Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga starti i një prej turneve më prestigjiozë të tenisit, Roland Garros, një prej lojtarëve që ka shkruar histori në tokën franceze, Rafael Nadal nuk është në maksimumin e formës si pasojë e një dëmtimi që e përndjek prej kohësh.
Tenisti nga Mallorca megjithatë do të provojë të fitojë Roland Garros për herë të 14-të, ndërsa kundërshtari i tij më i madh do të jetë Novak Gjokoviq.
Por, mes kundërshtarëve nuk duhet harruar edhe emri i talentit Carlos Alcaraz i cili në moshën 19-vjeçare ka thyer disa rekorde dhe është një nga lojtarët me më shumë pritshmëri në botën e këtij sporti.
Alcaraz, e ka shprehur hapur se idhulli i tij është bashkëkombasi Nadal, ndërsa së fundmi theksoi se i vjen keq që tenisti nga Mallorca vuan dëmtimin që nuk lejon të jetë në formë optimale.
“E di që Nadal ka pasur disa ditë pushim për t’u rikuperuar dhe kam besim se në Roland Garros do të jetë në formë të mirë për të qenë një konkurrent i denjë. Por, askush nuk dëshiron ta shohë Nadal të dëmtuar, ai është një pikë referimi për të gjithë. Më dhemb kur e shoh të vuajë teksa luan sportin që e ka pasionin më të madh. Mendoj se të gjithëve iu dhemb një Nadal i dëmtuar”, u shpreh Alcaraz.