Dy javë drejt vendimit: Opozita akuzohet për bllokadë, kërkohet qartësi për presidentin

Politika

Dy javë drejt vendimit: Opozita akuzohet për bllokadë, kërkohet qartësi për presidentin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 prill 2026 Në ora: 08:02
Kuvendi i Kosovës

Edhe dy javë kanë mbetur që nga përfundimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri apo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar vazhdimisht se janë në komunikim me kryetarët e partive politike opozitare.

"Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare, kur të ka rezultate atëherë ju njoftojmë", ka thënë Kurti të mërkurën, por edhe të enjten.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka treguar që negociatat për zgjedhjen e presidentit po vazhdojnë dhe zgjidhja, sipas tij, do të varet nga vullneti i opozitës.

“Bisedat po vazhdojnë mes kryeministrit dhe partive politike. Ka takuar kreun e LDK-së, një ftesë ia ka dërguar edhe PDK-së. Ata kanë kërkuar disa sqarime shtesë, të cilat me siguri që kryeministri do u përgjigjet shpejt. Ka përpjekje për të shkuar në një marrëveshje”, ka thënë Konjufca.

Ai tha se opozita duhet të tregojë se çfarë kërkon.

“Vetëvendosja nuk insiston patjetër që të ketë emrin e saj në zgjedhjen e Presidentit. Nëse nuk ka pasur vullnet, është vërtetuar në seancë ku nuk kanë ardhur. Kjo tregon se ata kërkojnë diçka tjetër, por mirë është të na e thonë se çfarë kërkojnë”, ka shtuar Konjufca.

‘Vendimi i opozitës’

Analisti Nexhmedin Spahiu në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, pajtohet me deklaratën e Konjufcës duke thënë se ka të drejtë.

Image
Analisti Nexhmedin Spahiu

Sipas tij, partitë opozitare duhet të tregojnë çfarë duan.

“Pajtohem me deklaratën e Glauk Konjufcës, ai ka të drejtë. Opozita duhet të tregojnë çfarë duan. Ata duhet të marrin pjesë në seancë, apo edhe të kërkojnë çfarë duan, çfarë kërkojnë, madje edhe ndonjë emër, pastaj Lëvizja Vetëvendosje le të vendos”, deklaron Spahiu.

Akuza ndaj opozitës ka pasur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i cili të mërkurën ka deklaruar se opozita duhet të dalë me një emër konkret për president, duke kundërshtuar idenë e dhënies së votave pa një kandidat të qartë.

Ai ka thënë se nuk ka praktikë politike që deputetët të japin nënshkrime apo vota pa e ditur se për kë po votojnë.

“E para askund në botë nuk ka marrëveshje bllanko që mund ti japë nënshkrimet apo votat deputetëve pa emër. Këta kanë kërkuar ju duhet më na dhënë edhe nënshkrimet edhe me na votu, emrin në ua tregojmë. Nuk mundesh me votu dikë kur nuk e dinë se kush është, këtë vetëm PDK e bën”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ka emra brenda opozitës, konkretisht në PDK, që Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i mbështeste, por shtoi se ekzistojnë edhe figura të tjera që mund të jenë të pranueshme për votim.

Megjithatë, ai nuk përmendi emra konkretë.

“Po nuk ka askund marrëveshje politike në botë që duhet me ua dhënë nënshkrimet e votat pa e ditë kë do ta votojmë. Ka emra në PDK që LVV nuk do ti votonte. Por ka edhe persona që janë edhe që mund të jenë figura që mund t’i votojmë, por nuk të japë emra”, ka thënë ai.

“Etja” e opozitës

Kurse, veprimtari Agim Aliçkaj, thotë se e gjithë keqbërja politike po shkon në interes të Serbisë.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, u shpreh se, faji për dështimet në organizimin demokratik të shtetit u takon të gjitha partive.

