësuan të injoruara nga Qeveria e Kosovës. Pikërisht ky vlerësim vjen në mungesë të komunikimit paraprak dhe fitores në tavolinë para masave  që ishin të arsyeshme në veri. Pra në politikë nuk mjafton vetëm të kesh të drejt. Të drejtën tënde duhet ta arsyetosh, me argumente si dhe pasojat në mos realizimin e tyre të drejtave”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Maraj i vë në dyshim motivet e Francës dhe Italisë për të mbajtur disa masa ndaj Kosovës, pavarësisht se e kanë njohur pavarësinë e saj, duke shtuar se kjo duhet të analizohet profesionalisht.

Ai ngre disa pyetje për pasojat e vendimeve të BE-së, si pezullimi i vizave dhe pjesëmarrja në takime të rëndësishme të Stabilizim-Asocimit.

“Pjesa tjetër e mbetur sipas mjeteve të informimit ka qenë për shkak të këmbënguljes së përfaqësuesve të Francës dhe Italisë. Çka është tani interesi i Francës dhe i Italisë në këtë mes? Pse këto dy shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kërkuan mbetjen e disa masave ndaj Kosovës?  Kjo duhet të studiohet profesionalisht. Çka do të duhej të mësoj Qeveria e Kosovës nga këto masa? Pas këtij vendimi të BE a do të vazhdojë Kosova të ketë qasje në takimet që deri tani nuk u ftua? A do të hiqet pezullimi i vizave? A do të ftohet Kosova në takime të rëndësishme të punës në grupe për Stabilizim- Asocim(MSA)? BE ka dhënë një sinjal të vogël se ka vlerësuar stabilizimin e situatës në veri. Por a do të jetë situata stabile me LS në pushtetin lokal në Komunat e veriut? Apo që tani do të fillojnë projektet e reja diversantë ruso-serbe? Kosova duhet të vazhdoj rrugën e vet me kujdesin më të madh duke i mbajtur të informuara gjithmonë SHBA dhe BE për projektet dhe veprimet armiqësore të Serbisë, Rusisë dhe Iranit në Kosovë. Projekti për Botën Ruse dhe Serbinë e madhe janë gjithnjë në tavolinat e këtyre shteteve problematike. BE do të duhej të përkrahte shtetin që ka synim perëndimin. Besojmë që BE nuk do të përsërit gabimet që i bëri më Gjergj Kastriotin-Skënderbeun kur nuk e përkrahu në luftë kundër Perandorisë Turke”, ka përfunduar Maraj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat