Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë.
Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.
"Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, tha Osmani të mërkurën vonë në Facebook
Osmani, e cila e përfaqësoi Kosovën në samit, shtoi se “rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit".
E në lidhje me ndikimin që kishte presidentja Osmani në heqjen e këtyre masave, foli avokati shqiptar, Spartak Ngjela për “Bota sot”.
Ai vlerësoni qasjen e Osmanit dhe paraqitjen e Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve.
Në këtë pikë, përmendi edhe rolin e rëndësishëm të politikave amerikane.
“Në të vërtetë Vjosa Osmani po paraqitet shumë mirë në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Por është edhe mbrojtja mediatike ndërkombëtare që i ishte bërë Kosovës ndërkohë.
Sigurisht që është edhe siguria dhe mbrojtja që ka marrë e po merr Kosova për pavarësinë e saj si një shtet i ri nga shumë drejtime ndërkombëtare, por nuk duhet të harrojmë se politika amerikane ka luajtur një rol të madh si forcë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, shtjelloi avokati.
Krahas kësaj, u shpreh se ishte e pritshme që të vinte kjo kohë dhe ndërkombëtarët të vendosnin në favor të Kosovës.
Ndër të tjera, nënvizoi se presidentja ka meritë në këtë arritje të madhe historike
“Në fund të fundit një gjë është me siguri historike: Kosova ka qenë në një luftë çlirimtare për pavarësinë e saj nga një pushtim shumë i gjatë i Serbisë, ku, brenda këtij pushtimi, tani njihen të gjitha krimet që janë bërë kundër shqiptarëve nga serbët kundrejt shqiptarëve të Kosovës.
Pritej që kjo kohë ndërkombëtare në favor të Kosovës, do të vinte, por kuptohet që vetë Vjosa Osmani ka një meritë historike në këtë arritje të madhe historike tek e cila në krye qëndron vlera e madhe historike e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës - UÇK dhe padyshim edhe e presidentit historik të Kosovës - Ibrahim Rugova”, përmbylli Spartak Ngjela për “Bota sot”.