Profesori Enver Bytyçi ka reaguar ndaj deklaratës së Baton Haxhiut, i cili kishte treguar se ishte befasuar kur kishte parë fotografinë e Josip Broz Titos në shtëpinë e nënës së Veton Surroit në vitin 1998.
Bytyçi për "Bota sot",e ka kritikuar Haxhiun për këtë deklaratë, duke e akuzuar për mungesë respekti ndaj miqësisë dhe mikpritjes që, sipas tij, kishte marrë nga familja Surroi.
Ai gjithashtu ka rikujtuar fotografitë e mëhershme të Haxhiut me Jovica Stanishiqin, duke ngritur pikëpyetje për qëndrimet e tij të sotme.
Në reagimin e tij, Bytyçi ka theksuar se çështja kryesore është respekti ndaj miqësisë dhe njerëzve që të kanë ofruar mikpritje në të kaluarën.
“Baton Haxhiu bëri një deklaratë shokuese tek tha se ishte i shokuar atëherë kur në vitin 1998 ishte pritur në shtëpinë e nënës së Veton Surroit dhe se në faqen e murit kishte parë fotografinë e Jofip Broz Titos. Dmth Vetoni, asokohe në bashkëpunim dhe mesa duket në miqësi të ngushtë me Batonin, e fton këtë të fundit në shtëpinë e nënës së tij. Batoni shkon në shtëpinë e mikut të tij të dikurshëm dhe për 28 vite ka mbajtur të fshehur një “sekret” të nënës së tij – foton e ish-udhëheqësit komunist të Jugosllavisë. Bëhet fjalë për atë kohë, kur vetë Batoni “mbante” fotografinë e kriminelit të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë, Stanishiq. Madje kur ai kishte bërë fotografi me këtë kriminel të dënuar tashmë në Hagë.
Sot miku i madh i Serbisë, Baton Haxhiu, na thotë se ishte i shokuar se kishte parë fotografinë e udhëheqësit jugosllav, Tito, në shtëpinë e dikujt tjetër, personazh i cili kishte pasur bashkëshortin e saj ambasador të Titos në botën e jashtme. Por nuk po zgjatem në këtë interpretim. Kryesore është se kemi të bëjmë me shkeljen e një parimi thelbësor të respektit njerëzor për miqësinë që dikush të ka ofruar dikush, dikur. Në rastin konkret të Veton Surroit për Baton Haxhiun. Dhe dihet tashmë se Vetoni nuk kishte nevojë për Batonin sa ky i fundit kishte nevojë për zotin Surroi. Çfarë kam parasysh me këtë?”, tha ai.
Profesori Bytyçi ka ashpërsuar kritikat ndaj Baton Haxhiut, duke e akuzuar se ka shfrytëzuar mikpritjen dhe miqësinë e dikurshme me familjen Surroi për të goditur ish-mikun e tij.
Bytyçi e ka cilësuar veprimin e Haxhiut si pabesi dhe shkelje të traditës, nderit dhe kodit të miqësisë.
Në fund, ai ka thënë se deklaratat dhe veprimet e Haxhiut tregojnë, sipas tij, karakterin dhe atë që ai përfaqëson.
“Është perversitet i një lloji të veçantë të përdorësh miqësinë e ofruar në çdo kohë të dikujt për t’u hakmarrë ndaj tij në një kohë tjetër. Aq më tepër duke implikuar pjestarët e tjerë të familjes së mikut tënd. Këtë ka bërë në këtë rast Baton Haxhiu. Ka shkelur mbi traditën, mbi nderin, mbi miqësinë dhe mbi gjithçka që përmban kodi i sjelljes në këtë rast, thjesht për të goditur ish-mikun e tij, të parë tashmë si “armik”! Të publikosh diçka simbolike me qëllim denigrimi pas 28 vitesh është më shumë se perversitet, më shumë seintrigë, më shumë sekrim moral, më shumë se pabesi!
Kam patur një xhaxha, i cili më thoshte vazhdimisht: - Eh mor bir, nëse njeriu nuk dëshmon vetë për atë që është, askush nuk e dallon karakterin e tij. Eshtë shumë pozitiv fakti se Batoni na thotë vazhdimisht se kush është dhe çfarë përfaqëson. Edhe në kodin e sjelljes si në këtë rast përfaqëson perversitetin!” – përfundoi ai.