Katërshja e UÇK-së mund të mos lirohet sot? Qaka flet rreth vendimit dhe deklaratave për kaos

Politika

Katërshja e UÇK-së mund të mos lirohet sot? Qaka flet rreth vendimit dhe deklaratave për kaos

Nga: N.E. Më: 16 shtator 2026 Në ora: 09:15
Fotoilustrim

Analisti Adnan Qaka ka komentuar pak orë përpara vendimin e Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur skepticizëm për mundësinë e lirimit të tyre në shkallën e parë. Qaka ka thënë se, pavarësisht vendimit, procesi gjyqësor mund të vazhdojë edhe pas aktgjykimit të shkallës së parë, përmes procedurave të ankesës.

“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale për datën 16 shtator, për rastin e katërshes së UÇK-së, mendoj se gjasat do të jenë që vendimi të jetë i disfavorshëm për ta, por, sidoqoftë, pala e akuzuar në këtë rast, kjo katërshe e UÇK-së, ka të drejtë të ankohet. Edhe nëse lirohet në shkallë të parë, gjykimi kundër tyre dhe të tjerëve nuk përfundon me aktgjykimin e shkallës së parë, por vazhdon procesi në shkallë të dytë, sepse Prokuroria do të ankohej”, ka deklaruar Qaka për “Bota sot”. 

Ai ka rikujtuar se Prokuroria ka kërkuar dënimin me 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, ndërsa ka theksuar se vendimi do të mbështetet në vlerësimin që Gjykata do t’u bëjë provave të paraqitura gjatë procesit.

“Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata dënimin me 45 vjet burgim për secilin të akuzuar dhe këtë kërkesë e ka mbështetur në provat e veta të paraqitura gjatë procedurës, të cilat Gjykata do t’i vlerësojë se a e provojnë fajësinë apo jo. Një gjë duhet bërë me dije: nëse katërshja e UÇK-së dënohet, pesha e këtij dënimi është individuale, pra gjykohen individët, nuk njolloset UÇK-ja dhe as Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, është shprehur ai.

Qaka i ka cilësuar si të pabazuara pretendimet se një vendim eventual dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së do ta vinte në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës apo do të nënkuptonte dënimin e vetë UÇK-së.

“Zërat që thonë se do të vihet në pikëpyetje shtetësia jonë dhe se kinse do të dënohet UÇK-ja nëse dënohet kjo katërshe, janë vërtet trillime dhe aspak të vërteta”, ka thënë Qaka.

Analisti ka folur edhe për paralajmërimet lidhur me protestat e 16 shtatorit dhe deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, e cila ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për protesta të mundshme, grumbullime të mëdha dhe pengesa në qarkullim.

Sipas Qakës, paralajmërimet për protesta, të shoqëruara me deklarata të ndryshme për mundësinë e trazirave, duhet të shihen me kujdes, pasi çdo destabilizim i situatës në Kosovë, sipas tij, do t’i shërbente Serbisë.

“Kjo deklaratë e Ambasadës Amerikane dhe disa mediave perëndimore që alarmojnë për rrezikun e trazirave në Kosovë është një sinjal se, së paku, disa nga krerët mund të dënohen më 16 shtator dhe se mund të ketë trazira. Në anën tjetër, Serbia është tejet e aktivizuar, qoftë përmes agjenturës së saj në Kosovë, dhe po synon ta bëjë Serbia atë që bëri me trazirat e marsit 2004. Pra, Serbia po e kërcënon Kosovën dhe po dëshiron ta shfrytëzojë çdo moment të volitshëm për agresion ushtarak kundër Kosovës”, ka deklaruar ai.

Qaka ka kritikuar edhe deklaratat e disa ish-veteranëve të UÇK-së dhe figurave politike, të cilat kanë paralajmëruar reagime të ashpra në rast të një vendimi dënues. Ai ka vlerësuar se deklaratat për destabilizim mund të krijojnë pasoja të rënda dhe të shfrytëzohen nga Serbia.

“Ne jemi dëshmitarë se si ish-veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës premtuan se do ta destabilizojnë Kosovën nëse ajo katërshe që gjendet në Hagë dënohet. E para, ky kërcënim, në këtë kohë delikate për Kosovën, mund t’i shërbejë Serbisë që ta realizojë atë që e bëri në trazirat e marsit 2004”, ka thënë Qaka.

Ai ka përmendur edhe deklaratat e deputetëve Ganimete Musliu dhe Mërgim Lushtaku, si dhe të anëtarit të AAK-së, Daut Haradinaj, duke i cilësuar si deklarata që, sipas tij, mund të nxisin tensione.

“Deklaratat tejet të pamatura të disa politikanëve opozitarë, siç ishte deklarata e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila deklaroi se, në rast të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, edhe NATO-ja do të vihej përballë përgjegjësisë për mbështetjen që i kishte dhënë luftës së Kosovës, vërtet kjo deklaratë është tejet skandaloze dhe e pabazë”, ka thënë ai.

Në lidhje me deklaratat për armatosjen e qytetarëve, Qaka ka thënë se Kosova duhet të forcojë kapacitetet e saj të mbrojtjes dhe institucionet e sigurisë, por ka kundërshtuar mundësinë e armatosjes së popullsisë në rrethana të tensionuara.

“Jam për të pasur shërbim ushtarak obligativ, minimumi gjashtë muaj. Por të thuash në këtë fazë, në emër të rrezikut serb, se nëse ndodh që dënohet katërshja ne rrezikohemi nga Serbia dhe duhet të armatosemi, kjo nuk ka logjikë të sigurisë, sepse duhet të rrisim kapacitetet tona mbrojtëse dhe koordinimin me KFOR-in në Kosovë dhe, asesi, në këto momente, të legalizohet që populli të armatoset, sepse kjo do të rrezikonte trazira të brendshme deri në luftë civile”, është shprehur Qaka.

Qaka ka folur edhe për vetë Gjykatën Speciale, duke përsëritur skepticizmin e tij për rezultatet që, sipas tij, kjo gjykatë mund të sjellë në raport me drejtësinë për krimet e luftës dhe pasluftës në Kosovë.

“Që nga fillimi kam thënë se këtë Gjykatë mund ta quajmë ‘Iluzionet e Speciales’, sepse kjo Gjykatë, që është njëetnike dhe po gjykon vetëm shqiptarët, nuk do të sjellë drejtësinë e kërkuar. Por as ata shqiptarë që kanë menduar se kjo Gjykatë do t’i dënojë vrasjet politike ndaj eksponentëve me rëndësi të jetës politike dhe ushtarake nuk duhet të krijojnë iluzione, sepse shumë pak do të sjellë atë drejtësi që është pretenduar nga disa se do ta sillte kjo Gjykatë”, ka deklaruar ai.

Në fund, Qaka ka bërë thirrje për maturi dhe unitet në pritje të vendimit, duke theksuar se vendimi i Gjykatës duhet të pritet dhe të respektohet përmes rrugëve institucionale.

“Është e rëndësishme që të kuptohet se një proces gjyqësor nuk përfundon domosdoshmërisht vetëm me atë që presin apo dëshirojnë njerëzit. Procesi është i ndërlikuar dhe duhet të lihet që Gjykata ta japë verdiktin e saj. Prandaj, pretendimet se më 16 shtator kjo katërshe do të lirohet janë tejet absurde, sepse situata e tyre është tejet e ndërlikuar. Kosova duhet ta presë vendimin e Gjykatës Speciale dhe duhet ta pranojë çdo lloj vendimi që mund të merret prej saj”, ka përfunduar Qaka.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat