Tenistja Naomi Osaka tërhiqet nga turneu “French Open”, reagojnë organizatorët

Tenis

Tenistja Naomi Osaka tërhiqet nga turneu “French Open”, reagojnë organizatorët

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 06:41
Naomi Osaka

Organizatorët e kampionateve kryesore të tenisit “Grand Slam” lëshuan një deklaratë të martën duke shprehur shqetësim për një ndër lojtaret më të mira, Naomi Osaka pasi ajo vendosi të mos merrte pjesë në kampionatin francez “French Open”.

Osaka kishte deklaruar se nuk do të jepte intervista për mediat gjatë gjithë kohës së turneut për të mbrojtur shëndetin e saj mendor. Organizatorët e turneut thanë se kjo nuk do të lejohej, duke bërë që Osaka të tërhiqej nga turneu pasi ajo kishte lëshuar një deklaratë në lidhje me betejën e saj me depresionin.

Deklarata e së martës nga organizatorët e kampionateve “Grand Slam” nuk shprehte ndjesë në adresë të lojtares Osaka ose ndonjë koment mbi mundësinë që të rishikohet rregulli që detyron lojtarët të flasin me median.

"Së bashku si një komunitet, ne do të vazhdojmë të përmirësojmë përvojën e lojtarëve në garat tona, duke përfshirë edhe pjesën për mediat", thuhet në deklaratë.

"Megjithëse shtypi që mbulon tenisin ka qenë gjithmonë i mirë me mua ... nuk është e natyrshme për mua të flas në publik dhe përfshihem nga dallgë të mëdha ankthi para se të flas me mediat botërore", shkroi Osaka në një njoftim, duke shpjeguar vendimin e saj për t'u tërhequr.

Vendimi i saj ka ndezur diskutime në mediat sociale, ku shumë mbështetës të saj, sponsorë dhe kolegë sportivë që vlerësojnë vendimin e saj për t'i dhënë përparësi shëndetit të saj mendor.

"Askush nuk duhet kurrë të detyrohet të marrë një vendim si ky, kaq mbresëlënës duke zgjedhur një rrugë paqeje (sakrifice), kur autoriteti përkatës nuk i mbron anëtarët e komunitetit të vet. Shumë respekt (për Naomin)", tha në një postim në Twitter, ylli i basketbollit amerikan, Stephen Curry.

"Vendimi i Naomi Osaka-s na kujton të gjithëve se sa e rëndësishme është t’i japim përparësi shëndetit dhe mirëqenies sonë personale", tha përmes një deklarate kompania Mastercard, një nga sponsorët e shumtë të Osaka-s.

Ndërsa shumë mbështetës e lavdëruan Naomi Osaka-n për guximin e saj, atletët e tjerë thanë se organizatorët e kampionatit nuk duhet të kishin lejuar përshkallëzimin e kësaj çështje.

Në deklaratën e saj, Osaka i quajti disa rregulla mbi detyrimet e lojtarëve ndaj medias "mjaft të vjetruara" dhe tha se ajo do të ishte e gatshme të punonte me organizatorët në rishikimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat