Të shtunën, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti për çështjen e presidentit.
Hamza ka deklaruar se, partia që ai drejton ka paraqitur një ofertë të fundit dhe konkrete me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas Hamzës, propozimi i PDK-së është që kandidati për postin e presidentit të jetë nga kjo parti, si një zgjidhje kompromisi për të tejkaluar ngërçin aktual politik. Ai ka theksuar se kjo ofertë synon stabilitet institucional dhe vazhdimësi të proceseve shtetërore, duke shmangur koston politike dhe financiare të zgjedhjeve të reja.
Hamza ka bërë të ditur se gjatë takimit me Kurtin janë diskutuar opsionet për tejkalimin e krizës, por ka shtuar se përgjegjësia për hapat e mëtejmë i takon shumicës parlamentare. Sipas tij, PDK-ja është e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje që garanton funksionalitetin e institucioneve, por jo me çdo kusht.
Ai nuk ka bërë të ditur emrin e kandidatit të propozuar, duke lënë të kuptohet se për këtë çështje do të ketë njoftime të tjera në vijim.
Kasolli: PDK duhet ta qartësoj pozicionin e saj
Njohësi i politikës, Afrim Kasolli, tha se ende nuk është e qartë nëse Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë në sallë vetëm nëse votohet kandidati i saj për president nga Lëvizja Vetëvendosje, apo nëse secila parti do të paraqesë kandidatin e vet.
Ai theksoi se qartësimi i këtij pozicioni është vendimtar për të kuptuar sjelljen e PDK-së në ditën e votimit, pasi kjo parti nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta zgjedhur e vetme kandidatin e saj.
“Nga ajo që deklaroi dje kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës megjithatë ende nuk është e qartë se kjo parti a do të qëndrojë në sallë vetëm me kushtin e votimit të kandidatit të tyre për President nga Levizja Vetëvendosje dhe që kjo e fundit të mos ketë kandidat të vetin, apo ajo siç deklaroi Kryeministri Kurti se secila prej subjekteve parlamentare do t'i ketë kandidatët e tyre partiake. Në këtë kontekst qartësimi i pozicionit të PDK-së në këtë dilemë është vendimtar për të kuptuar edhe qasjen e saj se si do të sillet ditën e votimit të Presidentit. Pavarësisht emrit konkret për këtë pozitë nga kjo parti është e ditur se e njëjta nuk i ka numrat e mjaftueshëm që të ketë sukses kandidati i tyre pa mbështetje veçanërisht të Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë Kasolli për “Bota sot”.
Në fund, Kasolli tha se nëse Partia Demokratike e Kosovës qëndron në sallë me arsyetimin e votimit të kandidatit të saj, kjo mund të jetë për të shmangur zgjedhjet dhe njëkohësisht t’i sigurojë kuorumin Lëvizja Vetëvendosje, duke i mundësuar asaj tri postet kryesore shtetërore.
“Në të vërtetë nëse PDK qëndron në sallë ditën votimit me pretekstin për të votuar për kandidatin e tyre, më shumë mund të jetë një mbulesë për t'i shmangur zgjedhjet, por në të njëjtën kohë duke ia krijuar partisë fituese të zgjedhjeve kuorumin e nevojshëm, duke ia mundësuar Lëvizjes Vetëvendosje që të jetë partia e parë në Kosovën e pas luftës që t'i ketë tri pozita të larta shtetërore, sikur atë të Kryeministri, të Presidentit dhe Kryetarin e Kuvendit”, përfundon ai.
Hajdaj: Presidentja Vjosa Osmani e ka dëshmuar fuqishëm se ishte Presidente e duhur dhe aleate e palëkundur përkrah vlerave të aleatëve tanë evro-amerikan
Anëtari i GUXO, Kujtim Hajdaj në një përgjigje për “Bota sot”, i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti, Donika Gërvallës dhe partive politike, përfshirë LDK-në, PDK-në e AAK-në, që të mbështesin rizgjedhjen e Vjosa Osmani për një mandat të dytë.
Ai tha se vazhdimi i mandatit të saj është në interes të Kosovës dhe garanci për forcimin e marrëdhënieve me aleatët euro-atlantikë, duke ruajtur frymën e Ibrahim Rugova.
“Tanimë që kanë mbetur veq edhe pak ditë deri tek rizgjedhja e Vjosa Osmani, Presidente 5+, apo deri tek zgjedhja e një Presidenti të ri të Kosovës, lutja e ime është kjo:
- Për Kryeministrin, Për Kurti,
- Zëvendës Kryeministren, Ministren e Drejtësisë dhe kryetares së Partisë GUXO, Donika Gërvalla,
- Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, me besimin se ende i qëndrojnë besnik frymës rugoviane të Presidentit Rugova dhe parimet institucionale;
- Për një pjesë të deputetëve nga radhët e partive opozitare, PDK dhe AAK,
Që t'i ofroni shtetit tonë, Republikës së Kosovës, mundësinë e rizgjedhjes edhe për një mandat me Presidenten tonë aktuale, znj.Vjosa Osmani.
Kjo jo vetëm që është zgjedhja më e mirë për Kosovën..., por është edhe nevojë e kohës, kur sot bota e njerëzimit është në kërkim të liderëve të mëdhenj që janë garanci e fuqizimit të shteteve për të ecur përpara në frymën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Pikërisht, ashtu siç Kosovën e udhëhiqte Presidenti i jonë historik, Ibrahim Rugova.
Dhe këtë frymë dhe forcë udhëheqëse me popull dhe shtet e shohim dhe duhet ta vazhdojmë me Vjosa Osmanin, si Presidente të Kosovës edhe në pesë vitet e ardhshme. Rizgjedhja për Presidente e Vjosa Osmani, do të ishte edhe garancion për SHBA, BE, Britaninë e Madhe dhe NATO.., se Kosova do të mbes besnike dhe do të shtyjë përpara fuqishëm politikat globale së bashku me aleatët tanë Evro-Atlantik, në dobi dhe mbrojtje të sigurisë, stabilitet politik, ekonomik dhe paqes globale në botë”, tha ai për gazetën.
Tutje, Hajdaj theksoi se Vjosa Osmani gjatë pesë viteve të fundit ka dëshmuar se është presidente e duhur dhe aleate e palëkundur e partnerëve euro-amerikanë.
Ai shtoi se fryma e fitoreve zgjedhore duhet të vazhdojë, duke shprehur besimin se Albin Kurti, Donika Gërvalla dhe deputetët e shumicës e opozitës do ta mbështesin rizgjedhjen e saj, në interes të shtetit.
Sipas tij, këtë qasje e përkrah edhe Familja Jashari, duke kërkuar unitet dhe shmangie të përçarjeve politike.
“Në pesë vitet e kaluara, Presidentja Vjosa Osmani e ka dëshmuar fuqishëm se ishte Presidente e duhur dhe aleate e palëkundur përkrah vlerave të aleatëve tanë evro-amerikan.
Unë besoj shumë se fryma e e fitores së madhe e 14 shkurtit 2021 dhe fryma tjetër e fitores së 28 dhjetorit 2025, s'mund të shkelen, por duhet të vazhdojë edhe më fuqishëm në mbrojtje të interesave tona nacionale.
Unë besoj shumë se liderët tanë të pa kontestueshëm Kryeministri Albin Kurti dhe Donika Gërvalla me deputetët tjerë të shumicës parlamentare nga radhët e LV-GUXO-ALT, por edhe figura dhe deputetë tjerë nga radhët e partive opozitare.., do të dinë të analizojnë me gjakftohtësi këtë situatë politike dhe të çmojnë pa interesa ditore politike këtë momentum historik që i duhet sot Kosovës, për t'u përcaktuar dhe rizgjedhur Vjosa Osmani edhe për pesë vitet e ardhshme si Presidente të Kosovës.
Këtë frymë për popull dhe shtet - larg politikës - është duke e përkrahur pa rezervë edhe familja heroike Jashari, si aset i jonë kombëtar, duke kërkuar ecjen përpara të Kosovës pa bllokime, inate dhe hasmëri politike.
Kosova është djepi i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.., i frymëzimit dhe i forcës sonë, pa të cilën s'mund të jetojmë dhe ecim së bashku përpara si popull për të lejuar që ajo të nëpërkëmbet nga qëllimet ditore të politikanëve tanë për pushtet” – thekson ai.