Image
Agim Aliçkaj

“Çka po don opozita?! “Faqen e zezë e marren e tepër”, thotë populli! Kanë mbetur vetëm edhe dymbëdhjetë ditë nga afati shtesë i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Ky proces, për faj të klasës politike vetjake dhe jokonstruktive, është shndërruar në agoni për popullin e Kosovës. Lufta për pushtet në një shtet demokratik është normale dhe e kuptueshme. Por lufta për sakatimin e shtetit, me qëllim të marrjes së pushtetit, është e pakuptueshme, neveritëse dhe e rrezikshme. E gjithë kjo keqbërje politike po shkon në interes të Serbisë, e cila propagandon me zë të lartë se shqiptarët nuk dinë dhe nuk mund të mbajnë shtet. Regjimi kriminel serb deklaron hapur se është duke pritur momentin e volitshëm për ta ripushtuar Kosovën, kur miqtë tanë ndërkombëtarë të lodhen nga paaftësia e politikanëve tanë. Faji për dështimet në organizimin demokratik të shtetit u takon të gjitha partive, por zhvillimet e dy viteve të fundit tregojnë për një fajtor të veçantë: opozitën e Kosovës. Paaftësia e tyre për të marrë pushtetin përmes punës dhe propozimeve konkrete është shndërruar në aftësi për ta bllokuar atë. Populli i Kosovës i dënoi me 51% në zgjedhjet e 28 dhjetorit, por ata nuk po e kuptojnë këtë mesazh. Duket qartë se nuk po dëgjojnë zërin e arsyes, por këshillat e këqija të dashakëqinjve të Kosovës, si ish-ambasadori amerikan Grenell, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, oligarkë dhe opinionistë, bashkë me pseudo-gazetarë të ndryshëm, shumë prej tyre të ndikuar nga Serbia”, deklaron Aliçkaj.

Sipas tij, opozita kërkon ose zgjedhje të reja pafund me shpresë për ndonjë përfitim ose krijimin e një qeverie “teknike”, “unike” apo “shpëtimtare”.

“Kryeministri Kurti po bën përpjekje duke ftuar krerët e LDK-së dhe PDK-së për gjetjen e një rrugëdaljeje nga kjo situatë. Do të ishte mirë të ftohej edhe AAK-ja. Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i hapi rrugë opozitës që të tregojë se çfarë kërkon dhe të dalë me propozime konkrete për President, por pa rezultat. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se opozita kërkon ose zgjedhje të reja pafund, me shpresë për ndonjë përfitim, ose krijimin e një krize të thellë shtetërore, deri në atë pikë sa të ndërhyjë faktori ndërkombëtar për krijimin e një qeverie “teknike”, “unike” apo “shpëtimtare”, pa Kryeministrin Kurti, i cili do të shpallej si “fajtori kryesor” për dështimet. Shpresat e opozitës për pushtet janë shtuar pas përçarjes mes Kryeministrit Kurti dhe ish-Presidentes Vjosa Osmani. Megjithatë, ata nuk e kuptojnë se, për shkak të rezultateve të Kurtit në përballje me Serbinë dhe dobësive të tyre, ai dhe LVV-ja do të mbeten faktorë qendrorë në politikën kosovare për një kohë të gjatë”, shprehet veprimtari.

Përgjegjësit për zgjedhjen e presidentit, sipas Aliçkajt, janë të të gjithëve dhe është e rëndësishme që takimet të jenë transparente.

“Fjala kryesore për zgjedhjen e Presidentit i takon shumicës, që në këtë rast është koalicioni i LVV-së me 51%. Presidenti duhet të jetë unifikues dhe, mundësisht, jopartiak, por në asnjë mënyrë kundërshtar politik i qeverisë së shumicës. Kjo nuk është autokraci, por demokraci, meritokraci dhe përgjegjësi për zhvillimin e shtetit. Të gjithë kanë përgjegjësi për zgjedhjen e Presidentit. Opozita mund ta refuzojë kandidatin vetëm nëse ka vërejtje konkrete për kualifikimet e tij, jo për inat apo për bllokim të shtetit. Si votues i pavarur, i edukuar dhe i informuar mirë, me një veprimtari të dokumentuar 36-vjeçare kombëtare, pa interes personal, por vetëm për shtetin dhe kombin, jam i bindur se ndaj mendimin e mijëra qytetarëve të tjerë që Kryeministri Kurti nuk duhet të lëshojë pe. Presim që, në këtë afat të shkurtër, ai të bëjë çdo përpjekje për të arritur marrëveshje me opozitën për zgjedhjen e Presidentit dhe për të vazhduar përpara, pa zgjedhje të reja të panevojshme. Është e rëndësishme që këto takime të jenë transparente. Nëse bisedimet dështojnë, atëherë disa ditë para skadimit të afatit duhet të propozohet një kandidat sa më i pranueshëm për popullin e Kosovës, pavarësisht qëndrimeve të partive politike, përfshirë edhe ish-Presidenten Vjosa Osmani. Nëse, pas gjithë këtyre përpjekjeve, deputetët e partive opozitare, në raundin e tretë të votimit marrin guximin të braktisin procesin dhe të bllokojnë konsolidimin e shtetit, atëherë në zgjedhjet e ardhshme të paevitueshme do të ndëshkohen rëndë nga vota e popullit. Shtrëngoni rripat, të nderuar deputetë. Nëse e bëni faqen e zezë, do të merrni marren e tepër. Kjo është e sigurt. Populli i Kosovës nuk mashtrohet”, përfundon veprimtari për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat