Zgjerimi i operacioneve hibride të Rusisë në Evropë, përmes sabotimeve, sulmeve kibernetike, ndërhyrjeve të fshehta dhe fushatave të dezinformimit, ka vënë në alarm institucionet e sigurisë dhe strukturat e NATO-s. Që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë, këto forma të luftës janë shndërruar në instrumente presioni ndaj vendeve perëndimore, duke vënë në shënjestër infrastrukturën kritike, institucionet shtetërore dhe rrjetet strategjike.
Përballë kësaj situate, vëmendja po zhvendoset edhe drejt Ballkanit Perëndimor, ku tensionet e pazgjidhura dhe ndikimet gjeopolitike krijojnë hapësirë për cenimin e stabilitetit. Kosova, për shkak të raporteve të tensionuara me Serbinë dhe rëndësisë strategjike që ka prania e NATO-s, nuk mund të konsiderohet e paprekshme nga këto zhvillime.
Edhe Policia e Kosovës, në dokumentin strategjik SOCTA 2025, evidenton rreziqe që lidhen me sulmet kibernetike ndaj institucioneve, bankave dhe mediave, përhapjen e propagandës dhe përdorimin e grupeve joformale për destabilizim.
Në këtë kontekst, shtrohet çështja se sa të përgatitura janë institucionet e Kosovës për t'u përballur me këto kërcënime, cilat janë pikat më të cenueshme të sigurisë dhe çfarë roli duhet të luajnë NATO-ja dhe partnerët ndërkombëtarë në parandalimin e skenarëve që mund të rrezikojnë stabilitetin e vendit.
Dashevci: Kosova mund të përballet me operacione hibride, të gjitha pikat strategjike janë të cenueshme
Duke komentuar rrezikun e zgjerimit të operacioneve hibride në Kosovë, eksperti i sigurisë Arben Dashevci në një bashkëbisedim me “Bota sot” vlerëson se vendi nuk është i paprekshëm nga këto kërcënime, veçanërisht për shkak të raporteve të tensionuara me Serbinë dhe cenueshmërisë së infrastrukturës kritike.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në Evropë dhe paralajmërimet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë se lufta hibride po përdoret gjithnjë e më shumë si instrument presioni dhe destabilizimi.
“Rritja e sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të fshehta, të dyshuara si të lidhura me Rusinë, e që po ndodhin gjithandej në Evropë, ka ngritur shqetësime për sigurinë e gjithë kontinentit. Për këto shqetësime ka reaguar edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Normalisht që edhe Kosova mund të përballet me këto kërcënime, veçanërisht për shkak të tensioneve me Serbinë, si patericë e Rusisë, dhe cenueshmërisë së infrastrukturës kritike. Këtu mund të përmendet edhe rasti i Shqipërisë, e cila është përballur me ekspozimin e rreth një milion adresave”, deklaroi Dashevci.
Duke folur për rreziqet që mund ta cenojnë sigurinë e Kosovës, Dashevci i referohet edhe dokumentit SOCTA 2025 të Policisë së Kosovës, i cili evidenton kërcënimet që lidhen me propagandën, sulmet kibernetike dhe përdorimin e grupeve joformale për destabilizim.
Ai vlerëson se këto paralajmërime duhet të merren seriozisht nga institucionet e vendit, pasi veprimet destabilizuese mund të zhvillohen vazhdimisht dhe në forma të ndryshme.
“Dokumenti SOCTA 2025 i Policisë së Kosovës paralajmëron për rreziqe si propaganda, sulmet kibernetike dhe përdorimi i grupeve joformale për destabilizim. Ky është një paralajmërim real, sepse ka qasje destruktive që veprojnë në dëm të vendit tonë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, u shpreh ai.
Sipas ekspertit të sigurisë, mundësia që operacionet hibride të përdoren për destabilizimin e Kosovës është reale. Ai thekson se këto metoda nuk janë të reja dhe se infrastruktura jetike, sistemet e komunikimit dhe informacionet sensitive përbëjnë fusha të rëndësishme të rrezikut.
“Reale është mundësia që operacionet hibride të përdoren për destabilizimin e Kosovës. Lufta hibride po zhvillohet në forma të ashpra tash e sa vite dhe të gjitha pikat janë të cenueshme: furnizimi me ujë, energjia, interneti dhe vjedhja e informacioneve sensitive. Pikërisht këtu duhet të jetë fokusi i sigurisë së Kosovës”, theksoi Dashevci.
Në vlerësimin e tij, Kosova ka kapacitete për të parandaluar kërcënimet hibride, por përballja me to kërkon koordinim të plotë ndërinstitucional dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me aleatët ndërkombëtarë.
Ai nënvizon se institucionet e sigurisë duhet të funksionojnë si një mekanizëm i përbashkët, në mënyrë që parandalimi dhe reagimi ndaj këtyre rreziqeve të jenë sa më efektivë.
“Vlerësoj se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për t’i parandaluar sulmet kibernetike, sabotimet dhe fushatat e dezinformimit, por duhet të jetë në koordinim, bashkëpunim dhe bashkëveprim të plotë me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë për mbrojtjen e vendit nga këto kërcënime.
Gjithashtu, duhet të forcohet bashkëpunimi ndërmjet të gjitha institucioneve tona të sigurisë, të cilat duhet të funksionojnë si një hallkë e vetme, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët”, përfundoi Dashevci për “Bota sot”.
Racaj: Rusia dhe Serbia mund të shfrytëzojnë dobësitë institucionale për të destabilizuar Kosovën
Në anën tjetër, Prof. Dr. Muhamet Racaj, gjeneral-major në pension, vlerëson se operacionet hibride përbëjnë një nga kërcënimet më serioze të sigurisë në Evropën bashkëkohore dhe se mundësia e përdorimit të tyre kundër Kosovës është reale.
Sipas tij, këto operacione nuk zhvillohen domosdoshmërisht përmes forcës ushtarake, por përmes një kombinimi metodash që synojnë dobësimin e institucioneve, cenimin e besimit të qytetarëve dhe krijimin e pasigurisë.
“Operacionet hibride përbëjnë një nga kërcënimet më serioze të sigurisë në Evropën bashkëkohore. Ato dallojnë nga luftërat tradicionale, sepse nuk zhvillohen domosdoshmërisht përmes përdorimit të forcës ushtarake, por përmes një kombinimi të sulmeve kibernetike, sabotimeve, dezinformimit, propagandës, presionit politik, ndikimit ekonomik dhe shfrytëzimit të grupeve të organizuara joformale.
Vlerësoj se mundësia e përdorimit të këtyre metodave kundër Kosovës është reale dhe duhet trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare. Kosova ndodhet në një mjedis të ndjeshëm gjeopolitik, me tensione të vazhdueshme me Serbinë dhe me një infrastrukturë kritike që kërkon mbrojtje të vazhdueshme.
Duhet kuptuar se qëllimi i luftës hibride nuk është gjithmonë pushtimi i territorit. Shpesh, synimi është dobësimi i besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore, krijimi i pasigurisë, nxitja e përçarjeve shoqërore dhe vështirësimi i funksionimit të shtetit. Një shtet mund të destabilizohet edhe pa u sulmuar drejtpërdrejt ushtarakisht”, deklaroi Racaj në një prononcim për “Bota sot”.
Duke iu referuar dokumentit SOCTA 2025 të Policisë së Kosovës, gjeneral-majori në pension thotë se rreziqet që lidhen me operacionet e fshehta, luftën kibernetike, propagandën dhe manipulimin e opinionit publik duhet të trajtohen me seriozitet të veçantë.
Ai vlerëson se rreziku duhet analizuar si në aspektin e ndikimit të drejtpërdrejtë, ashtu edhe përmes strukturave ndërmjetëse që mund të përdoren për të realizuar operacione destabilizuese.
“Në këtë drejtim, një rëndësi të veçantë ka dokumenti SOCTA 2025 i Policisë së Kosovës, i cili e trajton luftën hibride si kërcënim për sigurinë dhe sovranitetin e vendit. Dokumenti evidenton përdorimin e operacioneve të fshehta, luftës kibernetike, propagandës, manipulimit të opinionit publik dhe grupeve të strukturuara joformale, me synim dobësimin e funksionalitetit shtetëror.
Sipas vlerësimit tim, rreziku për Kosovën duhet analizuar në dy nivele: në nivelin e ndikimit të drejtpërdrejtë dhe në atë të ndikimit përmes strukturave ndërmjetëse.
Rusia ka treguar në Evropë se është e gatshme të përdorë mjete të ndryshme të ndikimit hibrid, ndërsa Serbia, për shkak të afërsisë politike dhe strategjike me Moskën, mund të shërbejë si faktor i rëndësishëm i presionit rajonal. Megjithatë, duhet të bëhet dallimi ndërmjet ndikimit politik, bashkëpunimit strategjik dhe përgjegjësisë konkrete për një operacion të caktuar. Nuk duhet që çdo incident të cilësohet automatikisht si operacion rus apo serb pa prova të verifikueshme.
Përvoja evropiane tregon se operacionet hibride mund të zhvillohen përmes personave të rekrutuar, grupeve kriminale, aktorëve joformalë dhe rrjeteve propagandistike, duke u përpjekur që organizatorët e vërtetë të mbeten të fshehur. Raportet evropiane të vitit 2026 evidentojnë pikërisht shtimin e sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe manipulimit të informacionit në Evropë”, u shpreh ai.
Racaj thekson se infrastruktura kritike, institucionet shtetërore, sistemet digjitale, veriu i Kosovës dhe hapësira informative janë ndër fushat që kërkojnë vëmendje dhe mbrojtje të shtuar.
Sipas tij, ndërprerja e shërbimeve jetike, vjedhja e të dhënave dhe përhapja e propagandës mund të shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e shtetit dhe në stabilitetin shoqëror.
“Nga këndvështrimi im profesional, ekzistojnë disa fusha që kërkojnë vëmendje dhe mbrojtje të shtuar:
1. Infrastruktura kritike. Sistemi energjetik, hidrocentralet, furnizimi me ujë, telekomunikacioni, transporti dhe sistemet e komunikimit janë objektiva potenciale. Një ndërprerje serioze në këto sisteme mund të shkaktojë pasoja ekonomike, sociale dhe institucionale.
2. Institucionet shtetërore dhe sistemet digjitale. Institucionet qendrore, bankat, sistemet financiare, regjistrat shtetërorë dhe platformat e komunikimit janë të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike, vjedhjes së të dhënave dhe ndërhyrjeve që mund të pengojnë funksionimin e tyre.
3. Veriu i Kosovës dhe strukturat ilegale. Kjo pjesë e vendit paraqet një ndjeshmëri të veçantë të sigurisë, për shkak të tensioneve politike, ndikimit të strukturave ilegale dhe mundësisë së shfrytëzimit të grupeve kriminale për provokime, incidente dhe destabilizim.
4. Hapësira informative dhe mediat sociale. Propaganda, lajmet e rreme, profilet e organizuara në rrjetet sociale dhe manipulimi i opinionit publik mund të nxisin mosbesim ndaj institucioneve, të thellojnë ndarjet shoqërore dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
5. Siguria ekonomike dhe sociale. Pakënaqësitë sociale, krizat energjetike, tensionet ndëretnike dhe problemet ekonomike mund të shfrytëzohen nga aktorë të jashtëm për të krijuar destabilitet të brendshëm.
Thelbi i kësaj strategjie është që dobësitë ekzistuese të shoqërisë të shndërrohen në instrumente të presionit politik dhe të sigurisë”, deklaroi Racaj.
Gjithashtu, Racaj vlerëson se Kosova ka mekanizma të sigurisë, por kapacitetet ekzistuese duhet të forcohen për t'iu përgjigjur formave gjithnjë e më komplekse të luftës hibride.
Ai nënvizon se mbrojtja kibernetike nuk mund të kufizohet vetëm në përdorimin e teknologjisë, por duhet të përfshijë edhe zbulimin e hershëm, parandalimin dhe reagimin e koordinuar institucional.
“Nuk do të ishte profesionale të thuhej se Kosova nuk ka kapacitete, por as se kapacitetet ekzistuese janë të mjaftueshme për t'u përballur me të gjitha format e luftës hibride.
Kosova ka institucione të sigurisë, Policinë e Kosovës, mekanizma të inteligjencës, strukturat e mbrojtjes dhe mekanizma përgjegjës për sigurinë kibernetike. Megjithatë, kërcënimet e reja kërkojnë investime shumë më të mëdha në teknologji, personel të specializuar, inteligjencë kibernetike, analiza të rrezikut dhe koordinim ndërinstitucional.
Duhet të kemi parasysh se mbrojtja kibernetike nuk është vetëm çështje e instalimit të programeve dhe sistemeve teknologjike. Ajo kërkon një sistem të integruar të zbulimit të hershëm, parandalimit, reagimit dhe rikuperimit pas incidenteve.
Edhe sulmet e majit 2024 ndaj faqeve të disa institucioneve të Kosovës treguan se hapësira digjitale mund të shndërrohet në objektiv të presionit dhe ndërhyrjeve të jashtme. Këto raste duhet të shërbejnë si mësim për forcimin e mbrojtjes institucionale”, theksoi ai.
Duke folur për masat që duhet të ndërmerren, Racaj konsideron se Kosova duhet të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe të investojë në mekanizma që mundësojnë identifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve përpara se ato të shkaktojnë pasoja.
“Në këtë drejtim, konsideroj se Kosova duhet të ndërmarrë disa masa prioritare:
Të përmirësojë koordinimin ndërmjet Policisë, AKI-së, institucioneve të mbrojtjes dhe institucioneve civile.
Të zhvillojë programe të edukimit medial dhe të vetëdijesimit të qytetarëve për identifikimin e dezinformimit.
Të organizojë ushtrime të përbashkëta për skenarë të sulmeve kibernetike, sabotimeve dhe ndërprerjes së shërbimeve jetike.
Një element tjetër me rëndësi është mbrojtja e institucioneve nga depërtimi i mundshëm i interesave të huaja, përmes korrupsionit, shantazhit, spiunazhit dhe keqpërdorimit të pozitave zyrtare.
Sipas vlerësimit tim, Kosova duhet të kalojë nga një qasje kryesisht reaguese në një sistem të sigurisë parandaluese. Nuk mjafton të reagojmë pasi të ndodhë sulmi; duhet të jemi në gjendje ta zbulojmë, ta identifikojmë dhe, kur është e mundur, ta parandalojmë atë përpara se të shkaktojë pasoja”, u shpreh Racaj.
Sa i përket rolit të NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë, gjeneral-majori në pension vlerëson se mbështetja e tyre është e pazëvendësueshme për forcimin e sigurisë së Kosovës. Sipas tij, kërcënimet hibride kërkojnë bashkëpunim që shkon përtej dimensionit tradicional ushtarak.
Ai thekson se Kosova duhet të thellojë partneritetin me NATO-n, SHBA-në dhe shtetet kryesore evropiane, veçanërisht në fushën e mbrojtjes kibernetike, shkëmbimit të inteligjencës dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike.
“Roli i NATO-s dhe i partnerëve strategjikë është i pazëvendësueshëm në forcimin e sigurisë së Kosovës. Në kushtet aktuale gjeopolitike, Kosova nuk duhet dhe nuk mund t'i trajtojë kërcënimet hibride vetëm si përgjegjësi të brendshme.
NATO-ja, përmes KFOR-it, ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe stabil në Kosovë. Por kërcënimet hibride kërkojnë edhe një bashkëpunim më të gjerë, përtej dimensionit tradicional ushtarak.
Ky bashkëpunim duhet të përfshijë mbështetjen teknike dhe profesionale për mbrojtjen kibernetike, trajnimin dhe ushtrimet e përbashkëta të institucioneve të sigurisë, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përgatitjen për situata emergjente, si dhe koordinimin diplomatik dhe politik për identifikimin dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve të jashtme.
Duhet të theksohet se Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe nuk përfiton automatikisht nga garancia e mbrojtjes kolektive e nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Prandaj, partneriteti me SHBA-në, NATO-n dhe shtetet kryesore evropiane duhet të thellohet përmes marrëveshjeve konkrete, mekanizmave të bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale.
NATO-ja ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e shkëmbimit të inteligjencës, mbrojtjes kibernetike dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës përballë kërcënimeve hibride. Këto përvoja duhet të shfrytëzohen edhe në ndërtimin e kapaciteteve të Kosovës”, deklaroi ai.
Në përfundim, Racaj thekson se lufta hibride duhet të trajtohet si kërcënim afatgjatë dhe se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura për skenarë të ndryshëm destabilizues, pa krijuar panik dhe pa i atribuuar çdo incidenti përgjegjësi të jashtme pa prova.
“Rusia, përmes politikës së saj të ndikimit gjeopolitik, dhe Serbia, përmes pretendimeve të vazhdueshme politike ndaj Kosovës, krijojnë një mjedis ku mundësitë për ndërhyrje, presion dhe destabilizim duhet të merren seriozisht. Kjo nuk nënkupton se çdo zhvillim negativ është rezultat i një plani të përbashkët ruso-serb, por se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura për skenarë të tillë.
Kosova duhet të investojë në sigurinë e saj, të forcojë institucionet dhe të thellojë bashkëpunimin me SHBA-në, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, duhet të ndërtojë një kulturë të sigurisë në të cilën çdo institucion, çdo sektor jetik dhe çdo qytetar e kupton rëndësinë e mbrojtjes së shtetit.
Mesazhi im është se paqja nuk ruhet vetëm me deklarata politike, por me institucione të forta, kapacitete profesionale, inteligjencë funksionale dhe partneritete të qëndrueshme strategjike.
Kosova duhet të jetojë dhe të zhvillohet me bindjen se paqja është objektivi i saj, por duhet të përgatitet me përgjegjësi për çdo rrezik që mund ta cenojë atë. Vigjilenca nuk nënkupton frikë dhe panik, por gatishmëri shtetërore, parandalim dhe përgjegjësi ndaj sigurisë së qytetarëve”, përmbylli Racaj për “Bota sot”.